Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar sot duke hedhur poshtë akuzat e ardhura nga partitë e opozitës lidhur me pagesat që po vijojnë t’ju bëhen inceneratorëve, duke theksuar se tashmë këto kompani administrohen nga shteti dhe jo nga personat e shpallur në kërkim nga drejtësia.
Sipas MIE, në rolin e autoritetit kontraktual, pagesat janë bërë pas kërkesës së administratorit të emëruar nga shteti, në përmbushje të detyrimeve kontraktuale, që shteti ka ndaj këtyre kompanive.
Në reagim thuhet se gjithashtu se krahas pagesave të bëra, MIE ka vendosur edhe penalitete financiare ndaj kompanive të inceneratorëve, për mos përmbushje në kohë të detyrimeve kontraktuale, që lidhet me mosdorëzimin në kohë të objekteve.
'Në zbatim të kontratës Koncesionare “Për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier”, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në rolin e Autoritetit Kontraktor, ka detyrimin kontraktual të garantojë pagesën e kësteve të mbështetjes financiare sipas kushteve të kontratës, konkretisht pikës 5.4.3/d të saj, që parashikon se “Në çdo kohë gjatë afatit të kësaj kontrate, AK është i detyruar, të garantojë pagesën e kësteve të mbështetjes financiare sipas aneksit V bashkëlidur kësaj kontrate dhe të mos i ndërpresë ato përveçse në rastet e parashikuara nga dispozitat 10.9 ‘Braktisja’ dhe 11 ‘Zgjidhja e kontratës së koncensionit’ të kësaj kontrate. Garantimi i pagesës së kësteve është kusht thelbësor i kontratës”.
Me vendimin e datës 28.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, janë vendosur në sekuestro preventive shoqëritë koncesionare së bashku me pasuritë e luajtshme dhe të paluajshme, duke i kaluar në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe duke caktuar dhe Administratorin e tyre.
Në vijim, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara i ka kërkuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të kryejë pagesat në përmbushje të detyrimeve kontraktuale. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në përmbushje të detyrimeve të kontratës, kërkesës së Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, si dhe faturave të lëshuara prej Agjencisë, ka kryer pagesën e mbështetjes financiare për këstet mujore për muajt, prill, maj dhe qershor 2022.
Gjithashtu në zbatim të detyrimeve kontraktore, konkretisht Neni 19, pika 16.1 e kontratës “Sanksionet”, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bazuar në të dhënat e ecurisë së punimeve nga Mbikqyrësi i Punimeve, ka vendosur penalitet për mosrespektimin e afateve për dorëzimin e objektit në masën 551,250 euro, penalitet i cili rritet çdo ditë me 2250 euro/ditë.
Në përgjigje të akuzave të lëshuara sot në media nga parti politike të caktuara, të lidhura me transaksione që nuk janë pjesë e objektit të kontratave koncesionare, Autoriteti Kontraktor nuk mund të ketë dijeni për huadhëniet, huamarrjet apo transaksione të tjera të kësaj natyre. Autoriteti Kontraktor jep miratim për transferimin e aksioneve gjatë kohëzgjatjes së kontratave koncesionare në fuqi, veprim që nuk ka ndodhur në këtë rast.'- thuhet në njoftimin e ministrisë së infrastrukturës.
Lajmi kryesor:
Denoncon Partia e Lirisë: Punonjësi i thjeshtë i inceneratorit të Elbasanit u bë pronar kompanish në Malin e Zi! SPAK të nisë hetimet
G.MO/ReportTv.al