TIRANË- Ilirjan Celibashi kërkon që KQZ të ketë më shumë kompetenca për të verifikuar dhe monitoruar financimin e partive politike apo fushatave zgjedhore, në një kohë kur rreziku i financimeve nga vende jo mike me Shqipërinë, apo nga subjekte me aktivitete të dyshimta brenda vendit është i ndjeshëm.
Në komisionin e posaçëm për Dezinformim, kreu i KQZ foli për financime të dyshimta që përdorin partitë politike, ndonëse për deklarimin e burimeve të tyre në aspektin ligjor, rezultojnë korrekte.
“Në lidhje me financimin e paligjshëm që lidhet kryesisht me financimin nga subjekte apo shtete te huaja, apo nga subjekte që në vetvete ushtrojnë veprimtari të kundërligjshme, është e vështirë apo e pamundur për KQZ për të marrë informacion për këtë lloj natyre financimi.
Sepse financimi nëpërmjet këtyre subjekteve apo për qëllime politike të partive dhe subjekteve zgjedhore është veprimtari që sanksionohet nga kodi penal. Procese të tilla kërkojnë angazhimin e institucioneve përkatëse për ndjekjen penale dhe zhvillimin e procesit penal.
Do të ishte naive për këdo që nëpërmjet mekanizmave të KQZ të merrte informacion dhe pastaj të vlerësonte apo monitoronte financime të cilat vijnë nga veprimtari të paligjshme, kriminale apo edhe nga shtete te huaja. S’ke asnjë lloj mekanizimi për të verifikuar pohimet publike, nëse është apo jo i vërtetë”, tha Celibashi.
Ndonëse publikisht kanë qarkulluar lajme për financimin e partive politike nga vende të treta, si rasti i 500 mijë dollarëve të dyshuar si financim nga Rusia për PD-në e Lulzim Bashës, Celibashi thotë se nuk ka patur asnjë raportim konkret, e për të patur një hetim të thelluar nevojiten ndryshime në kodin zgjedhor dhe ligjin për partitë politike në mënyrë që KQZ të autorizohet për një hetim administrativ.
"Dhe në lidhje me financimin e partive politike apo fushatave zgjedhore, KQZ nuk ka çfarë të ndihmojë më shumë. Ajo që mbetet për tu adresuar dhe ne e kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme është përmirësimi i mekanizimit për raportimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore për veprimtarinë e tyre elektorale.
Ajo që duhet të ndryshojë është financimi nga palët e treta sepse konstaton në financimin indirekt të partive politike dhe fushatave zgjedhore, dhe këto parti duke marrë financim në këtë mënyrë ndihen jo përgjegjëse për raportimin e financimit. Nga pikëpamja ligjore dhe formale rezultojnë në rregull po janë satelitë të tjerë që zhvillojnë fushatat për llogari të këtyre subjekteve politike, mund të jenë organizata të shoqërisë civile, ente të ndryshme, persona juridik që formalisht nuk lidhje me partitë politike por qartazi janë të angazhuara në fushatë she marrin financime, dhe për këto financime nuk ka asnjë detyrim për të raportuar.
Pra partitë politike qëndrojnë formal në lidhje me financimin e tyre sipas kodit zgjedhor, por nëpërmjet këtyre subjekteve arrijnë të marrin paratë qe duan për qëllimet e tyre politike. Kuvendi i Shqipërisë dhe partitë politike ta adresojnë këtë shqetësim nëpërmjet ndryshimeve përkatëse të kodit zgjedhor", vijoi Celibashi.
Aktualisht KQZ, kryen vetëm një monitorim sipërfaqësor mbi burimin e të ardhurave për partitë politike dhe subjektet zgjedhore, bazuar në vetëdeklarimin vjetor të të ardhurave që dorëzohet nga vetë këto parti pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Komisioni i Dezinformimit vijon punën pa opozitën, ndërsa ka nisur me seancat dëgjimore me institucionet.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi doli për rreziqet me të cilat përballen fëmijët në rrjetet sociale. Krasniqi tha në fjalën e saj, se mangësia e njohurive dixhitale të prindërve shton rrezikun për fëmijët përballë rrisqeve që gjenden online.
Krasniqi u ndal po ashtu edhe tek marrëveshja mes AMA-s dhe TikTok, përmes së cilës është bërë e mundur fshirja e qindra videove me përmbajtje problematike.
Mimi Kodheli: Kemi shumë probleme në sektorin që ju mbuloni, e vetmja gjë që unë dua të insistoj të paktën që ne nuk e themi është mirëedukimi i qytetarëve, përfshijmë edhe pamundësinë për t’u informuar si duhet. Nuk artikulohet gjëkundi dhe ç’është më problematike diskutimi që do të bëjmë këtu është shumë i gjerë veçse me institucionin tuaj, do të thosha që gjendja e mirëedukimit të qytetarëve është e mjerueshme, po të shikosh disa stacione publike me licencë kombëtare qasja është e ndryshme. Përfaqësuesit e mediave, shoqatat, pensionistët, ne nuk edukojmë përmes televix9onit, edukim nuk janë sot operat, është shumë më shumë se kaq. Në shumë forma, ka kronikë të zezë të frikshme, ka mos edukim të frikshëm, ka dezinformim të frikshëm, nuk flitet për të bukurën, socialen, vullnetarizmin, asgjë që njeriut të jetë i sigurt që të marrë informacionin që i duhet.
