Dhunohet për shkak të detyrës gazetari i Report Tv në Lezhë, Elvis Hila dhe gruaja e tij: S'më pengojnë të them të vërtetën dhe pse disave s'u pëlqen! Në kërkim 2 autorët

25 Janar 2023, 19:15| Përditesimi: 27 Janar 2023, 15:33

  • Share

LEZHË- Të thuash të vërtetën asnjëherë nuk është e lehtë, por ky ka qenë misioni i gazetarit Elvis Hila në Lezhë, mirëpo ky qëllim i ka kushtuar jo pak!

Për shkak të detyrës, referuar një lajmi të publikuar mesditën e kësaj të mërkure në Report Tv dhe Shqiptarja.com mbi një vendim gjykate, gazetari Elvis Hila është dhunuar nga 2 persona, tashmë të identifikuar dhe të shpallur në kërkim nga policia. Autorët, Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri nuk kanë kursyer as bashkëshorten e tij, Benereta Hila, e cila ishte në makinë së bashku me gazetarin në momentin kur ndodhi ngjarja.

Gazetari ka marrë fraktura në trup, për shkak të dhunës dhe është nisur drejt spitalit së bashku me gruan, ku kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor. Pas kësaj, kanë bërë kallëzimin në polici.

“Faji” i vetëm i tij ishte se raportoi vetëm të vërtetën dhe përpara kësaj, ai thotë se nuk do e ndalë asgjë. Në një lidhje telefonike nga Komisariati i Lezhës pas ngjarjes, Elvis Hila deklaroi se nuk do rreshtë së bëri detyrën e tij si gazetar, pavarësisht se e vërteta që ai përcjell, disa personave nuk iu pëlqen.

“Ia kam lënë në dorë drejtësisë, por kjo nuk më pengon në punën time që të them të vërtetën pavarësisht se disa segmenteve të caktuara nuk iu pëlqen”, tha Hila në Report Tv, pas sulmit.

Si ndodhi ngjarja?
Pas publikimit të lajmit në Report Tv dhe Shqiptarja.com, gazetari i Report Tv është telefonuar rreth orës 14:47 nga djali i Fran Amerit, i cili ka ofenduar dhe kërcënuar gazetarin Hila. Përsëri rreth orës 16:42, gazetari ka marrë një tjetër telefonatë, kësaj radhe nga Paulin Përgjini, i cili i ka kërkuar që të takohen përballë Bar Firence në afërsi të rrugës së spitalit të Lezhës.

Kur ka mbërritur në vendtakim, gazetari Hila shoqërohej nga bashkëshortja e tij Benereta Hila. Dy autorët, Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri kanë zbritur nga një mjet tip ‘Golf 6’ dhe i kanë kërkuar gazetarit që të zbresë nga makina. Ky i fundit nuk ka pranuar dhe është përballur me ofendime e kërcënime nga Përgjini dhe Ameri. Në një moment, bashkëshortja e gazetarit Hila ka zbritur nga makina për t’iu kërkuar dy personave të largoheshin. Ajo ka nxjerrë telefonin për të telefonuar policinë, por Ameri i ka rënë me dorë telefonit të saj, dhe kur Benereta Hila është ulur për ta marrë, Indrit Ameri e ka qëlluar me grusht në qafë.

Më pas pre e dhunës nga dy agresorët ka rënë edhe gazetari Hila, të cilin e kanë goditur me grushte e me shqelma.

"Jam me vendbanim në adresën e lartë përmendur, dhe punoj si gazetar i Report TV dhe Shqiptarja.com prej 10 vitesh. Sot me datë 25.01.2023 kam publikuar një lajm në portalin Shqiptarja.com dhe televizionin Report Tv ku unë punoj, në këtë lajm bëhet fjale për vendimin që është dhënë me datë 24.01.2023 nga Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë në lidhje me dënimin e shtetasit Fran Ameri për veprën penale "Falsifikim dokumentesh". Pasi lajmi është publikuar në mediat ku unë punoj rreth orës 14:47 të ditës së sotme më ka telefonuar nga numri i telefonit "+3556*****906 djali i tij duke më share, ofenduar dhe kërcënuar në lidhje me publikimin e bërë. Rreth orës 16:42 isha me bashkëshorten time dhe jam telefonuar nga një tjetër shtetas me numrin "+35569****336" i prezantuar si shtetasi Paulin Pergjini dhe me kërkoi që të takoheshim përballë Bar Firence në afërsi të rrugës së spitalit. Kur jam afruar aty e kam telefonuar numrin në fjalë dhe ka dalë nga një automjet tip Golf 6 i cili ishte i parkuar në anë të rrugës. Nga kjo makinë ka dale edhe shtetasi Indrit Ameri.

