Kronikë

Tensione te ‘Plumbi i artë’, kërcënohet avokati! Debate mes të penduarit dhe 'ushtarit', Hoxha: Mos na bëj si 'kapter Rrahmiu'! Dumani: Suel Çela më tradhtoi, por do e shohim! Seanca shtyhet më 22 prill

17 Prill, 11:24| Përditesimi: 17 Prill, 15:42

  • Share

U mbajt sot seanca e radhës e dosjes “Plumbi i artë” me dëshminë e të penduari të drejtësisë, Nuredin Dumani, ku nuk munguan tensionet dhe debatet deri në ironi mes të pandehurve dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë, në lidhje me disa detaje të ngjarjeve të rënda kriminale.

Bashkëpunëtori i drejtësisë tha se me Erjon Alibej, i akuzuar si kreu i një prej organizatave kriminale në Elbasan, kishte folur edhe pasi u arrestua, në paraburgimin e Elbasanit, ku u mbajt fillimisht.

Madje ai akuzoi Suel Çelën se e ka tradhtuar duke e futur dy herë në kurth, një herë kur e porositi të vriste Elton Kilën, i njohur si "Oti i Elbasanit" dhe herën e dytë pasi u plagos në atentat dhe ku u tregua banesa në Fier ku po mjekohej pas plagës së rëndë në shpinë.

Ai kishte SKY ECC, por më pas e humbi telefonin kur e transferuan në burg tjetër, informon gazetarja e Report Tv, Keti Banushi.

“Henrikut ia dhashë porosinë në telefon, pastaj ka ardhur të më takojë, për vrasjen e Lulëzim Mashës. Henrikut i ofrova 160 mijë euro, e pagova 10 mijë kapar, 10 mijë më duket i mbajta për vete”, tha Dumani.

Por Henrik Hoxhaj u shpreh në kundërshtim:

“Është marrë porosia për vrasjen e djalit të Lulëzim Mashës, nuk u gjet ai. Dhe vajtëm te i ati në nënyrë që ai të vinte në varrim. Nuredin Dumani ma solli mesazhin me screenshot nga “sakati”, Aleksandër Baho. E kam shprehur këtë në deklarimet e mia”.

Dumani vijoi më tej rrëfimin e tij:

“Me Suel Çelën më ka lidhur një miku im në Durrës, Fatmir Troplini, pasi Sueli çonte Xhino Rrokën të merrte mall tek këta. Pseudonimet e mia në Sky ECC ishin “Alkatraz”, “Covid 19” dhe “Toto Rino”. Henrikut ia kisha vënë emrin “Baftjari”, nuk e di si e ka pas. Porosinë e mora për të goditur Lulëzim Mashën. Vazhdimisht kam komunikuar me Henrikun, disa muaj përpara ngjarjes, mesi ose fillimi i 2021. Më ka takuar Aleksandër Baho disa herë. Një herë erdhi në Kosovë me CLS, njëherë me Audi A4 dhe njëherë me Audi me targa angleze. Herën e fundit ndjenji një ditë me mua. Porosinë për Lulëzim Mashën ma dha Suel Çela për persona të tjerë. Kemi komunikuar vazhdimisht bashkë nga 2021. Me Suelin u njoha përmes Fatmir Troplinit. Ky ka qenë kontakti. Suel Çela ka rrahur Arben Lazen. E mora përsiper porosinë e Suelit për interesin. Fillimisht m’u premtuan 150 pastaj 200 mijë euro”, ka rrëfyer Dumani.

