Këshilli i Lartë Gjyqësor

Kronikë

Dhoma e Avokatisë Vlorë thirrje KLGJ-së: Gjykatat e Apelit në kolaps, qytetarët presin me vite për një vendim! Të merren masa emergjente

17 Shtator, 18:38| Përditesimi: 17 Shtator, 19:04

  • Share

Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë ka shprehur shqetësimin e saj për situatën në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në Gjykatën e Apelit Administrativ, ku mijëra çështje mbeten të bllokuara dhe qytetarët presin me vite për një vendim ligjor.

Sipas Dhomës së Avokatisë, mosfunksionimi i këtyre gjykatave, i shoqëruar me mungesë të gjyqtarëve dhe ambienteve, është rezultat i paaftësisë dhe keqmenaxhimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Çdo vonesë në shqyrtimin e çështjeve sipas Dhomës së Avokatisë, përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe dëmton besimin e qytetarëve tek drejtësia.

Dhoma e Avokatisë Vlorë i bën thirrje KLGJ-së të ndërmarrë masa emergjente për funksionalizimin e plotë të dy gjykatave, duke shtuar gjyqtarët dhe garantuar shqyrtimin efektiv të çështjeve të pezulluara. Sipas saj, çdo vonesë tjetër është e pajustifikueshme dhe rrit dëmin ndaj qytetarëve dhe rendit juridik.

Reagimi i plotë:

Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë shpreh indinjatën e saj të thellë për situatën e paprecedentë të krijuar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, dhe në Gjykatën e Apelit Administrativ, ku mijëra çështje janë të bllokuara dhe qytetarët presin me vite pa asnjë zgjidhje ligjore. Ky është një dështim i hapur institucional, për të cilin përgjegjësia i takon drejtpërdrejt Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Mosfunksionimi normal i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe i Gjykatës së Apelit  Administrativ i shoqëruar me mungesën dramatike të gjyqtarëve dhe ambienteve  në gjykatë (salla gjyqesh), të cilat vijnë nga  mosmarrjen e masave konkrete nga KLGJ, ka sjellë pasoja shkatërruese për aksesin në drejtësi. Familje të tëra, biznese, individë që presin prej vitesh vendime për fatin e tyre juridik, janë viktima të një sistemi të bllokuar nga paaftësia dhe keqmenaxhimi i  Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Dhoma e Avokatisë Vlorë thekson me forcë se:

1. Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe ajo e Apelit Administrativ janë kthyer në simbol të kolapsit të sistemit gjyqësor, ku vonesat nuk janë më përjashtim, por rregull i përditshëm.

2. Këshilli i Lartë Gjyqësor mban përgjegjësi institucionale të plotë, pasi nuk ka ndërmarrë asnjë zgjidhje të prekshme për të garantuar funksionimin minimal të këtyre dy gjykatave.

3. Çdo ditë vonesë në shqyrtimin e çështjeve është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, një dhunim i parimit kushtetues për gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe një rënie e besimit të qytetarëve tek drejtësia.

4. Harta gjyqësore e miratuar nga KLGJ, në vend që të sillte riorganizim dhe eficiencë, ka thelluar krizën dhe ka paralizuar më tej sistemin.

Dhoma e Avokatisë Vlorë i bën thirrje publike KLGJ-së të marrë menjëherë masa emergjente për funksionalizimin e plotë të dy Gjykatave të Apelit, duke shtuar numrin e gjyqtarëve dhe duke garantuar shqyrtimin e shpejtë dhe efektiv të çështjeve të mbetura pezull. Çdo vonesë tjetër është e pajustifikueshme dhe vetëm sa thellon dëmin ndaj qytetarëve dhe vetë rendit juridik.

Nëse KLGJ vijon të qëndrojë pasiv dhe indiferent, atëherë ky institucion do të mbajë mbi vete barrën e përgjegjësisë historike për kolapsin e drejtësisë në Shqipëri. Dhoma e Avokatisë Vlorë mbetet e palëkundur në detyrimin e saj për të ngritur zërin në mbrojtje të qytetarëve dhe për të denoncuar publikisht çdo dështim institucional që kthen drejtësinë në një premtim bosh. 

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?