Më thanë që të parkoja makinën dhe të dilja nga makina. Unë e parkova në anën e rrugës së vjetër të spitalit dhe aty me janë afruar personat në fjalë të cilët unë i identifikova si Paulin Përgjini dhe personi tjetër me Indrit Ameri dhe filluan të më kërkonin llogari dhe të më kërcënonin në lidhje me lajmin e publikuar. Pasi unë nuk pranova të zbrisja nga makina tentuan të më hapnin derën e makinës dhe në këtë moment ka zbritur bashkëshortja ime shtetasja Benereta Hila që t’u thoshte që të largoheshin. Pasi bashkëshortja ime tentoi t’i largonte nga dera e makinës dhe po mundohej të telefononte policinë shtetasi me Indrit Ameri i ka rënë me dorë telefonit dhe pasi ajo është ulur për të marrë telefonin ky shtetas e ka goditur me grusht në pjesën e pasme të qafës. Dhe më pas kanë ardhur në drejtimin tim dhe ka tentuar të më nxjerrë me forcë nga makina. Pasi nuk arritën të më nxirrnin nga makina shtetasit Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri më kanë goditur me shkelma dhe grushte. Bashkëshortja ime ka hypur në makine dhe jemi larguar drejt spitalit ku dhe morëm mjekimet e duhura. Proces verbalin e kallëzimit pasi e lexoj dhe konfirmoj se thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e kuptoj çfarë kam thënë, e firmos pa asnjë vërejtje", ka dëshmuar në polici, gazetari.

Cili ishte lajmi për të cilin u dhunua gazetari Elvis Hila?
Gazetari i Report Tv Elvis Hila është dhunuar për shkak të detyrës dhe gjithçka lidhet me një lajm që ai ka publikuar ditën e sotme për Fran Amerin. Ky i fundit u dënua me një vit burg pasi kishte prodhuar një vendim gjyqësor të falsifikuar. Ameri u gjet fajtor për veprën penale "Falsikim Dokumentesh".

Ora 22:52
Dhunimi i gazetarit të Report Tv Elvis Hila, reagon Grupi Parlamentar i PD: Akt i papranueshëm, autoritetet të vënë para drejtësisë autorët

Grupi Parlamentar i PD-së ka dënuar dhunën ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij. Në emër të grupit të PD dhe anëtarëve të opozitës në Komisionin e Medias, deputetja Eralda Bano shkruan se sulmi ndaj gazetarit Hila është një akt i papranueshëm ndërsa u bën thirrje autoriteteve që të vënë para drejtësisë autorët.  

“Dhunimi i gazetarëve për shkak të detyrës është një akt i rëndë dhe i papranueshëm. Si anëtare e Komisionit të Medias dhe në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dënoj me forcë dhunimin për shkak të detyrës të gazetarit të Report Tv në Lezhë, z. Elvis Hila. I bëj thirrje autoriteteve përgjegjëses për arrestimin dhe dënimin e këtij akti të rëndë. Stop dhunës ndaj medias dhe gazetarëve. Mirënjohje pafund për punën e tyre të vështirë dhe të pazëvendësueshme në një vend demokratik.

Ora 22:32
Shoqata e Gazetarëve Europianë në Shqipëri dënon sulmin ndaj gazetarit të Report TV: Autoritetet të vënë para drejtësisë agresorët

1674682605_Screenshot1.jpg

Shoqata e Gazetarëve Europianë në Shqipëri ka dënuar sulmin ndaj gazetarit të Report TV, Elvis Hila i cili u dhunua mbrëmjen e sotme për shkak të detyrës. Në reagimin e bërë thuhet se sulmi ndaj medias është një agresion ndaj demokracisë, ndërsa i bën thirrje autoriteteve që të vënë para drejtësisë dy agresorët. Shoqata e Gazetarëve Europianë shkruan se do të njoftojë edhe autoritetet Europiane për sulmin ndaj gazetarit Hila. 

“Shoqata e Gazetarëve Europian, dega Shqipëri, dënon aktin e rëndë të sulmit fizik ndaj gazetarit të “Report TV” Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij. Shkak për këtë agresion fizik të paprecedentë është publikimi i një lajmi, teksa gazetari ka qenë duke ushtruar detyrën e tij. Dhuna ndaj gazetarit Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij për shkak të detyrës është tejet e rëndë dhe e dënueshme. Sulmi ndaj medias është një agresion ndaj demokracisë! AEJ dega Shqipëri i bën thirrje policisë së Lezhës dhe prokurorisë të vendosë para drejtësisë 2 agresorët. Ndërsa shprehim solidarizim me gazetari Elvis Hila për të cilin do të informojmë dhe autoritetet Europiane”-thuhet në reagimin e bërë nga Shoqata e Gazetarëve Europianë.