Henrik Hoxhaj kundërshtoi përsëri pohimet e Dumanit:

"Ne morën porosi për të vrarë djalin e Lulëzim Mashën, por ndryshoi plani rrugës. Janë të gjitha në telefon. Me dërgoi foto. Djali nuk po vinte, ishte në Maqedoni. Interesimin për hyrje-daljet e bënte permes “Sakatit”, Aleksandër Bahos. Kur të vinte djali do bëhej goditja, ai kishte 200 mijë euro me vete. Aleksandër Baho do merrte 70%. Baho i thoshte Nuredinit se çfarë kishte ndodhur. Kemi pritur gati 1 vit për të kryer veprimin. Në mungesë të djalit, u detyruam të vrisnim të atin. Lulëzim Masha do vritej sepse djali s’po vinte".

Nuredin Dumani gjithashtu replikoi me të në sallën e gjyqit:

"Nuk me kujtohet që porosia ka qenë për djalin e Mashës. Për mua porosia ishte për Lulzim Mashën".

Debati mes Henrik Hoxhaj, që iu hoq statusi i bashkëpunëtorit dhe Nuredin Dumanit vijoi më tej:

“Nuk më ke dhënë urdhra se po bën ketu si ‘kapterr Rramiu’, ke dhënë një punë, e merret e bëhet, ose nuk pranohet!

Nuredin Dumani tregoi se vendndodhjen e tij kur u arrestua në Fier, pasi i shpëtoi atentatit, e ka zbuluar Suel Çela.

“Kur u plagosa Sueli më tha do të sjell doktorin, pastaj mori këtë me vete (i referohet Henrik Hoxhajt), po hajt se do ta shofim. Telefoni që flisja me Suelin është në prokurori dhe polici.

Dumani tregoi edhe momentin kur është plagosur:

“Hyra në Shqipëri dhe ndenja te Bujar Gërmizi disa ditë në Kukës. Pastaj më mori Henrik Hoxhaj, shkuam në Tiranë pastaj në Fier. Kemi lëvizur përditë lart e poshtë. Ditën e ngjarjes u nisëm për të ekzekutuar Otin e Kilës për Elbasan. Blemë armët një ditë para ngjarjes, kallash dhe një pistoletë te një miku i Henrikut. Një kallash do ja jepja Suel Çeles, tjetrin do e mbaja për të goditur. Henriku me informonte, kishte apo jo postobllok. Henriku s’po më jepte informacion për Otin. I thashë Suelit, ose këta s’po e shofin, ose s’po më japin informacion. Identifikova disa makina, 5 copë dhe ia çova Suelit. I thashë nuk e shoh mirë situatën, le të largohemi sot. Makina që më bëri atentatin u nis për Cërrik. Unë dola në rrugë kryesore”.

Avokati Ilirian Duzeni braktisi përkohësisht sallën e gjyqit, pasi pretendoi se Nuredin Dumani i tha “Je në ofertë”. Ai akuzoi edhe prokurorin e çështjes se "po bënte sehir" para këtij kërcënimi, ndërsa seanca rinisi disa minuta më pas.

Por pas rinisjes, Duzeni kërkoi që të merreshin masa të menjëhershme për ngjarjen e ndodhur dhe kërcënimin nga Dumani. Edhe avokatja Elda Zotaj kërkoi të njëjtën gjë, pasi tha se ndihej e kërcënuar, edhe pse prokurori Behar Dibra kishte thënë se "ishte në besë të tij".

Dibra e mohoi, duke e quajtur sajesë, teksa shpjegoi se "situatat në sallë nuk i krijoj unë".

"Janë sajesa e shpifje me qëllim. Situatat në seanca nuk i krijoj unë. Shkoni dhe bëni kallëzim penal atje ku duhet", u shpreh prokurori i SPAK.

Në këto rrethana seanca është shtyrë për në datën 22 prill. Njëkohësisht GJKKO pezulloi përkohësisht edhe afatet e paraburgimit për të pandheurit, duke i shtyrë ato që të mos digjeshin dhe të përfitonin të akuzuarit lirimin me procedurë.

