Xhaferr Peci ne nje vizite ne Kine

Dosje

Dëshmia e rrallë e ish-komandantit të Gardës së Republikës: Ç'ndodhi mëngjesin e 18 dhjetorit 1981, kur vdiq Mehmet Shehu...ja ç'më tha Kadri Hazbiu

2 Gusht 2021, 08:03| Përditesimi: 2 Gusht 2021, 10:58

  • Share

Memorie.al publikon historinë e panjohur të kolonel Xhaferr Peçit me origjinë nga fshati Kuç i Kurveleshit të Vlorës, pinjoll i një prej familjeve të njohura të asaj zone, e cila gjatë periudhës së pushtimit të vendit (1939-1944), u angazhua e gjitha me Luftës Antifashiste, ku Xhaferri me të atin dhe katër vëllezërit, morën pjesë aktive  në formacionet partizane të rrethit të Vlorës dhe në Brigadën e Përë Sulmuese të Mehmet Shehut, ku ai u emërua me detyrën e zv/komandantit të Batalionit të parë të komandaur nga Tahir Kadareja. Dërgimi i Xhaferrit në Bashkimin Sovjetik menjëherë pas mbarimit të Luftës, ku ai fillimisht  mbaroi një shkollë të ulët për oficer dhe më pas u diplomua në Akademitë Ushtarake “Frunze” dhe “Voroshillov”, pas së cilave u kthye në atdhe dhe  deri në vitin 1972, shërbeu me detyrën e komandantit të brigadës në rrethet e Korçës, Shkodrës dhe në Tiranë, pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, në Drejtorinë e Operative të Ushtrisë. Emërimi i  Xhaferrit në detyrën e komandantit të Gradës së Republikës në vitin 1972, ku ai shërbeu me devocion e besnikëri Enver Hoxhës e gjithë udhëheqjes së lartë deri në qershorin e vitit 1982, kur, me porosinë e Ramiz Alisë, ai u thirr nga Drejtori  Kuadrit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Mihal Bisha, i cili i komunikoi largimin nga ajo detyrë, pasi udhëheqja e lartë dyshonte te ai, si njeri i afërt me ish-kryeministrin Mehmet Shehu!

“Nata e 17 dhjetorit për ne ishte një natë e zakonshme shërbimi si të gjithë netët e tjera. Të nesërmen në mëngjesin e datës 18-të, aty rreth orës 8.30, më njoftoi një nga oficerët e mi, se duhet të nisesha urgjent pasi më kërkonte Xhule Çiraku zv / Ministri i Brendshëm. U nisa menjëherë me makinën time dhe kur vajta para vilës së Mehmet Shehut, gjeta aty Ministrin e Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiun, Llambi Ziçishtin, (Ministri Shëndetësisë) dhe Xhule Çirakun. Menjëherë porsa takova Kadriun me Xhulen, ata më thanë: ‘Mehmet Shehu ka vrarë veten, por mos njofto deri sa ta sqarojmë’. Kështu e kujtonte në mes të tjerash ish – Komandanti i Gardës së Republikës, Xhafer Peçi, (i diplomuar tre herë në Akademitë e Bashkimit Sovjetik), ngjarjen e shumëpërfolur të 18 dhjetorit të vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet pa jetë në dhomën e vilës së tijë.

Zoti Xhaferr, kush ju emëroi komandant të Gardës së Republikës dhe përse u përzgjodhët ju në atë detyrë mjaft delikate?

Në shtatorin e vitit 1972, më thërriti Hysni Kapo (anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së) në zyrën e tij dhe më tha se kishte dëshirë të më emëronte si Komandant i Gardës së Republikës, në vend të Zija Kambos, ish-gjeneralit të njohur. Pas kësaj, siç ishte zakoni për ne komunistët, unë i thashë se: isha gati të punoja atje ku e kërkonte interesi i Partisë dhe atdheu. Mbas disa ditësh, erdhën Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi dhe anëtari i Byrosë Politike, Rita Marko dhe më prezantuan para efektivit të Gardës së Republikës.