Ora 21:51
Nikolla dënon sulmin ndaj gazetarit të Report Tv Elvis Hila: Goditje ndaj lirisë së medias, autoritetet të zbardhin ngjarjen

1673790736_800061f843dbd103c.jpg

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij. Nikolla u ka bërë thirrje autoriteteve që të zbardhin ngjarjen dhe thotë se një sulm i tillë është goditje ndaj lirisë së medias. 

“Sulmi ndaj gazetarit të Report TV në Lezhë, Elvis Hila, dhe bashkëshortes së tij është një dhunë e dyfishtë: goditje ndaj lirisë së medias dhe njëkohësisht ndaj një gruaje. Dhuna ndaj medias është dhunë ndaj të gjithëve. Media e lirë është një shtyllë e shoqërisë së lirë, një nxitëse e demokracisë, e konsolidimit dhe kontrollit të institucioneve, e edukimit të vlerave demokratike. Inkurajoj agjensitë ligjzbatuese të zbardhin sa më shpejt, me përgjegjësi, profesionalizëm e transparencë këtë veprim të dënueshëm.”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

Ora 21:48
Dhuna ndaj gazetarit të Report Tv, Zhupa: Akt i rëndë! Duhet të ashpërsohet ligji kundër atyre që prekin njerëz të medias

1674139485_inazhupa.JPG

Ina Zhupa, si anëtare e komisionit të medias, ka dënuar sulmin nga gazetarit Elvis Hila. Ajo shkruan se ky rast duhet të shërbejë si një shtysë për të ashpërsuar masat ligjore për ata që guxojnë dhe prekin gazetarët.

“Akt shumë i rëndë i goditjes së gazetarit të Report Tv Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij.

Si anëtare e komisionit të medias dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt, që vjen për shkak të profesionit të gazetarit. I uroj shërim të shpejtë gazetarit Hila dhe bashkëshortes së tij.

Bëj thirrje policisë së shtetit të veproj me shpejtësi për kapjen e autorëve.

Është rasti që të na bëj më të ndërgjegjshëm si ligjvënës për të ashpërsuar masat ligjore për ata që guxojnë dhe prekin gazetarët. Duhet të kenë rrethana rënduese për shkak se gazetarët janë misionar të interesit publik dhe nuk kanë asnjë mjet për t’u mbrojtur nga sulmet për shkak të profesionit”, tha Zhupa.

 

Ora 21:43
Dhuna ndaj gazetarit të Report Tv, Unioni i Gazetarëve: Dënojmë ashpër sulmin, përbën agresion kriminal

Pas dhunës së gazetarit të Report Tv, Elvis Hila, ka ardhur edhe reagimi i Unionit të Gazetarëve. Në reagim e tyre kërkohet që autorët të vihen para drejtësisë. Ato e kanë konsideruar si një agresion kriminal, që duhet të marrë një përgjigje nga drejtësia.

“Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Akt banditesk mbi gazetarin dhe bashkëshorten e tij në Lezhë

Tiranë më 25 Janar 2023

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon ashpër sulmin dhunues mbi gazetarin Elvis Hila dhe bashkëshorten e tij, të ndodhur ditën e mërkurë në qytetin e Lezhës. Sulmi i dhunshëm i dy qytetarëve të identifikuar, mbi gazetarin për shkak të detyrës, përbën një agresion kriminal dhe të dënueshëm.

Kallzimi zyrtar nga gazetari Hila dhe bashkëshortja e tij ndaj dhunuesve përbën një arsye që policia lokale të ndalojë sa më parë autorët dhe t'i verë përballë drejtësisë. UGSH dënon me forcë aktin kriminal dhe mbështet plotësisht kolegun dhe bëhet pjesë e solidaritetit të krejt kolegëve të Lezhës, ndaj tij dhe familjes.

Kërkojmë nga autoritetet e policisë së shtetit të marrin masa të menjëhershme për garantimin e qetësisë dhe sigurisë së kolegut dhe familjes së tij si dhe mundësimin e gjithë lirisë për të ushtruar detyrën e vet si reporter.

Zyra Informuese. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Raport i përcjellë pranë Zyrës Informuese të UGSH”, thuhet në reagim.

Ora 20:41
Presidenti Begaj dënon dhunën ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila: Organet të zbardhin ngjarjen, sulmi ndaj fjalës së lirë i papranueshëm

Presidenti Bajram Begaj ka dënuar dhunën ndaj gazetarit të Report Tv Elvis Hila. Begaj i bën thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejt ngjarjen.

