Deti, Bushati: Pas pak ditësh raundi i parë i negociatave me Greqinë

20 Mars 2018, 14:10| Përditesimi: 20 Mars 2018, 15:32

  • Share

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka folur për herë të parë pas vendimit të Presidentit Ilir Meta për t’i dhënë autorizimin për të nisur negociatat me Greqinë për kufirin detar. Bushati shprehet se pas këtij vendimi, në ditët në vijim do të zhvillohet edhe takimi i parë me palën greke për të negociuar. Shefi i diplomacisë shqiptare thekson se marrëveshja e re do të jetë shumë e drejtë dhe e ndershme, ndryshe nga ajo e 2009, firmosur nga qeveria Berisha.

“Pa humbur kohë ne të do të procedojmë me plotfuqinë dhe për pak ditë apo javë do të bëjmë edhe raundin e parë të diskutimeve teknike me palën greke. Jemi të vendosur për një marrëveshje të re pa përsëritur gabimet e 2009. Gjykata Kushtetuese ofron një panoramë për atë që nuk duhet të bëjmë. Ne besojmë se jemi të motivuar për të shkuar drejt një marrëveshje të drejtë, të ndershme dhe më të mirë se e 2009 dhe e zbatueshme.

Autorizimi i Metës është i bazuar në ligjet shqiptare, ne kemi pasur konsultime me Presidentin dhe institucione të tjera për çështjet që ka shtruar. Në planin teknik këto negociata po fillojnë dhe po shkojmë drejt një marrëveshje të re. Kohëzgjatja e negociatave ka një rëndësi të dorës së dytë, me rëndësi të dorës së parë është produkti. Për 4 vite jemi konsultuar, kemi bërë disa bisedime eksploratore, nuk është se hymë në negociata me shumë të panjohura, dihet ku janë defektet, pas këtij procesi të kemi akt marrëveshjen” tha ai.

Përsa i përket takimit Rama-Tsipras, i planifikuar në Prill sipas kryeministrit shqiptar edhe pse ende nuk ka një datë, Bushati theksoi se “Takimet janë të dobishme, kryeministrat kanë peshën kryesore. Ne shpresojmë që të shtohen produktet në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe më pas të konkretizohen. Është shumë e rëndësishme që të vijojmë diskutimet për njohjen e lejeve të drejtimit të automjeteve”.

Meta i dha dje autorizimin Bushatit për të negociuar për detin me Greqinë, ndërsa sot shtoi se beson te një marrëveshje e drejtë mes dy vendeve, bazuar në vendimin e Kushtetueses në 2010.

d.b/shqiptarja.com

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?