Kompania e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit të zgjedhur të SHBA Donald Trump, merr statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit.
Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama më 30 dhjetor 2024, duke pranuar propozimin e kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC dhe t’i japë asaj status të investitorit strategjik me procedurë të veçantë. Vendimi mban firmën e Ramës dhe të 7 anëtarëve të tjerë, zëvendëskryeministres Balluku, ministrave Gonxhja, Vengu, Malaj, Kumbaro, Denaj dhe të avokatit të shtetit Odise Moçka.
Sipas këtij vendimi investimi në ishull nga kompania e dhëndrit të Donald Trump kap vlerën e 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 përqind të ishullit apo në një sipërfaqe prej 45 hektarësh.
“Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë Euro”, thuhet në vendimin e KIS.
Me miratimin e statusit, kompania e lidhur me Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, do duhet të negociojë një kontratë me kompaninë publike Korporata e Investimeve Strategjike, ndërsa një sërë institucionesh shtetërore, përfshi ministritë e Infrastrukturës, Mbrojtjes, Mjedisit, Ekonomisë vihen në dispozicion të kompanisë për të transferuar pronën dhe përgatitur dokumentacionin për lehtësim të punimeve.
Vendimi i KIS nuk bën me dije se çfarë përfiton Shqipëria nga transferimi i pronës publike në favor të kompanisë amerikane, por përmendet se do të negociohet një kontratë me kompaninë amerikane, ku edhe Shqipëria do jetë pjesë e këtij investimi. Kjo ishte paralajmëruar edhe nga kryeministri Edi Rama.
Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpërmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane.
Projekti i propozuar nga subjekti aplikues “Atlantic Incubation Partners” LLC shoqëri e të drejtës amerikane me Nr. identifikimi (EIN) 92-3329707 do t’i nënshtrohet një procesi shqyrtimi dhe analizimi për të vlerësuar kushtet dhe kriteret e mundësisë së bashkëpjesëmarrjes së shtetit shqiptar në këtë investim strategjik sipas parashikimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1030, datë 16.12.2015 “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS)”.
Vendimi i KIS parashikon një sërë hapash që do ndërmerren kryesisht nga institucionet shtetërore në Shqipëri, për të ndihmuar kompaninë në sigurimin e pronës, dokumentacionin e nevojshëm dhe veprime të tjera që pritet të përmbyllen në tre muajt në vijim. Kompania nga ana tjetër do duhet të nënshkruaj një kontratë me Korporatën e Investimeve Strategjike dhe Albanian Seaports Development Company sh.a ndërsa do duhet të sigurojë me investimin e vet ujin, energjinë e të ngjashme.
“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane”, thuhet në vendim.
Vendimi i KIS bën me dije se statusi jepet për një periudhë 10 vjeçare dhe se ndërtimi parashikohet të jetë i ndarë në tre faza.
“Statusi “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” i jepet projektit të investimit “Resorti Turistik - Ishulli i Sazanit” për një periudhë 10 vjeçare. Ky afat do t'i shërbejë projektit strategjik për përfitimin e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, si dhe plotësimin e detyrave dhe planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim. Ndërkohë, marrëveshja që do të nënshkruhet, pas negocimit dhe finalizimit sipas parashikimeve ligjore, në fazat e mëtejshme të vlerësimit të projektit, do të parashikojë afatin e nevojshëm të realizimit të plotë të investimit, angazhimet dhe detyrimet e ndërsjellta mes palëve dhe masat e detajuara mbështetëse, që përfiton ky projekt, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim.
Deri në 1 mijë persona parashikohet që të punësohen në këtë resort.
"Përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 1,000 (një mijë) persona", thuhet në vendim.
Ky investim propozohet si një projekt i integruar me marinë turistike si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike, zona rekreacionale me shërbime në funksion të tyre.
Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit që shkoi dhe kryeministri Edi Rama foli hapur në favor të tyre ndërsa i tha Nju Jork Times se interesimi i kompanisë së Kushner e bënte atë “krenar dhe të lumtur”. Projektet financohen nga kompania e investimeve e Kushner Affinity Partners, e cila mbështetet në fonde nga qeveria e Arabisë Saudite.
Planet dhe aprovimi apriori i qeverisë shqiptare u kritikuan nga opozita se po bëheshin për të përfituar favore politike në rast të rizgjedhjes së Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe mungesës së transparencës e garës.
Projekti i resortit në Sazan
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Vetëm me investimin e shtetit do ndërtohet resorti e do nxjerr fitimin dhe Trumpi me kompani. Po investimi i Trumpit ku do shkojë?
PërgjigjuShkoni e shifni dokumentarin Dirty Money e kuptoni kush jan keto njerez. As me tret plehrat e mija nuk kisha pas besim
Përgjigju