Tirana dhe Dinamo luajnë të diel në orën 17:00 për raundin e 27-të në Superligë. "Derbi i kryeqytetit", që vetëm emri i ka mbetur i tillë, do të zhvillohet në stadiumin "Elbasan Arena". Përpara ndeshjes për mediet folën edhe dy trajnerët, Ilir Daja dhe Bledi Shkëmbi.
Daja sheh rivalët më të favorizuar pasi të tijtë luajtën në mesjavë 120 minuta, aty ku siguruan gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.
“Derbi nuk ka të bëjë gjendjen e ekipeve, pavarësisht se Tirana ka objektiv për të shpëtuar nga pozicionet e rënies dhe ne për të vazhduar rrugëtimin në 4-she. Tirana është pak më e favorizuar se ne, pasi Dinamo ka luajtur në mesjavë.
Derbi është një ndeshje që luhet për tifozë, për ne trajnerët është problem vetëm menaxhimi, që lojtarët të mos kalojnë në atë presion që e ka derbi në vetvete. Si dhe për të ruajtur ekuilibrat, sepse derbit fitohen nga episodet. Kemi pasur probleme të vogla me disa lojtarë, por që besoj se do të jenë në dispozicion. E vetmja mungesë është Maliqi për shkak dëmtimi", tha Ilir Daja.
Për Bledi Shkëmbin dhjetë ndeshjet e mbetura të Tiranës janë të gjitha finale dhe e para është kundër Dinamos.
"Duhet të jemi në maksimumin tonë. Pozitat nuk janë të favorshme. Paçka kundërshtarëve, ky kampionat po na tregon se nuk ka ndonjë diferencë nga kundërshtarët, mund të të mundë edhe ajo skuadër që ti e mendon si më të dobët. Dinamo? Është një skuadër shumë e fortë, ka bërë mirë, ka moral sepse u kualifikua në Kupë me përmbysje.
Ne duam që të jemi të gjithë në maksimum dhe këtë po bëjmë gjithë javës. Kemi gjendje të mirë në ekip, jemi më të plotë. Abel Abah vuan një problem në gju, pjesa tjetër është në rregull. Për pozitat ku jemi ne duhet të bëjmë më shumë për ta fituar ndeshjen. Kam folur me futbollistët dhe nuk ka justifikim, të paktën nga ana psikologjike. Na presin dhjetë ndeshje finale, e para me Dinamon", tha Shkëmbi.
Pas 26 javëve të luajtura, Dinamo me 44 pikë ndodhet në pozitën e tretë, ndërsa Tirana me vetëm 26 pikë mban vendin e parafundit (9) dhe rrezikon seriozisht mbijetesën.
Komente
