VIDEO/ Trazira para ndeshjes AEK- Dinamo Zagreb në Greqi! Huliganët sulmojnë me bomba molotov tifozët e AEK! Humb jetën 29-vjeçari, në pranga autori 96 të arrestuar! UEFA shtyn ndeshjen

8 Gusht 2023, 08:51| Përditesimi: 11 Gusht 2023, 07:46

  • Share

Greqia është përfshirë nga trazirat mbrëmjen e djeshme para ndeshjes AEK- Dinamo Zagreb për kualifikueset e Champions League. Përplasja mes tifozëve jashtë stadiumit të AEK “OPAP Arena” në New Philadelphia u kthye në një tragjedi me një të vdekur dhe 9 të plagosur. Policia greke ka ndaluar në një autobus të linjës Athinë-Tiranë, një kroat i dyshuar si pjesë e grupit që ekzekutuan një tifoz grek 29 vjeç një ditë më parë në Athinë.

Mediat greke shkruajnë se si pasojë e këtyre trazirave ka humbur jetën një 29-vjeçar, tifoz i Aekut. Nëntë persona të tjerë u plagosën nga incidentet e dhunshme, mes tyre një 17-vjeçar. Tre grekë dhe pesë kroatë janë shtruar në spital. Policia ka arrestuar 96 tifozë, mes tyre 82 kroatë, 1 austriak, 1 boshnjak, 1 shqiptar, 1 gjerman, 2 grekë. UEFA vendosi të shtyjë këtë takim dhe e mori këtë vendim për normalizimin e situatës. Kujtojmë se në datën 16 gusht më 21:00 po në Athinë luhet finalja e Superkupës së Europës mes Manchester City dhe Sevillas.

NGJARJA/ Incidentet e tmerrshme nisën mbrëmjen e së hënës vonë kur tifozët e Dinamo Zagrebit të cilët u nisën me makina nga kryeqyteti kroat mbërritën në New Filadelfia. Mediat vendase thonw se bashkë me huliganët e Dinamo Zagrebit jashtë stadiumit të AEK-ut ka pasur edhe tifozë të Panathinaikos dhe së bashku kanë sulmuar tifozët e AEK-ut që ndodheshin në OPAP Arena.

Organizatorët e Dinamos së bashku me tifozët e PAO, rreth 200 persona, kanë mbërritur me shpejtësi jashtë stadiumit dhe rreth orës 23:00 kanë sulmuar tifozët e AEK-ut. Ka shpërthyer një përleshje e ashpër, me bomba molotov, shkop dhe sende të tjera. Huliganët tentuan të futeshin edhe në stadium, dyert e të cilit ishin të mbyllura.

Ndërkohë në stadiumin e AEK-ut kishte përfunduar stërvitja e dy skuadrave, delegacioni i Dinamos shkoi në hotel me shoqërim policie, ndërsa zyrtarët e AEK-ut mbyllën stadiumin, por shumë tifozë përfunduan në kafenetë e zonës. Njerëzit e tmerruar mbyllën dyqanet përreth Arenës OPAP për t'u mbrojtur.

Ora 18:51
Ndalohet në Kakavijë huligani kroat, i dyshuar si ekzekutor i tifozit grek

1691513522_fdfdfdfdfd.JPG

Policia greke ka ndaluar në një autobus të linjës Athinë-Tiranë, një shtetas kroat i dyshuar si pjesë e grupit që ekzekutuan një tifoz grek 29 vjeç një ditë më parë në Athinë.

Burime ekskluzive i thanë Top Channel se huligani kroat Domagoj Pezer 19 vjeç tentoi të largohet nga Greqia, por u ndalua në pikën e kufirit grek të Kakavijës.

Ai u prangos dhe para pak minutash u dërgua në drejtorinë e Policisë Janinë ku do të merret në pyetje.

Pas ngjarjes, ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Ioanis Oikonomou ka urdhëruar largimin e menjëhershëm nga detyrat 7 oficerëve të policisë greke EL.AS dhe ka dhënë porosi për hapjen e një hetimi të brendshëm pas vrasjes së një 29 vjeçarit grek në incidentet e dhunshme mes huliganëve kroatë e grekë në Athinë.

Nga përleshjet e dhunshme 29-vjeçari grek Michalis Katsouris është qëlluar disa herë me thikë nga një tifoz kroat dhe ka humbur jetën, ndërsa edhe 8 persona të tjerë, pesë grekë dhe tre kroatë janë plagosur.