A kishte dijeni Enver Hoxha, për emërimin tuaj në atë detyrë,  ishte marrë mendimi i tij për kandidaturën tuaj si komandant i Gardës së republikës?

Them se ajo gjë ishte bërë me dijeninë dhe aprovimin e Enver Hoxhës, i cili më njihte personalisht që nga koha e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur ishim bashkë në Vithkuq të Korçës. Po kështu dhe me kryeministrin Mehmet Shehu, kisha njohje personale që kur isha në Brigadën e pare Sulmuese që nga dita e inagurimit në Vithkuq të Korçës në gushtin e vitit 1944.

Përse u zgjodhët pikërisht ju në atë detyrë?

Zgjedhja ime në atë detyrë u bë për disa arsye: ku më kryesorja ishte përgatitja ime ushtarake, pasi isha diplomuar në shkollat dhe akademitë ushtarake të ish-Bashkimit Sovjetik, e gjithashtu kisha një karrierë ushtarake duke komanduar disa Brigada. Po kështu, u pa dhe prejardhja patriotike e familjes time, e cila ishte e lidhur e gjitha me Luftën dhe vëllai im, Balili, ishte ‘Dëshmor i atdheut’. Të gjitha këto ishin garanci që i kërkonte ai funksion në atë kohë.

Si funksiononte Garda e Republikës në atë kohë që morët ju detyrën e komandantit?

Garda e Republikës funksiononte sipas sistemit sovjetik. Pas ngjarjeve të Çekosllovakisë në 1968-ën, ajo u riorganizua krejtësisht me sistem të ri. Në atë kohë, Garda u pajis me teknikë të re dhe moderne të kohës, e cila na erdhi nga Republika Popullore e Kinës, si: tanke dhe artileri kundërajrore etj.

Çfarë shërbimesh mbulonte Garda dhe si funksiononin ato?

Detyra kryesore që kishte Garda, ishte ruajtja e shoqërimi i udhëheqjes së lartë në “Bllok”-un e udhëheqjes dhe në vilat e tyre të pushimit, si në Dajt, Durrës, Pogradec, Vlorë, Lezhë etj. Për sigurimin e “Bllok”-ut në Tiranë, përdorej ky sistem mbrojtje: Rrethimi i parë ishte me shtëpitë private dhe pallatet ku banonin kryesisht njerëz shumë të besuar, që mbanin funksione të rëndësishme partiake e shtetërore dhe pjesa tjetër që banonte aty, ishin nga të Drejtorisë së Dytë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (Sigurimi i udhëheqjes). Shërbimin ata e kryenin me uniformë civile. Këta ishin dhe shoqërues të personaliteteve të larta, kur ata lëviznin jashtë Tiranës. Rrethimi i dytë përbëhej me ushtarë dhe oficerë të cilët ishin të armatosur. Mbas këtyre ishte dhe një rrethim i tretë, që përbëhej me oficerë të përgatitur, të cilët kryenin shërbimin me uniformë civile. Këta vëzhgonin të gjitha lëvizjet e hyrje-daljet e njerëzve në periferinë e “Bllok”-ut. Një pjesë e tyre zinin pozicione në lartësitë dominuese, si në tarracat e çatitë e pallateve të larta që shikonin nga “Bllok”-u. Të trija këto struktura të shërbimit, koordinonin dhe bashkëvepronin me njeri-tjetrin, si natën ashtu dhe ditën. Ndërsa për të siguruar “Njëshin” dhe “Dyshin” (Enverin dhe Mehmetin), pranë tyre ndodheshin dhe grupet e shërbimit, të cilët mbanin lidhje të ngushta me shërbimet e Gardës me ndërlidhje (radio-telefon-vizual).

