Gjykata e Posaçme

Kronikë

Dështon rinisja e ‘Plumbit të artë’, GJKKO e shtyn për 22 prill, pezullon afatet e paraburgimit! Avokatët: U kërcënuam, prokurori dha besën! Dibra: Shpifje e qëllimtë, kallëzojeni!

17 Prill, 12:44| Përditesimi: 17 Prill, 15:58

  • Share

1740736783_gjkko.JPG

Gjykata e Posaçme

Edhe rinisja e seancës në GJKKO të procesit të dosjes “Plumbi i artë” u shoqërua me tensione dhe akuza, duke çuar në ndërprerjen përsëri dhe këtë herë përfundimisht, pasi GJKKO e shtyu për në datën 22 prill.

Por para se të vendoste shtyrjen e seancës, GJKKO pezulloi dhe shtyu afatet e paraburgimit të të pandehurve të dosjes, që të mos digjeshin dhe të akuzuarit të përfitonin lirime me procedurë.

Nuk mungoi edhe debati mes prokurorit të SPAK, Behar Dibra dhe avokates Elda Zotaj, e cila tha se ndihej e kërcënuar, edhe pse përfaqësuesi i akuzës i kishte premtuar “besën”. Dibra e quajti shpifje deklaratën, duke thënë që avokatja të depozitonte kallëzim nëse kishte ankesa.

Avokati Ilirian Duzeni këmbënguli se ishte kërcënuar dhe kërkoi që të merreshin masa ndaj Nuredin Dumanit.

“Ndoshta reagova gabim pak më parë. Duke qenë se dëshmitari është i prokurorisë, prokurori duhet të jetë i kujdesshëm me dëshmitarin e tij. Organi i procedurës duhet të jetë më i vëmendshëm. Dumani duhet të jetë korrekt, ai ndoshta e thotë me shaka, por unë nuk e përballoj dot, sepse ai është trim dhe unë jam frikacak. Duke qenë se është bërë shqetësim disa herë, ne kemi kontaktuar me kryetarin e dhomës së avokatisë dhe na kërkoi shtyrje të seancës. Nuk e tolerojmë më këtë sjellje. Kërkojmë shtyrje të seancës. Me vendimmarrje të plotë do i kerkojmë prokurorisë dhe gjykatës të zgjidhet kjo situatë. Kontaktuam me Maks Haxhian”, tha Duzeni.

Edhe avokatja Elda Zotaj shprehu shqetësime:

“Në zyrën e prokurorisë i kam kërkuar prokurorisë të nisë procedim për Nuredin Dumanin për kanosje. Prokurori më tha “je ne besë time, nuk të prek Nuredin Dumani”. Kjo është situatë e rëndë.

Prokurori i dosjes, Behar Dibra, e kundërshtoi teksa e cilësoi shpifje deklaratën e mbrojtëses ligjore:

“Pse unë e krijova atë situatë? Duhet të shihni shkaqet që çuan në atë deklaratë. Dumani është i pandehur në këtë proces, jo dëshmitar. Të merren masa për personin që provokoi situatën. Për këtë që thotë avokatja janë shpifje, të përverteta. Ke të drejtën të ngresh kallëzim ndaj meje. Shko bëj kallëzimin atje ku duhet. Mer regjistrimin dhe shko kallëzoje ku të duash. Bëhet me qëllim të caktuara kjo. Ju lutem vazhdoni gjykimin”, u shpreh prokurori në fjalën e tij, duke ngritur dyshime se avokatët e bënin qëllimisht për shkak të afateve të paraburgimit.

Gjykata shtyu seancën, por vetëm pasi pezulloi afatet e paraburgimit për të pandehurit. Seanca e radhës u caktua për në datën 22 prill (e martë, java e ardhshme), në orën 10:00.


Lajmi kryesor:

Tensione te ‘Plumbi i artë’, kërcënohet avokati! Debate mes të penduarit dhe 'ushtarit', Hoxha: Mos na bëj si 'kapter Rrahmiu'! Dumani: Suel Çela më tradhtoi, por do e shohim! Seanca shtyhet më 22 prill


A.Q/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?