I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për dhimbjet e kokës të lidhura me zona të caktuara të saj, llojet e dhimbjes dhe disa kura për të normalizuar situatën.
“Kur kemi dhimbje koke të përgjithshme, në përgjithësi kjo vjen nga niveli i stresit, ose nga tensioni që mund të kemi kaluar gjatë ditës, nga pagjumësia, ose ndoshta është fillimi i një gripi apo dhe rënia e imunitetit, pra kur nuk është e përcaktuar se ku është kjo dhimbje”, tha Altini në fillim të bisedës.
Një tjetër dhimbje është një pjesën e ballit, midis tëmthave dhe ballit, që vjen ose nga qëndrimi i shumtë në kompjuter apo në celular, ose mund të jetë fillimi i një migrene, ose një problematikë e sinuseve.
“Një tjetër dhimbje koke është tek pjesa pas kokës, që kryesisht ndodh paradite në mëngjes, që shkaktohet më së shumti nga problemet e hipertensionit, pra kemi një destabilitet të tensionit, ose mund të kemi një problem me cervikalen, sikurse mund të jetë një pozicion jo i rehatshëm fjetje, pa anashkaluar dhe problemet me shtyllën kurizore” shtoi Altini.
Dhimbja e kokës në pjesët anësore, majtas apo djathtas qoftë, vjen nga dhimbja e një dhëmballe të infektuar, ose një problem në vesh, ose mund të jetë migrenë, pasi migrena zakonisht jep dhimbje në një pjesë të kokës. Ndërsa dhimbja e kokës në pjesën e mbivetullave shkaktohet ose nga temperaturat e ftohta, ose nga lodhja e syve. Një tjetër dhimbje koke është ajo që fillon nga pjesa e nofullave deri lart, kjo tregon se kemi probleme të çregullimeve dentare. Dhimbja e kokës, zakonisht në mes të kokës, lidhet si me migrenën, me stresin apo dhe me tensionin. Nëse do kemi dhimbje koke dhe ethe, kemi një probabilitet që të kemi melingjit” tha Altini. Në rast se goditet koka, psh fëmijët kur luajnë dhe më pas ka humbje shikimi, duhet vajtur me urgjencë tek mjeku.
“Dhimbja e kokës midis hundës, vetullave tregon se mund të kemi probleme me sinozitin, apo probleme me shikimin të cilat nuk i kemi trajtuar, shpesh herë problemet me sytë japin dhimbje koke. Problemet hormonale tek femrat, shoqërohen gjithashtu me dhimbjen e kokës. Problemet me tiroiden gjithashtu mund të krijojnë dhimbje koke që përhapet nga qafa, nofulla, deri tek pjesa ballore. Kur kemi një dhimbje koke që zgjat, mund të jetë problem dhe ajo që njihet si zorra e irrituar, pasi çrregullimet në tretje mund të shoqërohen dhe me dhimbje të kokës” theksoi Altini.
Por a kemi metoda efektive natyrale që na ndihmojnë të largojmë dhimbjen e kokës?
Sipas eskpertit të mjekësisë holistike duhen evituar ushqimet e skuqura, sasia e madhe e djathrave të stazhonuar, ushqimet me yndyrna, ushqimet shumë të ftohta, sidomos akulloret, konsumimi i alkoolit është një problematik tjetër që shkakton dhimbje koke, sepse alkooli shkakton dehidratim. Problematike janë dhe përdorimi i lartë i kafeinës, apo i ushqimeve me ngjyrues dhe sheqer.
“Acidet yndyrore duhen konsumuar me patjetër, arroret, peshku, farat e lirit, vitaminat B2 dhe B12 duhen marrë në mënyrë natyrale. Kryesoja është konsumimi i ujit që trupi të qëndrojë i hidratuar” theksoi Altini, duke shtuar gjithashtu se nëse nuk konsumojmë ushqime me përmbatje hekuri, do kemi probleme me dhimbjen e kokës.
Por cilat janë disa kura natyrale që mund të përdoren?
“Së pari është speci pikant, pasi farat e tij nëse futen në ujë dhe konsumohen, zgjerojnë gati katër fish nivelin e enëve të gjakut dhe koka pushon, sikurse parandalojmë dhe ndonjë problem të rëndë që mund të shkaktohet nga dhimbja e tepërt e kokës. Elementi i dytë janë gjethet e lakrës, të cilat vendosen në pjesën e ballit përpara dhe në pjesën pas. Një tjetër element është çaji i pemës së limonit, gjithashtu një filxhan arra nëse konsumohen jep efekt qetësimi. Çaji i karafilit është gjithashtu shumë efikas ose sapo fillon t’ju dhembë koka përtypni në gojë gozhdë karafili. Nuk duhen harruar dhe vajrat esenciale, përzjerja e tyre në një enë plastike është shumë efikase. Shumë efektive është dhe vendosja e disa fetave patate tek pjesa e ballit deri tek tëmthi, sikurse vendosja e akullit të ftohtë, duke e lëvizur në pjesën frontale”.
Në fund Joka u ndal dhe në dhimbjen e kokës që shkaktohet nga stresi, e cila mund të nisë nga qafa deri tek pjesa ballore. Kjo dhimbje nëse bëhet e shpeshtë nuk duhet neglizhuar, pasi mund të kthehet dhe në një dhimbje koke kronike.
Komente