Kush i komandonte shërbimet e “Njëshit” dhe “Dyshit”?

Shërbimet e “Njëshit” dhe “Dyshit” komandoheshin nga Sulo Gradeci dhe Ali Çeno. Po kështu për të siguruar jetën e “Njëshit” dhe “Dyshit” brenda shtëpive të tyre dhe në zyrat e punës, kishte nga një derë sekrete që lidhej me vend-strehimet mbrojtëse, në rast të ndonjë goditje të befasishme që mund të vinte. Këto vend-strehime, ruheshin në daljet e tyre, që zakonisht ishin në lulishtet dhe në oborret e vilave, me ushtarë të armatosur. Për t’i kontrolluar ato vend-strehime, kisha të drejtë vetëm unë, si komandant i Gardës së Republikës dhe asnjë tjetër.

Po përveç atyre vend-strehimeve, Enveri dhe Mehmeti, a kishin të tjera jashtë “Bllok”-ut?

Në ndonjë rast agresioni, që udhëheqja e lartë e PPSH-së nuk mund të rrinte në “Bllok”, ajo kishte vend-strehime të tjera jashtë Tiranës, të cilat ishin tepër modern, ku mund të rrinte shumë gjatë, me të gjitha kushtet e nevojshme.

Si vepronit ju si komandant i Gardës së Republikës, kur Enveri ose Mehmeti lëviznin jashtë Tiranës?

Kur Enveri ose Mehmeti duhet të lëviznin jashtë Tiranës, krijohej një shtab, i cili kryesohej nga një zv / ministër i Punëve të Brendshme. Unë isha anëtar i këtij Shtabi dhe i shoqëroja gjithmonë ata, në të gjitha lëvizjet që bënin. Për lëvizjen e “Njëshit” dhe “Dyshit” njoftohesha fillimisht nga Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, i cili më jepte të gjithë planin e lëvizjes së tyre. Pas kësaj, gjëja e parë që bëhej, ishte sigurimi i plotë i rrugëve, urave dhe shesheve ku do të kalonin ata. Unë thirrja të gjithë Kryetarët e Degëve të Punëve të Brendshme të rretheve nga do të lëviznin dy udhëheqësit kryesorë dhe i pyesja se cilat ishin pikat më delikate që do ruheshin, duke u mbuluar me shërbim. Kishte shumë raste kur shumë nga njerëzit që ishin të dyshimtë dhe me probleme biografike, për të mos i lënë të shkonin në mitingjet e Enverit dhe Mehmetit, i izolonin, duke ju caktuar punë të ndryshme atje ku punonin dhe mbaheshin nën kontroll të plotë. (Është thënë shpesh, se shumë prej tyre shoqëroheshin dhe ndaloheshin në dhomat e izolimit të Degëve të Punëve të Brendshme, për aq ditë sa zhvillohej aktiviteti, e më pas liroheshin, por unë nuk jam i sigurtë për këtë gjë, se me ato punë merreshin shokët e rretheve).

Po kur ata shkonin me pushime jashtë Tiranës, në vilat që ata kishin në disa rrethe të vendit?

Kështu bëhej edhe ruajtja e tyre kur ata shkonin me pushime jashtë Tiranës. Zakonisht Enveri pushimet i bënte në Vlorë, Pogradec, Dajt e Durrës.

Sipas asaj që kishit konstatuar ju në atë kohë, kush ishte njeriu më i afërt i Enverit nga “shokët” e udhëheqjes?

Hysni Kapo ishte njeriu më i afërt i Enverit dhe pas tij vinte Mehmeti.

Pushimet, me Hysniun dhe Mehmetin i bënte Enveri?

