Dialogu PS-Rithemelimi duket se po kristalizohet me caktimin e grupit të punës me nga 3 anëtarë nga secili krah për reformat që kërkojnë 3/5 në Kuvend. Në ‘Repolitix’ me Denis Mingën në Report Tv të ftuarit diskutuan mbi këtë aktualitet të ri të kuvendit dhe politikës. Gazetarja Danjela Maloku e ftuar në studio e shikon këtë dialog si fitore të opozitës.
'Tregon se ka patur negociata. Ka patur edhe interes të shtuar ndërkombëtar për të futur të gjitha palët të përfaqësuara në tryezat ku negociohen reformat e rëndësishme. Ky grup tregon forcën dhe imponimin e opozitës bashkë me kaosin e këtyre muajve në kuvend dhe ka ardhur si pasojë e dialogimit dhe kërkesës së opozitës për tu përfshirë në reformat. E shoh si fitore nga ana e opozitës përfaqësimin e barabartë. Të gjitha reformat do jenë me dakordësinë e të gjithë anëtarëve. Secili do ketë të drejtë veto. Gazment Bardhi zbuloi emrat e tij. Çupi është nga deputetet e rreshtuar krah zotit Bardhi. Nisur nga realiteti politik ka qenë në linjën e zotit Bardhi në çdo vendim që ka marrë.', tha gazetarja.
Deputeti socialist Xhemal Qefalia thotë se opozita ndodhet në një përçarje të thellë dhe përballë faktit që Berisha i akuzuar për korrupsion tashmë ndodhet 'i burgosur në shtëpi" Rithemelimi po kërkon 'strehim' tek partia e Lirisë së Ilir Metës.
'Keta duan të futen tek apartamenti i LSI-së, tek shtëpia e Lirisë. Se ai tjetri hipën lart mbi çati e hekura' tha Qefalia.
Qefalia shtoi se kaosin në kuvend këto muaj e krijuan ata deputetë që më parë ishin pjesë e grupit Basha dhe kjo për të marrë një lloj protagonizmi në sytë e elektoratit opozitar.
‘Normalisht mazhoranca ka obligimin të përgatis procesin zgjedhor në kushte normale. Mazhoranca që qeveris nuk duhet të hyjë vetëm duke vendosu me kartona. Komisioni bipartizan duhet të kryente në mënyrë normale punën e nisur prej saj. Por duke parë problemet e opozitës, vështirësoi punën. E gjithë gjëja u zhvillua që në vend të Enkeledit të ishte dikush tjetër. E gjithë kjo rrëmujë se cili do ishte protagonist për marrjen e vulës. Kishin divergjencat e tyre dhe kërkonin autorësinë nga kryetarja e Kuvendit. Protagonizmi kryesor ishte tek ata që u shkëputën nga zoti Basha. Donin protagonizëm që të ishin faktorë.’, u shpreh deputeti.
Sa i përket Reformës Zgjedhore, Qefalia tha se PS është për lista të hapura.
"PS është që listat të jenë të hapura. Brenda partisë te ketë një garë" , tha Qefalia.
Nga ana tjetër deputeti i Rithemelimit Luan Baçi u shpreh se edhe me këtë kod zgjedhor mund të futen në zgjedhje.
Reforma Zgjedhore është diskutuar këtë mbrëmje në “Repolitix” në Report Tv. Deputeti i Rithemelimit Luan Baçi nuk shprehu asnjë shqetësim edhe nëse nuk ndryshon sistemi zgjedhor por mbetet ky që është aktualisht.
“Mua nuk më duket e gabuar edhe kështu siç është, edhe me një zonë zgjedhore. Kjo e 1 zone zgjedhore që ju ngulni kembë, këmbëngulja juaj nuk është parimore. Mos u hiqni si parimor. Ju e keni për hallin tuaj. Kurse ne si PD nuk e kemi këtë hall sepse edhe kështu siç është edhe me nje zonë zgjedhore ne i mundim ata.”, shtoi Baçi ndër të tjera.
Gazetarja Danjela Maloku zbuloi në 'Repolitix' se së shpejti mund të ketë një bashkim të Berishës dhe Bashës dhe të shkojnë së bashku në zgjedhjet e 2025.