Armela Krasniqi: Ne merremi me çfarë bën media dhe më pas, nuk mund të jemi në asnjë moment diktues të asaj që media vendos sepse janë politikat editoriale dhe media është plotësisht e lirë të vendosë në bazë të shikueshmërisë, në bazë edhe të planit të biznesit se cilat emisione do të vendosë, duhet të vijnë në përputhje me ligji organik, media në ligjin ’97-2013 ka disa funksione siç është argëtimi, informimi, jo që ndjej unë si qytetare dhe si titullare e institucionit rreziku që vjen nga media online, kemi nisur një bashkëpunim për të dukur shumë fenomene që shikojeni në platformat. Sa i takon edukimit digjital institucioni, edukimi mediatik kërkon shumë kohë është një sfidë e mbarë Evropës, jemi në diskutim. Do të duhet edukim i të gjithë mësuesve, nuk është një gjë që bëhet vetëm nga ky institucion. Ne e nisëm me pjesën fundore, me kopshtet, vëmë re që ka mangësi të njohurive të aftësive digjitale të vetë prindërve, që po krijon një rrezik që fëmijët janë shumë të ekspozuar përballë rrisqeve që gjenden online.
Foto: Erion Braçe
Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për “Dizinformimin”, Erion Braçe, tha të mërkurën se në fushatat zgjedhore qarkullon një “lumë i madh parash” nga burime të paligjshme dhe të huaja, gjatë një mbledhje ku u diskutua nevoja për kontrollin e këtyre financimeve.
“Ne e shikojmë që në fushata elektorale ka lumë parash, lumë, lumë parash dhe një lumë që nuk korrespondon fare me atë që deklarohet zyrtarisht pranë institucionit,” tha Braçe.
Braçe e konsideroi këtë një shqetësim të madh dhe shtoi se “lumi i madh i parave, përfshirë dhe para të krimit, vjen nga burime brenda dhe jashtë vendit”.
Komisioni që ai drejton është ngritur me qëllim “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit” dhe një prej tyre lidhet me financimet e mundshme në fushatat zgjedhore.
“S’do dalë Putin apo Ajtollahu të thotë… po skemat janë të qarta, gjendet një guackë një burim që e bën këtë gjë,” aludoi Braçe, duke propozuar që të krijohet një mekanizëm kontrolli pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për këtë gjë.
Sipas Braçes, instrumenti i kontrollit duhet të bëhet “i gjerë dhe agresiv” në raport me ndërhyrjet e këtij lloji.
Kryetari i Komisionit kundër Dezinformimit, Erion Braçe evidentoi sot disa mangësi që ka në bazën ligjore kundër këtij fenomeni, ndërsa u shpreh se është e nevojshme që të adoptohen instrumentet dhe standardet më të mira europiane.
Gjatë një prononcimi për mediet, Braçe u ndal te përballja institucionale me dezinformimin, ndërsa u shpreh se institucionet nuk duhet t’i kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës.
“Baza ligjore është realisht e mangët dhe duhet rregulluar me standardet më të mira europiane. Ka instrumente shumë të vlefshme europiane që mund të adoptohen”, tha Braçe.
Sipas tij, një pjesë e institucioneve bëjnë “pas” dhe mundohen ta shtyjnë problemin tek një institucion tjetër, duke lënë totalisht të hapur fushën edhe për ndërhyrjet e huaja keqdashëse në sektorë strategjikë, por edhe sa i takon dezinformimit, që është gjithashtu i pranishëm.
Braçe kërkoi që institucionet duhet të fillojnë të rregullojnë bazën e tyre rregullative për të mos lejuar ndërhyrje të drejtpërdrejta apo nënkontraktime tek operatorë që origjinën e tyre e kanë në vende jomiqësore.
“Është krijuar një klimë për fat të keq ku po ngrite një shqetësim, një kritikë, për cilindo institucion, shkel në një terren acid, ku digjesh menjëherë se turren të gjithë. Ne duam të bëjmë një ambient ekonomik të mbrojtur, një ambient informimi ku të mbizotërojë liria e informimit, por nuk duhet të depërtojë dezinformimi. Një ambient ku ka verifikim të fakteve”, tha Braçe, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e institucioneve në këtë drejtim.
Braçe i bëri po ashtu apel edhe medieve që të tregohen të kujdesshëm në verifikimin e burimit të lajmit. Shumë herë, sipas tij, mediet shqiptare janë bërë emetuese të lajmeve të rreme të cilat vijnë me burime nga jashtë vendit.