Politikë

Deputeti socialist: Opozita e sotme, një karikaturë që gdhihet e ngryset me konspiracione abstrakte! Më pëlqen ky entuziasmi i tyre por...

3 Shkurt, 18:27| Përditesimi: 3 Shkurt, 18:35

  • Share

1738603837_ilirmetaj.JPG

Deputeti i PS, Ilir Metaj u shpreh në një intervistë për “Newsline” në ABC News se opozita është një forcë politike-karkikaturë e vetvetes, që mundohet të fshehë krizën e saj ekzistenciale nëpërmjet konspiracioneve abstrakte me të cilat ngryset nga mëngjesi në darkë.

Metaj shtoi se Partia Socialiste do të kryejë fushatë, bazuar në rezultate konkrete.

“Jemi në prag fushate elektorale, Partia Socialiste vjen me një bilanc të rëndësishëm punësh të kryera, vizion të qartë për detyrat e shtëpisë që duhet të bëjmë në këtë fazë finale të integrimit, po sigurisht edhe me organizim të detajuar, që nuk i lë asgjë rastësisë përsa i përket betejës elektorale të 11 majit.

Nga ana tjetër, shohim një kamp opozitar kaotik, në zhurmë. Shqiptarët e kanë të qartë që zhurma nuk krijon projekte, nuk ndërton infrastrukturë, nuk kryen reforma dhe nuk ngjall as shpresë. Ne kemi intensifikuar punën tonë me diasporën.

Diaspora shqiptare ka qenë gjithmonë e pranishme, edhe pse jo fizikisht në Shqipëri, me remitancat që e kanë ndihmuar ekonominë e vendit në kohë e të mira e të këqija.

Ky është momenti për ta, të jenë më shumë sesa kaq. Ata kanë mundësinë të jenë tashmë jo thjesht spektatorë, por aktorë të vërtetë të skenës dhe vendimmarrjes politike shqiptare, duke votuar për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit”, tha ai.

Lidhur me SPAK, deputeti socialist u shpreh se dihen kush janë ata të shqetësuar nga SPAK.

“Dihen kush janë ata të shqetësuar nga SPAK. Janë ata që kishin krijuar një “drejtësi” që i pyeste politikanët “A e doni kafen me sheqer apo pa sheqer?”. E trajtonin drejtësinë si zyrë private. Tani që drejtësia po jep drejtësi të vërtetë, atyre iu duket sikur kjo drejtësi është e orientuar.

Po është e orientuar- të japë drejtësi! Ne kemi besim të plotë që institucionet e drejtësisë do kryejnë detyrën e tyre dhe do vazhdojnë të garantojnë standardet e drejtësisë dhe transparencës të denja për një vend europian”, tha ai.

Në lidhje me kërkesën e PD për të lejuar votimin e diasporës me dokumente jo shqiptare ai tha midis të tjerash se i pëlqen ky entuziasm i opozitës.

“Mua më pëlqen ky kapërcim entuziast i opozitës nga “ nuk marrim pjesë në zgjedhje” tek “ o burra të votojë kush të dojë”. Madje janë këto lloj kapërcimesh entuziaste që i kanë katandisur në vetëm një dorë deputetësh dhe madje edhe ata të ndarë në hartë ishullore”, theksoi ai.


Lajmi kryesor:

Gara për drejtorin e RTSH/Komisioni i Medias 4 orë me Këshillin Drejtues: Rivlerësoni kandidaturat! Hetim anëtarëve për konflikt interesi


Xh.K/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?