'Pak para zgjedhjeve do kemi një bashkim të Berishës dhe Bashës. Do jetë i pashmangshëm rruga e bashkimit mes Bashës dhe Berishës. Edhe votat e Bashës janë të domosdoshme. Berisha është kujdesur përgjatë disa kohëve edhe para se të izolohej që gjuhën ndaj zotit Basha ta kishte më të zbutur. Edhe ky i fundit ka folur për armëpushim. Gjithsesi janë larg.'
Amnistia Penale javën tjetër kalon për votim në seancë plenare, ku dhe duhen 84 vota. Deputeti i PS Xhemal Qefalia në Repolitix në Report tv tha se të gjitha gjasat janë që të kalojë.
"Lajmi është që të enjten në datë katër do zhvillohet seanca dhe të gjitha gjasat janë që amnistia të kalojë. Të gjitha hamendësimet janë bërë sepse po gjykohen po futen këto që janë dënuar nga GJKKO e krimeve kundër korrupsionit janë gjëra që nuk kanë sjellë në vëmendje të opinionit publik apo politik për të nxjerrë emra se kush përfiton.
Është parë që mazhoranca ka treguar humanizëm për ta sjellë në kuvend, zakonisht në memorien parlamentare në të gjitha amnistitë ka pasur dakordësi dhe nga opozita. Një individ që kalon nga statusi i paraburgosurit në të dënuar ai konsiderohet i dënuar. Unë kam një listë dhe kam nxjerrë emra individësh një jurist në Sarandë që i falej një vit. Tre policë nga Kukësi. Ne jemi dakort ta tërheqim. Nëse ka një mosdakordësi që kjo të mos kalojë çfarë problemi ka le të vazhdojnë të qëndrojnë ato në burg".
Madje deputeti u shpreh se ka propozuar që të amnistohen edhe protestuesit e Sali Berishës që sulmuan me forcë selinë blu .
"Kam propozuar në komisionin e sigurisë kombëtare që protestuesit që kanë protestuar te Basha i cili ishte i izoluar me Enkelejdin, unë kam propozuar që edhe ato të falen. të amnistohen. Ndoshta Basha këtu nuk ishte plotësisht dakort."
Deputeti i Partisë Socialiste, xhemal Qefalia zbuloi në 'Repolitix' se Partia Socialiste është për listat e hapura zgjedhore.
'PS është që listat të jenë të hapura. Brenda partisë te ketë një garë. Mendimi personal është të ishte mazhoritar, deputeti përballë deputetit të krahut tjetër. Në sallën e Kuvendit ka deputetë me 361 vota. Që me kaq vota mblidhet kur bllokohet trafiku. Po të marrësh në të gjithë qarkun e Tiranës dhe të vish në sallën e parlamentit dhe të thuash unë jam përfaqësues me 361 vota. Dil te qytetarët të votuan qytetarët përfaqësoji.'
Nga ana tjetër, ai tha se nga dialogu Ps-Rithemelimi nuk do preket në mënyrë absolute reforma në drejtësi.
'Nuk do preket në mënyrë absolute. Është mbajtur nën observim nga partnerët strategjikë. Promotore nxitëse e kësaj reforme ka qenë kjo mazhorancë. Filozofia e kësaj mazhorance është që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit.'
Kreu i PD Lulzim Basha si duket është i mirëpritur në grupin e Rithemelimit. Kështu tha deputeti Luan Baçi në "Repolitix" në Report Tv.
"Nuk përjashtojmë askënd, as Bashën. Ne jemi te demokratët", tha Baçi.
Deputeti PS-së Xhemal Qefalia debatoi në 'Repolitix' me deputetin demokrat, Luan Baçi në lidhje me ndryshimet në sistemin zgjedhor.
Qefalia tha se opozita kërkon vota në tavolinë, ndërsa Baçi u shpreh se mazhoranca ndryshoi kushtetutën në 2020 duke hequr koalicionet parazgjedhore me deputetët 'kërpëratat'.
Qefalia: Votat fitohen me qytetarët. Ju i doni votat në tavolinë.
Baçi: Prishët koalicionet parazgjedhor. Ndërhytë në kushtetutë më kërpëratat.
Qefalia: Nuk ka më pushtet në tavolinë. Nuk merret pushtet nga çadra. Rrini ku të doni. Votën ju a japin qytetarët.