Dëshmitë e tij kanë tronditur jo pak botën e krimit, duke goditur 8 organizata kriminale me të paktën 32 persona të dyshuar dhe jo vetëm, pasi janë zbardhur të paktën 12 vrasje në një dekadë dhe dhjetëra krime të tjera të paguara te skuadra e killerave që Dumani drejtonte.

Ai ka zbërthyer edhe platformat e koduara si Matrix, Sky ECC dhe BQ, ku kishte edhe pseudonimet e tij, teksa në pah kanë dalë edhe kontaktet me biznesmenë të njohur dhe takime me deputetë, për të kryer krime me pagesë, por emrat nuk janë bërë ende publikë.

Ora 14:40
Dumani: Ja si u njoha me Behar Bajrin dhe planet që bëmë, flisnim me Sky ECC! I kërkova Talo Çelën, dhashë deri në 1,5 mln euro! Bajrat erdhën të armatosur në takim

Behar Bajri, i akuzuar si kreu i organizatës së Bajrave në Shkodër

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, rrëfeu detaje nga ngjarjet kriminale, sot në seancën e radhës në GJKKO për dosjen ‘Plumbi i artë’, e cila u zhvillua me tensione të larta, akuza për kërcënime dhe shtyrje të gjyqit për më 22 prill.

Ai tregoi edhe për njohjet dhe lidhjet me Behar Bajrin e Shkodrës, ky i arrestuar dhe paraburgosur, si dhe pagesat deri në 1,5 mln euro për të kryer atentate.

Dumani tha se nga Bajri kërkoi Talo Çelën, kurse ai i dha porosi për Tafilin dhe Dulin. Kurse komunikimet me Bajrin i bënte nëpërmjet platformës së koduar SKY ECC.

“Elton Basha është një mik i imi dhe është nga Burreli. Rrinte në Durrës dhe kam 15 vite që e njoh. Në telefon e kam pas rregjistru me emrin ‘Bisha’. Me Behar Bajrin kam komuniku nëpërmjet Elton Bashës dhe nëpërmjet Arlind Bushatit. Çova Eltonin me një djalë tjetër në takim me Bajrat, këta të fundit shkojnë 10 veta me armë. Behar Bajri më kërkoi për të bërë goditje për Dorjan Dulin dhe Genc Tafilin dhe i kam dhënë mbi 1 mln e gjysmë euro. Ramë dakord për këtë marrëveshje. Nuk morëm asnjë lloj iniciative. Behar Bajrit i kam kërku Talo Çelën. Kishte thashetheme që Talo Çela rrinte te Suel Çela, por jo gjëra të vërteta. Me Behar Bajrin kam komuniku me SKY ECC”, ka rrëfyer Dumani gjatë seancës në GJKKO.

Ora 12:44
Dështon rinisja e ‘Plumbit të artë’, GJKKO e shtyn për 22 prill, pezullon afatet e paraburgimit! Avokatët: U kërcënuam, prokurori dha besën! Dibra: Shpifje e qëllimtë, kallëzojeni!

1740736783_gjkko.JPG

Gjykata e Posaçme

Edhe rinisja e seancës në GJKKO të procesit të dosjes “Plumbi i artë” u shoqërua me tensione dhe akuza, duke çuar në ndërprerjen përsëri dhe këtë herë përfundimisht, pasi GJKKO e shtyu për në datën 22 prill.

Por para se të vendoste shtyrjen e seancës, GJKKO pezulloi dhe shtyu afatet e paraburgimit të të pandehurve të dosjes, që të mos digjeshin dhe të akuzuarit të përfitonin lirime me procedurë.

Nuk mungoi edhe debati mes prokurorit të SPAK, Behar Dibra dhe avokates Elda Zotaj, e cila tha se ndihej e kërcënuar, edhe pse përfaqësuesi i akuzës i kishte premtuar “besën”. Dibra e quajti shpifje deklaratën, duke thënë që avokatja të depozitonte kallëzim nëse kishte ankesa.

