Kosova & Rajoni

Dëshmon në Hagë ish-përfaqësuesi i sekretarit të OKB-së: UÇK ishte më shumë një lëvizje sesa ushtri! Komandantët nuk e respektonin Thaçin

30 Shtator, 13:02| Përditesimi: 30 Shtator, 15:49

  • Share

Jack Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, është dëshmitari i 4-t i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të dhënë deklaratat e tij përpara trupës gjykuese të Gjykatës së Hagës.

Ish-përfaqësuesi i Bernard Kushner ka dëshmuar se Hashim Thaçi ka pasur një raport të ndërlikuar me komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe se këta të fundit shpesh herë kanë treguar dhe mungesë respekti ndaj tij.

Në këto konkluzione, Covey kishte arritur pas një takimi me përfaqësuesit e ushtrisë për të bindur komandantët për marrëveshjen e çarmatimit.

“Dukej sikur po konfirmonte fuqishëm atë që besonim që në fillim lidhur me zotëri Thaçin, kur jemi njohur me të, pra që ai kishte një marrëdhënie të ndërlikuar me komandantët në terren, dhe se ata kishin pak kohë, ose më mirë thënë, kishin shfaqur mungesë respekti ndaj tij, në këtë rast për të cilin po flasim, po të shohim këtë vizatim, më lejoni të kthehem pak prapa. Gjenerali Jackson i cili kishte mospajtim me gjeneralin Clark sa i takon përpjekjeve të rusëve për të marrë aeroportin përpara se KFOR-i të hynte në Kosovë dhe unë, gjenerali Clark dhe gjenerali Jackson, dhe është meritë e tyre kjo, kishim tejkaluar këtë mosmarrëveshje serioze dhe gjenerali Jackson pati nevojë që të sjelltë komandantët e UÇK-së dhe t’i rivendoste, t’i bindte ata që t’i pranonin kushtet e zbatimit të marrëveshjes, konkretisht marrëveshje për krijimin e një force mbrojtëse të Kosovës, si organizatë civile e paarmatosur, KFOR-i ishte afër afatit kohor, dhe i duhej ndihmë për t’i bindur komandantët për përgjigje pozitive.

Zotëri Thaçi nuk kishte marrëdhënie të rëndësishme me këtë trupë të komandantëve në terren dhe kishte shumë pak gjasa që ata të kërkonin udhëzimet e tij, aq më pak urdhrat e tij, apo që të raportonin aktivitetet e tij te ai”, tha Covey.

Ndër të tjera ai është shprehur se UÇK ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri e mirfilltë referuar faktit sesi personi më me ndikim në UÇK, gjeneral Ceku, sigurohej që komandantët e tjerë ta mbështesnin lidhur me ato çfarë po diskutohej në marrëveshje.

“Ashtu siç e kemi kuptuar në atë kohë, nuk ka pasur komandë qendrore. Gjeneral Ceku ishte individi me më ndikim në UÇK, me shumë ndikim se të tjerët, megjithatë nuk duhej të ishte në një pozitë të tillë që të merrte përsipër këtë dhe kishte nevojë të dinte që kishte marrëveshje midis tyre. Gjatë takimit ne mund të shihnim gjeneral Çekun shumë të qetë i cili shikonte prapa për t’u siguruar që komandantët e mbështesnin, që mbështesnin hollësitë e marrëveshjes që po diskutohej. Neve na dhanë përshtypje që Çeku kishte nevojë të sigurohej që kishte konsensus që merrte pra mbështetje nga komandantët në terren. Dhe kjo ishte tërësish në përputhje me atë që kuptonim ne, sepse ne kuptonim që UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri ku secili individ në zona apo komandant në terren kishte autonomi të gjerë, qoftë kjo në realitet apo imagjinatën e tyre, por ata kishin këtë autonomi, ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre, që ishin të pavarur”, tha ai.

Gjithsej në gjyqin që po zhvillohet kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, janë thirrur për të dëshmuar 11 dëshmitarë, të cilët do të paraqiten në Hagë gjatë javëve në vijim.

Fillimisht në gjykatë ka dëshmuar për 3 ditë me radhë, ish-zyrtari amerikan, James Rubin, i cili u shpreh se Thaçi prveçse një përfaqësues politik i Kosovës në Konferencën e Rambujesë, ai nuk kishte asnjë autoritetet për të marrë vendime në emër të UÇK-së.

Dëshmitari i radhës ishte ish-këshilltarit ligjor të delegacionit të Kosovës, Paul Williams, i cili dhe njëherë konfrmoi se Hashim Thaçi nuk merrte vendime apo firmoste marrëveshje pa marrë aprovimin e komandatëve të ushtrisë.

Nga mbrojtja e Thaçit, për të dëshmuar është thirrur dhe ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s.

Gjyqi për ish-krerët e UÇK-së ka nisur që prej vitit 2023. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe prej vitesh mbahen të izoluar në dhomat e paraburgimit në Hagë.

Ora 14:22
Ish-zëvendësi i Bernard Kouchner në Hagë: Thaçi shqetësohej për serbët! Nuk donte që të kishte anarki në Kosovë

Ish-zëvendësi i Bernard Kouchner, Jack Covey në dëshminë e tij të dhënë përpara trupës gjykuese të Hagës,  pyet nga avokati Luka Mishetiq lidhur me një deklaratë të bërë nga Hashim Thaçi, në të kryeministër i përkohshëm i qeverisë ku ishte shprehur “Nuk do të lejohet anarkia”.

Kjo deklaratë përkonte pas vrasjes së 14 qytetarëve serbë në afërsi të Lipjanit dhe se Thaçi shqetësohej për mungesën e forcës policore në vend.

“Duke u njoftuar për aktin e vrasjes së 14 qytetarëve serbë në afërsi të Lipjanit, z. Thaçi tha se kjo po ndodhë edhe për shkak të vakuumit të krijuar si rezultat i vonesës së krijimit të një force policore. Ky akt na ka shqetësuar dhe nuk do të lejojmë që në Kosovë të mbizotërojë anarkia”, tha Covey.

Pyetjes “A përputhet kjo nga mënyra se si e ka trajtuar dhunën ndaj pakicave etnike z. Thaçi?”, ish-zëvendësi i sekretarit të OKB-së u përgjish pozitivisht.

“Po deklarata që nuk do të lejojmë anarkinë, po. Sa i përket krijimit të forcës policore, ishte një ankesë që është bërë në ditët e para të misionit tonë paqëruajtës dhe të njëjtën ankesë e kemi dëgjuar edhe nga NATO-ja”, deklaroi ai. 

K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?