Athina u terrorizua mbrëmjen e djeshme nga përleshjet e tifozëve të AEK-ut dhe miqve të Dinamos së Zagrebit. Dueli i Champions League i programuar për mbrëmjen e sotme u anullua nga UEFA, ndërsa një tifoz i grekëve mbeti i vdekur dhe 96 të tjerë u arrestuan ose u lënduan.
Në lidhje me këto ngjarje që nuk i kanë hije një kryeqyteti evropian, ka reaguar edhe klubi i AEK-ut të Athinës. Verdhezinjtë fajësojnë policinë dhe klubin e Dinamos së Zagrebit për përgjakjen e "Derbit të Ballkanit".
Përfaqësuesit e AEK-ut u larguan të zemëruar nga takimi i mëngjesit të sotëm me UEFA-n, ku akuzuan ashpër Dinamon dhe policinë, raportojnë mediat greke. Drejtori i AEK-ut, Giorgos Kosmas tha se “është e paimagjinueshme që ai të jetë në të njëjtin vend dhe të flasë me njerëz nga klubi i Zagrebit që dinin për karvanin e tifozëve të tyre, i cili erdhi pavarësisht ndalimit të UEFA-s”.
Kosmas ka akuzuar Dinamon dhe policinë përgjegjëse për ngjarjen. “Ata dinin gjithçka dhe e lejuan të ndodhte. Do të ishte e pamendueshme, e pahijshme dhe e pamoralshme të luhej një ndeshje pas vrasjes së një tifozi”, shtoi drejtori i AEK-ut.
Lajmi kryesor:
VIDEO/ Trazira para ndeshjes AEK- Dinamo Zagreb në Greqi! Huliganët sulmojnë me bomba molotov tifozët e AEK! Humb jetën 29-vjeçari, në pranga autori 96 të arrestuar! UEFA shtyn ndeshjen
S.Dh/ReportTv.al