Detaje të reja janë zbardhur nga SPAK nga vijimi i megaoperacionit Plumbi i Artë që evidentoi vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja në Elbasan si krerët e grupit kriminal.
Të dy vëllezërit ndodhen jashtë, ndërsa sipas SPAK përveç vrasjeve e tentativave për vrasje, por edhe pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit, dy vëllezërit kanë korruptuar edhe gjyqtarë dhe funksionarë të organeve të drejtësisë në vitin 2020 në Elbasan. Ditën e djeshme u bë me dije se urdhër arresti ishte firmosur edhe për ish gjyqtaren në Elbasan Pajtime Fetahu e cila ishte shkarkuar nga Vettingu. Fetahu mund të ketë lidhje në këtë histori me vëllezërit Çopja.
Ndërsa në shtator-tetor të të njëjtit vit kanë zbuluar edhe akte ose të dhëna sekrete prej një punonjëse të administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë. Gjithashtu SPAK zbulon se janë rekrutuar edhe dy punonjës të policisë së shtetit në llogari të organizatës kriminale.
'25. Është evidentuar edhe fakti penal i “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, ”, ngjarje e ndodhur gjatë vitit 2020 në Elbasan dhe “Korrupison aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
26. Gjithashtu hetimet kanë zbuluar edhe faktin penal të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, nga një punonjëse e administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kryer gjatë periudhës kohore shtator – tetor të vitit 2020, në Elbasan.', thuhet në njoftimin e SPAK.
Lajmi kryesor:
SPAK zbulon aktivitetin e organizatës kriminale të vëllezërve Çopja në Elbasan: Kryen 4 vrasje, 14 i porositën, vodhën 4.6 mln euro në Rinas! Sekuestrohen 1 mln euro cash
G.K/ReportTv.al