Baçi: Rama prishi kushtetutën me kërpërata. Nëse do ishin koalicionet parazgjedhore ne do ishim në pushtet. Janë votuar në parlament me deputetë pupacë.
Qefalia: Ku i gjetëm ne o Luan deputetë të opozitës?
Baçi: Përveç zotit Murrizi dhe zonjës Hajdari të tjerët i morët ju dhe i futët brenda.
Qefalia: Kush i bëri listat?
Baçi: Basha.
Qefalia: Po Basha i PS-së është?
Baçi: Po ashtu duket.
Nënkryetari i Nismës Thurje, Pano Soko akuzoi opozitën për pazar me Partinë Socialiste pas dakodësisë për komisionet në Kuvend. Nga ana tjetër ai debatoi me deputetin demokrat Luan Baçi, pasi sipas tij PD nuk ka asnjë alternativë për reformën zgjedhore dhe do të qëndrojë tek pazari i 2008-ës.
Soko: Në çdo vend tjetër bashkimi i mazhorancës me opozitën do shikohej me optimizëm. Problemi që kemi ne është historia. Sa herë që opozitat janë ngritur kanë bërë ‘olelera’, me protesta çfarë ka ndodhur më prapa ka qenë Pazar. 2008 dhe më pas 2017. Interesi politik nuk është personal i individë. Marrëveshja nuk i shërbeu socialistëve i shërbeu Ramës, i shërbeu Sali Berishës. E donin lojën o unë o ti. Zotëri kur ju shoh juve që ziheni do përfundoni në Pazar. Ajo që shoh është se Rama po manipulon opozitën. Qëllimi që ka Rama është për të kapur reformën zgjedhore. Me Bashën nuk e bën dot. Propozimi që i erdhi në komision nga Lul Basha, ishte vërtetë ajo që dëshiruam të shohim këtë vend. Për të mos vijuar me metodën një herë ne një herë ju. PS ka 48.6% të votave ama ka 52% të mandateve në parlament. Për të marrë 74 mandate kur populli të thotë jo. Vetëm ky sistem e propozon këtë. Në 2020 kam qenë involvuar që opozita të kuptojë si funksionin sistemi. Për të kuptuar që kjo formë ligjet, ishin në funksionin të mazhorancës. Ju e pranuat në 2008 sepse u kapët peng me Gërdecin. Ju kapi te pika e dobët. Kishte shpresë Berisha se do hiqte qafe Ilir Metën.
Baçi: Ky është problemi që kanë partitë e vogla që kërkojnë një zonë zgjedhore që të dali një deputet. Jo të akuzoni ju Partinë Demokratike jo bën pazare... zmadhojeni partinë.
Soko: Këtë hall keni ju të mos ndryshojë sistemi. Ju nuk keni asnjë propozim për ndryshim sistemi.
Baçi: Nuk jam i autorizuar të flas zyrtarisht. Lëre Bashën në hallin e vetë. Për listat e hapura plotësisht dakord, madje shkoj pak më tej që rreshtimi të bëhet me listë emërore. Këto janë mendime të mia jo të grupit parlamentar të PD-së. Ti si përfaqësues i Nismës Thurrje nuk e ke problem të dalësh të thuash. Nuk ka qenë insistimi ynë të heqim Enkeledin dhe të vëmë Bylykbashin. Është problem parim.
Deputeti i Rithemelimit Luan Baçi në “Repolitix” në Report Tv tha se dakordësia mes PS dhe mazhorancës për ngritjen e dy komisioneve hetimore për ti dhënë fund kaosit në Kuvend erdhi për shkak se sipas tij u dorëzua PS.
“S’ka dashuri, ka dorëzim të mazhorancës nga protesta e opozitës. S’kishte ku të vente më. A ka qenë Rama ai që ka thënë ju nuk ekzistoni, nuk ju njoh, ju nuk jeni. Përgjigjen duhet ta japë mazhoranca”, tha Baçi.
Përgjigje mori nga deputeti i PS Xhemal Qefalia.
“Mazhoranca s’ka arsye pse të dorëzohet sepse i ka të gjitha numrat. Këto pretenduan se te ky komisioni do lejnë një vend bosh për të tërhequr Bashën. Përdorën taktikë për të tërhequr Bashën.”