Enveri, në raste të rralla i bënte pushimet me këta të dy, pasi ai pushonte kryesisht me Ramiz Alinë. Ndoshta kjo gjë edhe për shkak të punës dhe funksionit që mbante Ramizi, si sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, pasi Enveri e udhëzonte Ramizin për shumë gjëra në lidhje me detyrën e tij. Mbaj mënd njëherë kur Enveri pushonte në Vlorë, e thërriti Ramizin nga Tirana për ta udhëzuar për një artikull për “Botën e Tretë” që u botua të nesërmen në gazetë.

E kujtoni kur e keni shoqëruar Enver Hoxhën për herë të parë jashtë Tiranës?

Për herë të parë Enverin e kam shoqëruar në pranverën e vitit 1972, në udhëtimin e gjatë që ai bëri në Veri të Shqipërisë. Pas kësaj e kam shoqëruar atë në të gjitha lëvizjet jashtë Tiranës.

 

Po për ta takuar për problem të punës suaj, a keni pasur raste?

Kishte raste kur Enveri më thërriste e bisedonim së bashku, kuptohet për problemet e punës sime si komandant i Gardës. Kështu mbaj mend njëherë, kur ishim te vila në malin e Dajtit, më thirri e më pyeti se si kishim kaluar në festën e Brigadës së Parë Sulmuese, që u bë në Vithkuq të Korçës. Unë i tregova se atje erdhi Mehmet Shehu dhe kaluam shumë mirë.

Gjatë dhjetë vjetëve që unë isha Komandant i Gardës, nuk ka pasur asnjë tentativë për ta vrarë Enver Hoxhën”

Si e kujtoni natën e 18 dhjetorit të vitit 1981, kur u gjet i vrarë Mehmet Shehu?

Atë ngjarje e mbaj mënd shumë mirë, sepse prej saj erdhi dhe largimi im nga Garda e Republikës. Natën e 17 dhjetorit ’81, shërbimet në “Bllok”-un e udhëheqjes vazhdonin normalisht. Lajmin e vrasjes unë e mora të nesërmen në mëngjesin e 18 dhjetorit, rreth orës 8.30, kur më njoftuan oficerët e mi, duke më thënë të shkoja shpejt, aty se më kërkonte Xhule Çiraku, zv / Ministri i Brendshëm. Sapo u mor vesh lajmi i vrasjes së Mehmetit, të parët që shkuan aty ishin: Kadri Hazbiu e Ramiz Alia.

Si e pritët atë lajm, nisur dhe nga fakti se me kryeministrin Mehmet Shehu, ju kishit njohje që nga periudha e Luftës?

Menjëherë sapo u njoftova për sa kishte ndodhur, u trondita shumë, sepse me Mehmetin kisha marrdhënie shumë të mira. Urgjent me makinën time shkova përpara vilës së tij, ku takova Kadri Hazbiun, Xhule Çirakun dhe Llambi Ziçishtin, Ministrin e Shëndetësisë. Kadriu me Xhulen më thanë që të mos njoftoja asnjë për ngjarjen, sa të sqarohej situata. Menjëherë pas asaj dhashë urdhër që të përforconim shërbimet dhe të kalonim në gatishmëri të lartë.

A pyetët njeri lidhur me ngjarjen që kishte ndodhur?

Gjatë kohës që po prisja aty në oborrin e vilës, pyeta Ali Çenon, truprojën dhe komandantin e grupit të shoqërimit të Mehmetit, i cili më tha: ‘Ne nuk kemi dëgjuar gjë, asnjë krismë, por po presim se çfarë do të na thonë, se si ka ndodhur puna’. Në orën 9.30 Ramizi me Kadriun shkuan në mbledhjen e Byrosë Politike, e cila kishte filluar që një ditë më parë dhe ishte lënë që të vazhdonte dhe atë ditë. Para ikjes, Kadriu na tha që të forconim shërbimet, e të vazhdonte ekspertiza mjeko-ligjore. Ai sakaq ishte shumë i tronditur. Në ato momente, ne pamë Enverin, i cili doli nga vila e tij dhe po shkonte për në mbledhjen e Byrosë Politike me kokën ulur.