Sipas informacioneve nga burime policore, një grup prej 150-200 tifozësh të organizuar të Dinamos së Zagrebit kanë mbërritur me makinat e tyre në Greqi, pavarësisht urdhrit të ndalimit të lëvizjes së tifozëve nga Kroacia, për ndeshjen kundër AEK-ut, në OPAP Arena./TCH

Ora 14:39
U shty për shkak të vrasjes së tifozit, UEFA vendos kur luhet AEK - Dinamo Zagreb


UEFA njoftoi shtyrjen e ndeshjes së AEK-ut të Athinës kundër Dinamo Zagrebit. Federata Evropiane sqaroi se kushtet e krijuara pas incidenteve të dhunshme mes tifozëve në Athinë dhe vdekjes së një 29-vjeçari nuk lejojnë zhvillimin e ndeshjes për raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndaj do të shtyhet në datën 18 ose 19 gusht.

Sa i përket ndeshjes në Zagreb, ajo do të zhvillohet normalisht në datën 15 gusht. Ndër të tjera, UEFA thekson: “Pas shpërthimit të dhunës së djeshme dhe pas konsultimit me autoritetet lokale, UEFA ka vendosur që nuk ka kushte të përshtatshme për zhvillimin e ndeshjes.

Ndeshja Dinamo-AEK do të zhvillohet si zakonisht më 15 gusht. Jemi në kontakt me dy klubet për të konfirmuar datën e ndeshjes AEK-Dinamo, ose të premten, më 18 të muajit gusht, ose të shtunën, më datë 19. Ndalimi i lëvizjes së tifozëve kundërshtarë në shtetet respektive mbetet në fuqi", njofton UEFA.

Ora 13:49
Huliganët kroatë i vranë të birin, nëna e 29-vjeçarit pëson infarkt! Telefonoi të afërmit për ndihmë

Përleshja e huliganëve të AEK-ut dhe Dinamos së Zagrebit mbrëmjen e djeshme në Athinë ka lënë pas një viktimë. 29-vjeçari Mixalis K. u godit me thikë nga disa tifozë kroatë, teksa nga plagët e marra ka ndërruar jetë. Drama e familjes së viktimës nuk mbaron këtu, pasi e ëma e 29-vjeçarit me të marrë vesh lajmin ka pësuar një parainfarkt.

Nëna e tij u shfaq në spital me simptoma të atakut kardiak, kjo pasi mësoi lajmin e hidhur. Pas procesit tragjik të identifikimit të djalit, gruas iu shfaqën simptoma që sugjerojnë infarkt, si dhimbje gjoksi, shqetësime, tendencë për të fikët etj. Ajo do të qëndrojë në spital për arsye parandaluese.

Mësohet se viktima para se të jepte frymën e fundit ka marrë në telefon një të afërm për t’i kërkuar ndihmë për ta marrë nga vendi i ngjarjes. I afërmi i të riut fatkeq ka marrë një telefonatë nga 29-vjeçari rreth orës 03:00 të mëngjesit të datës 8 gusht.

Për sa i përket të plagosurve, sipas burimeve të Kryqit të Kuq në Athinë, numri i tyre është nëntë.

Ora 13:20
Kroatët me 'kalin e Trojës' në Athinë, ministri shkarkon zinxhirin e policisë: Si na sulmuan këtu?!

Nëse Odiseu mijëra vjet më parë ndihmoi athinasit që të merrnin Trojën dhe t'i jepnin fund luftës 10-vjeçare, duke lënë një "kal druri" në barkun e të cilit "kishte luftëtarë" grekë; tanimë duket se tifozët e AEK-ut e kanë pasur armikun brenda në qytet.

Dueli i turit të tretë të Champions League mes AEK-ut dhe Dinamos së Zagrebit që do duhej të luhej sot në Athinë, u shty nga UEFA, kjo për shkakun e bilancit të luftës dhe terrorit mes grupimeve ultrase, që e kthyen kryeqytetin grek në arenë përleshjes, duke lënë pas një të vdekur, gjashtë të plagosur dhe 98 të arrestuar.

Ministri grek i Mbrojtjes, Janis Oikonomou konfirmoi se shtatë zyrtarë të lartë të policisë janë shkarkuar menjëherë nga detyra, kjo për shkak se tifozët nga Zagrebi nuk do duhet të ishin futur në Greqi.

Ministri i Mbrojtjes Janis Oikonomou konfirmoi informacionin. Ai shprehu ngushëllimet e tij për tifozin e ndjerë të AEK-ut dhe deklaroi se hetimi nuk përfundon këtu dhe se ndoshta do të ketë shkarkime të tjera. Ai beson se është i papranueshëm fakti që tifozët kroatë jo vetëm të hyjnë në Athinë, por të arrijnë deri në stadium pa eskortë dhe të shkaktojnë një përleshje në të cilën kanë marrë pjesë deri në 300 persona.

"Kalimi i tifozëve të Dinamo Zagrebit përtej kufijve tanë, udhëtimi i tyre përmes Greqisë dhe mbërritja në vendngjarje janë krejtësisht të papranueshme. Nuk kam fjalë për një lëshim të tillë. Edhe pse policia veproi shpejt në kapjen e huliganëve, 98 prej tyre, ata dështuan të parandalonin sulmin", tha Oikonomou.

