Në Departamentin e Shtetit është duke u zhvilluar në këto momente dialogu strategjik midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë Shqiptare. Në takimin mes dy qeverive marrin pjesë përfaqësues nga një sërë institucionesh qeveritare. Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, që mbulon politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’, foli mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe gjendjen e demokracisë në Shqipëri.
Escobar tha se ky është takimi më i rëndësishëm mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesve të Shqipërisë në historinë moderne. