Shoqata e Gazetarëve Europianë në Shqipëri ka dënuar sulmin ndaj gazetarit të Report TV, Elvis Hila i cili u dhunua mbrëmjen e sotme për shkak të detyrës. Në reagimin e bërë thuhet se sulmi ndaj medias është një agresion ndaj demokracisë, ndërsa i bën thirrje autoriteteve që të vënë para drejtësisë dy agresorët. Shoqata e Gazetarëve Europianë shkruan se do të njoftojë edhe autoritetet Europiane për sulmin ndaj gazetarit Hila.
“Shoqata e Gazetarëve Europian, dega Shqipëri, dënon aktin e rëndë të sulmit fizik ndaj gazetarit të “Report TV” Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij. Shkak për këtë agresion fizik të paprecedentë është publikimi i një lajmi, teksa gazetari ka qenë duke ushtruar detyrën e tij. Dhuna ndaj gazetarit Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij për shkak të detyrës është tejet e rëndë dhe e dënueshme. Sulmi ndaj medias është një agresion ndaj demokracisë! AEJ dega Shqipëri i bën thirrje policisë së Lezhës dhe prokurorisë të vendosë para drejtësisë 2 agresorët. Ndërsa shprehim solidarizim me gazetari Elvis Hila për të cilin do të informojmë dhe autoritetet Europiane”-thuhet në reagimin e bërë nga Shoqata e Gazetarëve Europianë.
Lajmi kryesor:
Dhunohet për shkak të detyrës gazetari i Report Tv në Lezhë, Elvis Hila dhe gruaja e tij: S'më pengojnë të them të vërtetën dhe pse disave s'u pëlqen! Në kërkim 2 autorët
B.V//ReportTv.al