Avokati Ilirian Duzeni këmbënguli se ishte kërcënuar dhe kërkoi që të merreshin masa ndaj Nuredin Dumanit.

“Ndoshta reagova gabim pak më parë. Duke qenë se dëshmitari është i prokurorisë, prokurori duhet të jetë i kujdesshëm me dëshmitarin e tij. Organi i procedurës duhet të jetë më i vëmendshëm. Dumani duhet të jetë korrekt, ai ndoshta e thotë me shaka, por unë nuk e përballoj dot, sepse ai është trim dhe unë jam frikacak. Duke qenë se është bërë shqetësim disa herë, ne kemi kontaktuar me kryetarin e dhomës së avokatisë dhe na kërkoi shtyrje të seancës. Nuk e tolerojmë më këtë sjellje. Kërkojmë shtyrje të seancës. Me vendimmarrje të plotë do i kerkojmë prokurorisë dhe gjykatës të zgjidhet kjo situatë. Kontaktuam me Maks Haxhian”, tha Duzeni.

Edhe avokatja Elda Zotaj shprehu shqetësime:

“Në zyrën e prokurorisë i kam kërkuar prokurorisë të nisë procedim për Nuredin Dumanin për kanosje. Prokurori më tha “je ne besë time, nuk të prek Nuredin Dumani”. Kjo është situatë e rëndë.

Prokurori i dosjes, Behar Dibra, e kundërshtoi teksa e cilësoi shpifje deklaratën e mbrojtëses ligjore:

“Pse unë e krijova atë situatë? Duhet të shihni shkaqet që çuan në atë deklaratë. Dumani është i pandehur në këtë proces, jo dëshmitar. Të merren masa për personin që provokoi situatën. Për këtë që thotë avokatja janë shpifje, të përverteta. Ke të drejtën të ngresh kallëzim ndaj meje. Shko bëj kallëzimin atje ku duhet. Mer regjistrimin dhe shko kallëzoje ku të duash. Bëhet me qëllim të caktuara kjo. Ju lutem vazhdoni gjykimin”, u shpreh prokurori në fjalën e tij, duke ngritur dyshime se avokatët e bënin qëllimisht për shkak të afateve të paraburgimit.

Gjykata shtyu seancën, por vetëm pasi pezulloi afatet e paraburgimit për të pandehurit. Seanca e radhës u caktua për në datën 22 prill (e martë, java e ardhshme), në orën 10:00.

Ora 12:20
Tensione dhe kërcënime te ‘Plumbi i artë’, avokati Duzeni braktis përkohësisht sallën e gjyqit: Dumani më tha ‘je në ofertë’, prokurori i SPAK bën sehir (rikthehet në seancë)

Tensione të forta dhe akuza për kërcënim në sallën e gjyqit të dosjes “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme.

Ilirian Duzeni, avokati i të pandehurit Besjan Xhixha, në një moment kur Nuredin Dumani po bënte rrëfimin e tij dhe po replikonte me ‘ushtarin’ Henrik Hoxha për disa nga detajet e ngjarjeve kriminale, braktisi sallën në mënyrë demonstrative.

Ai pretendoi se Nuredin Dumani i tha “Je në ofertë”.

“Ky është presion, kërcënim i pastër dhe prokurori i SPAK bën sehir. Më tha je në ofertë”, u shpreh ai dha la sallën.

Sipas avokatëve, me fjalët ‘je në ofertë’, Nuredin Dumani nënkupton se ka qenë në listë për t’u vrarë.

Pas disa minutash seanca u qetësua dhe avokati Duzeni është rikthyer në sallën e gjyqit, për të rinisur procesi.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 18/04/2025 06:16

    Po shoh ne foton e fundit,qe eshte foto nga burgu ,qe Nuredin Dumani mban varese,ndoshta floriri.Si ka mundesi qe lejohet te mbaje varese?!Ketu tek ne,vetem ore dore te lira lejohen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?