14 shkurti shënoi një ngjarje tragjike në Ostren të Madh në Bulqizë, ku nëna së bashku me dy fëmijët e saj u gjetën të vdekur. Burime për Report Tv bëjnë me dije se në banesën e viktimave është gjetur edhe një shishe rreth 50 gram me një pesticid që përdorej për patatet. Kjo shishe me helm ka qenë në një dhomë tjetër nga ku janë gjetur të vdekur Rajmonda Tola, 45 vjeç, bashku me djalin, Fatjonin 14 vjeç dhe vajzën, Rudinën 22 vjeç.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se dera e dhomës ku ka qenë shishja e helmit ka qenë e mbyllur megjithatë xhami i saj ka qenë i thyer dhe dyshohet se ka lëshuar edhe aromë që dyshohet të këtë helmuar tre familjarët. Ndërkohë kur banorët janë pyetur nga grupi hetimor se për çfarë përdorej shishja me pesticide në fshat, ata janë shprehur se pas vjeljes së patateve ata e hidhnin që të mos kalbeshin. Grupi hetimor ndërkohë ka marrë shishen në fjalë e cila është gjetur e mbështjellë me një letër për të kryer ekspertizën në Tiranë e cila do të dalë pas tre ditësh.
Megjithatë trupa hetuese nuk përjashton edhe mundësinë se gruaja dhe dy fëmijët e saj të kenë ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë nga tymi i përhapur nga soba me dru. Nga kjo ngjarje tragjike arriti të shpëtonte vetëm vajza tjetër e shtëpisë, 16-vjeçarja Merita Tola, e cila u gjet me shenja jete dhe menjëherë u transportua drejt spitalit të Bulqizës. Pas marrjes së ndihmës së parë ajo u transportua në spitalin e Traumës në Tiranë, ku gjendja e saj shëndetësore paraqitet e stabilizuar.
Kujtojmë se policia paraprakisht se familjarët mund të jenë asfiksuar nga rrjedhja e gazit nga bombola, por burime nga Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), pas verifikimeve me një grup ekspertësh dolën në përfundimin se nuk ka dyshime se familja mund të jetë asfiksuar nga gazi.