KQZ ka urdhëruar Partinë Socialiste të heqë të gjitha materialet zgjedhore nga zyra elektorale e saj e hapur në Delvinë pranë KZAZ-së që ndodhet në atë zonë. Sipas vendimit të Ilirjan Celibashit, PS duhet të heqë materialet apo logot propagandistike, pasi zyra ndodhet më pak se 300 metra nga KZAZ.
Kjo u denoncua pak ditë më parë nga drejtuesja e fushatës për Sarandën, njëherësh kandidate e PD, Ina Zhupa e cila, vendimin e KQZ-së e sheh si vërtetim të akuzave të saj.
“Delvina dikur ishte madhështore, kishte të gjithë institucionet, kishte rini, kishte biznese dhe lulëzonte jeta këtu. si e shndërroi Partia Socialiste Delvinën në 12 vite. Falë një reforme të dështuar territoriale, ia hoqi të gjitha institucionet, bëri që bizneset në këtë vend të dështonin dhe rinia të ikë nga sytë këmbët.” tha Zhupa në një deklaratë.
Reagimi i plotë:
Jam këtu bashkë me kryetarin e Partisë Demokratike Delvinë, Erigers Hamiti, për të treguar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, teksa na jep të drejtë për denoncimin që bëmë.
Zyra elektorale e Partisë Socialiste Delvinë duhet të heq të gjitha materialet zgjedhore, sepse shkel ligjin.
Kandidati i PS, me siguri nuk e dinte ligjin teksa na tha që do dalim bllof, nuk dolëm aspak bllof dhe si gjithmonë kemi të drejtë.
Sa për selinë e Partisë Demokratike, meqë e paska merak, duhet ta dijë që, sipas ligjit nuk preken selitë dhe zyrat qendrore të partive nga ky vendim.
Kandidati na kujtoi që Delvina quhej Trojë, por harroi të thoshte që Delvina dikur ishte madhështore, kishte të gjithë institucionet, kishte rini, kishte biznese dhe lulëzonte jeta këtu.
Harroi të na thoshte si e shndërroi Partia Socialiste Delvinën në 12 vite. Falë një reforme të dështuar territoriale, ia hoqi të gjitha institucionet, bëri që bizneset në këtë vend të dështonin dhe rinia të iki nga sytë këmbët.
Ndaj dhe delvinjotët, apo trojanët do të zgjedhin më 11 maj Partinë Demokratike, Aleancën për Shqipërinë Madhështore.
Komente
