Të premte në orën 19:00 e gjithë vëmendja do jetë në 'Air Albania', pasi për javën e gjashtë të Superligës luhet dueli mes Partizanit dhe Tiranës. Dy skuadrat vijnë nga një moment jo i mirë, teksa në ndeshjet e fundjavës së shkuar pësuan humbje. Për momentin klubet ndodhen në zonën e mbijetesës dhe derbi shihet si shpëtim.
Në prag të ndeshjes, për mediet foli trajneri i Partizanit, Mladen Milinkovic. Serbo-boshnjaku thotë se është koha që ekipi i tij të tregojë fytyrën e vërtetë.
"A është kjo ndeshje vendimtare për të ndryshuar?
Përpara nesh është një ndeshje shumë e rëndësishme. Ne kemi vetëm 4 pikë. Është koha për të treguar fytyrën e vërtetë. Patjetër ngaqë është derbi, të gjithë besoj do jenë të motivuar për këtë ndeshje. Pres atmosferë shumë të mirë, luajmë në stadiumin më të mirë në vend. Të gjitha më japin shpresën se lojtarët do jenë shumë më mirë se në ndeshjet e fundit. Gjithashtu shpresoj që të kuptojnë se Partizani është klub i madh dhe nuk mund të luash aty dhe të kesh oshilacione të shumta.
A është sfidë edhe në aspektin personal?
Për ne më e rëndësishmja është fitorja nesër. Statistikat janë të dobëta. Kemi analizuar dhe patjetër që do përmirësohen. Duhet të kemi më shumë posedimin ose kontrollin e lojës. Në këtë formë të kontrollojmë dhe të krijojmë pak më shumë.
Si vjen Partizani në këtë sfidë dhe sa besoni te fitorja?
Besoj shumë. Nëse shikoni rezultatet nuk jemi në pozicion të mirë. Besoj se në futboll në çdo ndeshje të re çdo gjë mund të ndryshojë. Kundër Elbasanit isha i kënaqur me ekipin. Nuk isha i lumtur se nuk fituam, por krijuam shumë raste të cilat nuk arritëm t’i realizojmë. Në Ballsh mbase ishte ndeshja më e keqe se e sezonit për ne. Këto gjëra ndodhin në futboll, nuk jemi të lumtur me vetëm 4 pikë dhe shumë larg objektivit kryesor. Kur punon në futboll, duhet të besosh te puna dhe lojtarët e tu dhe me 2-3 rezultate pozitive gjërat ndryshojnë. Për ne hapi i parë është nesër të japim maksimumin për 3 pikët.
A iu ndjekin lojtarët?
Besoj se më ndjekin, por ndoshta nuk janë në formën më të mirë. Nëse kam ndjesinë që dikush nuk më ndjek apo të më ndihmojë, e ndryshoj menjëherë.
A jeni i kënaqur me barazimin?
Varet nga ndeshja. Mund t’ju tregoj pas ndeshjes. Normalisht që nuk jam i lumtur.
Më i ngarkuar është trajneri apo drejtori Arbëri?
Nga dita e parë që erdha thashë se ndihem me më shumë me përgjegjësi se presion. E di se shumë gjëra janë në duart e mia dhe varen nga unë, edhe pse në futboll filozofia është që çdo gjë varet nga lojtari, por jam unë që i zgjedh në fushë. Përsa i përket presionit mendoj se është normale dhe rrugëdalja e vetme që të punosh dhe mundohesh të dalësh nga kjo situatë", tha mes të tjerash trajneri Mladen Milinkovic.
Pas javës së pestë, Partizani me katër pikë (një fitore) mban vendin e tetë, ndërsa Tirana me vetëm dy pikë (asnjë fitore), ndodhet në vendin e fundit (10).
Komente