Gjatë asaj kohe që ishit ju aty, kush u fut në vilën e Mehmetit?

Brenda në vilë ku ishte Mehmeti i vdekur, u futën Llambi Ziçishti me njerëzit e tij dhe na thanë se vetëvrasja kishte ndodhur rreth orës 03.00 të natës.

Morët ndonjë udhëzim nga udhëheqja e lartë apo Ministria e Brendshme, lidhur me shërbimin që duhet të bënte Garda e Republikës pas asaj që kishte ngjarë?

Erdhi zv / ministri i Brendshëm, Raqi Iftica dhe me porosi të ministrit Hekuran Isai, më tha që të mblidhja oficerët e ushtarët e Gardës dhe t`u komunikoja se: Mehmet Shehu ishte vetëvrarë.

Për ceremoninë e varrimit, a u angazhua Garda e Republikës?

Po, patjetër që u angazhuam. Të nesërmen u bë varrimi i tij nën kujdesin e Kiço Kasapit, Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, ku unë i dhashë dhjetë ushtarë për ta ndihmuar në problemet e varrimit.

Është thënë se Kadri Hazbiu natën e 18 dhjetorit ka shkuar tek Mehmeti?

Unë nuk e di dhe nuk mund të them gjë për këtë. Unë e di se natën e 17 dhjetorit, Kadri Hazbiu së bashku me disa shokë të tjerë, oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, ka qenë në një darkë në Laprakë, tek ish sekretari i tij Hiqmeti. Aty në atë sebep, ata kanë qëndruar deri në ora 01.00 të natës dhe më pas janë larguar për në shtëpitë e tyre. Unë nuk e di dhe nuk mund të them gjë, se ku ka shkuar Kadri Hazbiu mbas asaj darke.”

Pas asaj ngjarje deri kur qëndruat si Komandant i Gardës?

Unë vazhdova detyrën time si Komandant i Gardës së Republikës, deri në qershorin e vitit 1982, kur më thirri Mihal Bisha, (Drejtori i Drejtorisë së Kuadrit të Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili më tha se: me porosi të Ramiz Alisë, do të lëvizja nga ajo detyrë, sepse kisha mbushur moshën.

Si reaguat ju pas kësaj?

Unë ju drejtova Mihalit, duke i thënë: Dhe Ramiz Alia e ka mbushur moshën, se moshatar me mua është, po ai pse nuk del në pension?!

Si i’u përgjigj ai?

Mihali më tha se kishin menduar për mua, që të shkoja këshilltar i Hekuran Isait dhe kërkonte mendimin tim. Po kështu, ai më pyeti se kë mendoja që të zinte vendin tim, pasi ishin dy kandidatura, Dane Binja dhe Enver Pata. Unë i rekomandova Danen, i cili dhe u emërua komandant i Gardës në vendin tim.

Pse e refuzuat detyrën si këshilltar i ministrit, Hekuran Isai?

Refuzova propozimin për të shkuar si këshilltar i ministrit Hekuran Isai, pasi e dija shumë mire, se mua po më hiqnin si njeri i afërt i Mehmet Shehut, që nga koha e Luftës. Për këtë gjë, Ramiz Alia me Hekuran Isain, dyshonin tek unë dhe pas meje, ata hoqën edhe të gjithë kuadrot e tjerë, që ata mendonin se kishin pasur lidhje të afërta apo të largëta, me Mehmet Shehun.

Pasi u larguat nga ajo detyrë, a patët ndonjë problem dhe si u trajtuat?

Pas lirimit tim, për një kohë të gjatë jam survejuar rregullisht nga Sigurimi i Shtetit, pasi udhëheqja e lartë e PPSH-së, trembej nga ne ushtarakët e lartë, që kishim pasur lidhje me Mehmetin, se çdo bënim…!?”

