Foto: Erion Braçe
Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për “Dizinformimin”, Erion Braçe, tha të mërkurën se në fushatat zgjedhore qarkullon një “lumë i madh parash” nga burime të paligjshme dhe të huaja, gjatë një mbledhje ku u diskutua nevoja për kontrollin e këtyre financimeve.
“Ne e shikojmë që në fushata elektorale ka lumë parash, lumë, lumë parash dhe një lumë që nuk korrespondon fare me atë që deklarohet zyrtarisht pranë institucionit,” tha Braçe.
Braçe e konsideroi këtë një shqetësim të madh dhe shtoi se “lumi i madh i parave, përfshirë dhe para të krimit, vjen nga burime brenda dhe jashtë vendit”.
Komisioni që ai drejton është ngritur me qëllim “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit” dhe një prej tyre lidhet me financimet e mundshme në fushatat zgjedhore.
“S’do dalë Putin apo Ajtollahu të thotë… po skemat janë të qarta, gjendet një guackë një burim që e bën këtë gjë,” aludoi Braçe, duke propozuar që të krijohet një mekanizëm kontrolli pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për këtë gjë.
Sipas Braçes, instrumenti i kontrollit duhet të bëhet “i gjerë dhe agresiv” në raport me ndërhyrjet e këtij lloji.
Lajmi kryesor:
‘Dezinformimi’, KQZ kërkon më shumë ‘fuqi’ për të hetuar financat e paligjshme të partive: Ndryshoni Kodin Zgjedhor! Braçe: Lumë i madh parash të huaja
Xh.K/ReportTv.al