E duket se tifozët e Dinamos së Zagrebit kishin brenda "Kalin e Athinës", me tifozët e Panathinaikos që ndihmuan ata kroatë, kjo për shkak të rivalitetit me AEK-un në qytet. Në fund ishte një pjesë e Athinës që pa kaos dhe dhunë, si edhe djegie. Ndryshe nga Troja mijëra vite më parë (nëse i referohemi mitologjisë), tanimë Athina u pa në flakë.

Ora 13:05
Habia e policisë greke! Shkojnë të arrestojnë huliganët e Dinamos, gjejnë ata të Panathinaikos

Ndeshja e turit të tretë kualifikues të Champions League mes AEK-ut dhe Dinamos së Zagrebit e programuar për t'u zhvilluar mbrëmjen e kësaj të marte në Athinë është shtyrë, kjo për shkak se huliganët e dy skuadrave u përleshën mbrëmjen e së hënës në kryeqytetin grek, duke lënë pas një viktimë vetëm 29 vjeç, më shumë se gjashtë të lënduar dhe 96 të arrestuar.

Kaosi shpërtheu mbrëmjen e djeshme, kur më shumë se 120 tifozët të Dinamos kishin udhëtuar nga Zagrebi për këtë duel, edhe pse nuk do duhet të kishte tifozë miq, kjo për shkak se ishte projektuar diçka e tillë.

Në kushtet kur errësira "mbuloi gjurmët", tifozët e Dinamos nisën të sulmonin këdo që u dilte para në afërsi të "Nea Philadelphia", stadiumit të AEK-ut. Thika, shkopinj, karrige dhe bomba molotov u përdorën në një interval të shkurtër kohe, me bilancin që ishte i denjë për një sulm lufte.

Policia në Athinë reagoi me shpejtësi, teksa nuk mund të mos mbeteshin të befasuar. Në momentin kur nisën arrestimet, veç tifozëve të Dinamos së Zagrebit, së bashku me ta ishin edhe ata të Panathinaikos, rivalit të AEK-ut në Athinë.

Duket se "Bad Blue Boys" nga Zagrebi kishin edhe mbështetjen e vendasve, teksa kanë një marrëdhënie të mirë me ata të Panathinaikos.

Ora 12:14
'Derbi i Ballkanit' me një të vdekur, reagon AEK-u: Dinamo ishte në dijeni, fajtor së bashku me policinë

Athina u terrorizua mbrëmjen e djeshme nga përleshjet e tifozëve të AEK-ut dhe miqve të Dinamos së Zagrebit. Dueli i Champions League i programuar për mbrëmjen e sotme u anullua nga UEFA, ndërsa një tifoz i grekëve mbeti i vdekur dhe 96 të tjerë u arrestuan ose u lënduan.

Në lidhje me këto ngjarje që nuk i kanë hije një kryeqyteti evropian, ka reaguar edhe klubi i AEK-ut të Athinës. Verdhezinjtë fajësojnë policinë dhe klubin e Dinamos së Zagrebit për përgjakjen e "Derbit të Ballkanit".

Përfaqësuesit e AEK-ut u larguan të zemëruar nga takimi i mëngjesit të sotëm me UEFA-n, ku akuzuan ashpër Dinamon dhe policinë, raportojnë mediat greke. Drejtori i AEK-ut, Giorgos Kosmas tha se “është e paimagjinueshme që ai të jetë në të njëjtin vend dhe të flasë me njerëz nga klubi i Zagrebit që dinin për karvanin e tifozëve të tyre, i cili erdhi pavarësisht ndalimit të UEFA-s”.

Kosmas ka akuzuar Dinamon dhe policinë përgjegjëse për ngjarjen. “Ata dinin gjithçka dhe e lejuan të ndodhte. Do të ishte e pamendueshme, e pahijshme dhe e pamoralshme të luhej një ndeshje pas vrasjes së një tifozi”, shtoi drejtori i AEK-ut.

Ora 10:28
Një i vdekur dhe 96 të arrestuar, UEFA shtyn ndeshjen e Champions League

ATHINË - Është shtyrë ndeshja e turit të tretë kualifikuese të Champions League mes AEK-ut të Athinës dhe Dinamo Zagrebit pas një vendimi të UEFA-s, programuar për të luajtur mbrëmjen e kësaj të marte. Organi evropian i futbollit e ka marrë këtë vendim pasi mbrëmë pati përleshje të mëdha mes tifozëve të Dinamo Zagrebit dhe AEK në Athinë, nga të cilat një tifoz 22-vjeçar i AEK-ut mbeti i vdekur dhe u arrestuan 96 ultras. UEFA e mori këtë vendim për normalizimin e situatës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?