“Dënoj me forcë dhunimin e gazetarit të Report TV në Lezhë, Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij. Tek sa i uroj një shërim të shpejtë zotit Hila dhe bashkëshortes, inkurajoj institucionet shtetërore përgjegjëse të hetojnë dhe zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje. Cenimi i fjalës së lirë, presioni dhe mbi të gjitha dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme në një shtet demokratik”, shkruan Begaj.

Ora 19:50
U dhunua për shkak të detyrës, gazetari i Report TV: Kjo nuk më pengon që të them të vërtetën dhe pse disave nuk iu pëlqen

 

Nga Policia, ku ka dhënë deklarimet e tij, gazetari i Report Tv, Elvis Hila ka deklaruar se dhunën e ushtruar ndaj tij për shkak të detyrës ia ka lënë autoriteteve që ta zbardh, teksa tha se kjo nuk do të ndikojë aspak në punën e tij.

“Ngjarja ka të bëjë me lajmin që kam publikuar. Policia po kryen veprimet hetimore, janë kryer kontrolle në banesa, ia kam lënë në dorë drejtësisë, por kjo nuk më pengon në punën time që të them të vërtetën pavarësisht se disa segmenteve të caktuara nuk iu pëlqen”, tha Hila në Report Tv.

Ora 19:21
Dhunuan gazetarin e Report Tv në Lezhë, Policia: Shpallen në kërkim 2 autorët

1674670626_4269124522540284012919962130812019476004864n.jpg

Policia ka reaguar lidhur me dhunën ndaj gazetarit të Report Tv në Lezhë, Elvis Hila. Mësohet se 2 autorët janë shpallur në kërkim. 

"Lezhë. Goditen për shkak të detyrës një gazetar, shpallen në kërkim autorët e dyshuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shpallën në kërkim shtetasit I.(E). A. 35 vjeç, banues në Pllanë dhe P. L. 32 vjeç, banues në Manati.

Këta shtetas, rreth orës 16:40, në qytet Lezhë, i kanë dalë përpara shtetasit E.H., 32 vjeç, banues në Lezhë, me profesion gazetar, si dhe e kanë dhunuar fizikisht bashkë me bashkëshorten e tij shtetasen B. H., e cila në ato momente ka ndërhyrë.

Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se, këta shtetas e kanë dhunuar fizikisht gazetarin për shkak të detyrës.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tyre", njofton policia. 

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Rim: 26/01/2023 08:49

    Qa njerzish jan keto qa rrahin nje grua nuk e kuptoj si I ban dora

    Përgjigju
  • Iris: 26/01/2023 02:06

    Keshilla e pare,mos u tako me asnje shqipo qe te therret per /nje sqarim te vogel/.Shume /sqarime/ perfundojne keq.Keshilla e dyte,mos dil kurre nga makina kur je ne safari i rrethuar nga egersira,sepse nuk kuptojne as logjike,as fjale.Kyc dyert dhe dritaret dhe lajmero policine nga brenda makines,pa humbur kohe.

    Përgjigju
  • Avokatja: 25/01/2023 22:27

    ..........Duk Pergjini eshte dhe sekseri i Artan Hajredinajt.

    Përgjigju
    • eri: 26/01/2023 12:29

      Prandaj nuk me la te hyja ne nje gjyq familjare ky roja, paska pase porosite ky palo gjyqtare qe nuk e kuptoj pse nuk po merret ne veting.

  • Avokati: 25/01/2023 22:21

    Keto qe e kane godit gazetrin jane kusherinjt e Duk Pergjinit qe e takojme cdo dite ne deren e gjykates, dhe thote jam shefi sigurise gjykates.Duk Pergjini eshte shoku i ngushte i kryetarit gjykates KÇK Artan Hajredinajt.

    Përgjigju
    • Avokatja: 25/01/2023 22:42

      Artan Hajredinaj i ka zevendesu masen e sigurimit, e ka nxjerr nga burgu Fran Amerin.....

  • Me elvis hilen!!: 25/01/2023 22:08

    Skandaloze

    Përgjigju
  • Plera: 25/01/2023 19:23

    Kafshojini kto bisha qe levizin neper rruge, Kujtojne se kane cliru shqiperine, Futini ne kafaz plerat te hane supe me orar se i njohim mire trimat kur rrine ne qeline e ftohte.. 1 muaj kohe , dhe do flisnim, po ska shtet as deshire As vullnet ktu ne kte vend te piset, duan ti mbyllin gojen Gjithkujt, por jo shpesh ja dalin, burgjet jane plot Dhe me plot di behen...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?