Mosdeklarimni apo nën deklarimi i pagave është fenomeni e vërtetë dramatike që ka prekur çdo hallkë të shoqërisë dhe çdo grupmoshë. Report TV sjell dëshminë e qytetarit, që punën e ka nisur direkt në tregun e zi, dhe për tre vit i është dashur të pranojë kushtet e punëdhënësit.
Qytetari: Prej tre vitesh kam vendosur të punoj, për të paguar shkollimin tim të lartë në tiranë, për të përballuar shpenzimet dhe për të ndihmuar pak edhe familjen. Pjesën më të madhe të punës e kam gjatë sezonit veror por edhe gjatë vitit. Kushtet deri diku ishin të mira, por për pjesën e pagës, nuk na jepnin siguracione që i takojnë një punonjësi. Vitin e parë rrogën e kam marrë të gjithën në dorë. Vitin e dytë e kam marrë pagën një pjesë në dorë dhe një pjesë në bankë. Pjesa më e madhe ishte në dorë, pasi orët shtesë nuk na i quanin fare. Vitin e fundit më siguruan për tetë orë, ndërsa orët e tjera kur punoja 12-16 orë nuk mi quajtën. Dhe një muaj kur mbyllet sezoni nuk na i deklaronin pagat fare, na i jepnin në dorë.
Gazetarja: Aty ku punoje ti, kishe të tjerë që e merrnin rrogën në dorë?
“Po kishte, por kishte edhe persona nën moshë dhe nuk i deklaron me siguracione”, tha ai.
Fshehja e pagës reale të punonjësit, për të mos paguar kontributet ose mos deklarimi fare i tyre, po i shtynë të rinjtë të ikin jashtë.
“Paga është shumë e ulët, niveli i jetesës është shumë i lartë. Është shumë e vështirë të jetosh me një pagë minimale, është qiraja dhe shpenzime të tjera.... sapo të mbaroj studimet, mundësia e parë që do të më jepet do të iki jashtë vendit”
Krim që ndikon të ardhmen e vendit e konsideron eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj mospagimin e kontributeve të plota dhe fshehjen e pagës së punonjësve, e për pasojë po shtyn njerëzit drejt emigrimit ndërkohë që po thellon deficitin e skemës së pensioneve.
“Këtu flasim për evazion këtu flasim për krim pasi në disa raste është edhe krim të mos deklarosh, por kjo në Shqipëri nuk bëhet me ashpërsim ligjesh, por duhet lehtësuar barrën fiskale sepse do të kemi edhe rritje të konsumit dhe është një efekt zinxhir. Duke u larguar njerëzit kemi një plakje të popullsisë, dhe do të thotë që do të kemi më shumë pensionistë sesa kontribuues”, thotë Danaj.
Pasojat e kësaj shkelje me mos deklarim të plotë, po i vuajnë sot qytetarët, të cilët po përballen me pension minimal që nuk ju plotëson kushtet minimale të jetesës.
“Kur unë isha në punë, paret i merrnim në dorë. Isha i kënaqur, punoja në ndërmarrjen e montimeve në Tiranë, dhe isha i kënaqur. Pensioni më doli qesharak. Me 125 mijë lekë (të vjetra) a mund të jetosh? I fshehin pagat dhe sot, ka shumë njerëz që thonë se i paguajnë punonjësit dhe nuk i paguajnë pastaj. Duhet kontroll, po nuk pati kontroll asnjë gjë nuk ecën”, thotë qytetari.
Fenomeni po thellohet. Fakt i pranuar nga ekspertë por edhe sindikata që mbrojnë të drejtat e punonjësve.
“Ky fenomen sa vjen dhe shtohet fatkeqësisht. Shkaku i parë është rritja e menjëhershme që ju bë rrogave dhe një pjesë e punëdhënësve ishin të papërgatitur dhe po përpiqen të gjejnë shtigje për ti shpëtuar ligjeve për të mos deklaruar pagat reale. Së dyti është kultura e dobët që kemi ne në aspektin fiskal dhe në atë të formalizimit. Kultura e punëdhënësve dhe e punëmarrësve lë për të dëshiruar sepse mjaftohen ‘më mirë një vezë sot, se një pulë mot”, thotë për Report TV Kol Nikollaj, Kryetar i Konfederatës së Sindikatave.
Kjo shkelje ligjore është e përhapur pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë, por më e përqendruar është tek bizneset që punësojnë punonjës të pakualifikuar, të cilët e kanë jetike pagën mujore.
“Kryesisht janë ndërmarrjet e vogla, bizneset me pak punonjës deri 15 punonjës, ndërsa biznesi i madh po formalizohet. Ky fenomen është edhe tek profesionet e lira, po ashtu situata është mjaft shqetësuese në industrinë përpunuese, bujqësi, peshkim, por edhe në ndërtim, fasoneri që i janë shmangur dhe vijojnë ti shmangen formalizimit të ekonomisë. Është një rrezik i shtuar jo vetëm përsa i përket problemit të pagës reale, dhe formalizimit të ekonomisë por është një minë me sahat sa i takon çështjes së pensioneve. Ne e dimë që në Shqipëri, pensionet janë gangrenë, kemi shumë profesione që marrin vlera të ulta”, thotë Nikollaj.
“Mos-pagesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore apo pagesat cash janë shumë të theksuara në ato shtresa të popullatës që janë të margjinalizuara, të varfëra që nuk mund të ulen me punëdhënësin të diskutojnë, por ato duan pagën sot. Pastaj punëdhënësve ju intereson të mos i deklarojnë”, thotë eksperti Erald Pashaj.
Gazetarja: A janë punonjësit shqiptar sot të lirë për të kërkuar pagë të deklaruar në bankë?
Nikollaj: Absolutisht jo, dhe kjo na shqetëson ne e kemi detyrë thelbësore të sindikatave që të organizojë punonjësit. Nuk e perceptojnë rrezikun për pensionet, por edhe sindikatat kanë probleme, janë të copëtuara, nuk kanë kapacitete dhe për tu përballur me punëdhënësit.
Eksperti për çështjet e punësimit, Erald Pashaj thotë se shkaku kryesor që bizneset nuk deklarojnë rrogat është për të shmangur detyrimet tatimore.
“Në Shqipëri është e lartë edhe barra për tatimin mbi të ardhurat por edhe për barrën për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Nëse një person ka një pagë neto 100 mijë lekë kompania nëse do e deklarojë të plotë paga e këtij individit shton 140 mijë lekë, nga të cilat 40 mijë duhet t’ja paguaj shtetit në formën e tatimit mbi pagën dhe në formën e sigurimeve shoqërore që ndahen mes punëmarrësit e punëdhënësit. Duke e deklaruar një pagë më të ulët, ata shmangin gjithë këtë detyrim duke paguar shumë më pak”, pohon Pashaj.
Përveç fasonerive, institucionet e shëndetësisë private, kafetë dhe restorantet dhe ndërtimi, fenomeni i nëndeklarimit të rrogave vazhdon të prekë edhe fusha të tjera si media, ku gazetarë dhe kameramanë vazhdojnë të marrim nga 40 deri në 50% të pagave në dorë.
Lajmi kryesor:
Investigimi 1/Nëndeklarimi i pagave rrezikon ekonominë! 600 mijë të punësuar pa sigurime, thellohet deficiti i skemës së pensioneve
B.K//ReportTv.al