Kush ishte Xhaferr Peçi, konoleni që u diplomua në tre akademi të ish-Bashkimit Sovjetik?

Xhaferr Peçi ka lindur në vitin 1926 dhe ai rrjedh nga një familje tepër e njohur nga fshati Kuç i krahinës së Kurveleshit të Vlorës. Gjyshi i tij, Balil Peçi, ka marrë pjesë në luftërat kundër turqëve në vitin 1847, së bashku me Zenel Gjolekën e famshëm. Po kështu babai i Xhaferit, Metua, ka qenë komandant i çetës së Kuçit dhe ka luftuar kundër andartëve grekë në vitet 1912-‘13-të, në mbrojtje të fshatrave të bregut. Nga kjo gjë, në vitin 1913-të andartët grekë dogjën Kuçin dhe shtëpinë e Metos i cili u largua familjarisht, për në zonën e Mesaplikut. Po kështu në vitin 1920, Meto Peçi luftoi kundër forcave italiane. në krye të çetës së Kuçit, (i caktuar nga Komiteti i Çlirimit të Vlorës) dhe pas asaj lufte, ai parakaloi në “Sheshin e Flamurit” në krye të çetës. Kur Fan Noli erdhi në fuqi në 1924-ën, e emëroi Meton komandant të zonës, me qendër në Brataj. Në 7 prill 1939, Metua dërgoi dy djemtë, Hasanin e Tekiun, për të luftuar në Vlorë. Familja e Metos u lidh e gjitha me Lëvizjen Antifashiste dhe të pesë djemtë e tij: Tekiu, Balili, Aliu, Xhaferi e Iljazi, së bashku dhe me dy nipat, Zigurin e Lulon, u inkuadruan në brigadat partizane të Enver Hoxhës dhe Balili (komandant batalioni në Brigadën e 6-të) me tre nipa të kësaj familje, (Istref Gjoliku, Mit`hat Goxhaj e Ali Çela) u vranë në luftë në përpjekje me forcat pushtuese dhe pas vitit 1944, u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”. Vetë Xhaferi, pas takimit me Hysni Kapon e Vehbi Hoxhën në 1942-in, u caktuar me punët e rinisë dhe në qershor të atij viti, ai u inkuadrua me çetën e Kuçit, që komandohej nga Bexhet Mema e Mustafa Matohiti. Gjatë asaj periudhe, Xhaferi morri pjesë në disa aksione që zhvilloi ajo çetë në fshatin Gusmar dhe Luftën e Gjormit, ku ai luftoi së bashku me vëllezërit, e babanë e tij. Me krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese të komanduar nga Mehmet Shehu, Xhaferi u caktua aty, duke marrë pjesë në të gjitha betejat dhe në fund të Luftës, arriti deri zv / komandant i batalionit të pare, që komandohej nga Tahir Kadareja. Pas mbarimit të Luftës, Xhaferi u emërua  me detyrën e zv / komandantit të Brigadës Ushtarake në qytetin e Vlorës dhe në vitin 1947, u dërgua për studime në Bashkimit Sovjetik, ku u diplomua në një shkollë ushtarake që nxirrte oficerë të rinj. Pasi u kthye në Shqipëri, a u dërgua për studime dhe dy herë të tjera në Bashkimin Sovjetik, duke u diplomuar me rezultate të larta, në dy akademitë ushtarake: “Frunze” (1951-‘54) dhe “Voroshilov” (1958-‘60). Nga viti 1960, deri në vitin 1972, Xhafer Peçi u emërua dhe shërbeu në detyrën e komandantit të Brigadave në Korçë, Shkodër dhe Tiranë, si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, në Drejtorinë Operative. Në vitin 1972, ai u emërua në detyrën e Komandantit të Gardës së Republikës, duke siguruar dhe ruajtur për dhjet vite, Enver Hoxhën dhe gjithë udhëheqjen e lartë të asaj kohe. Memorie.al

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?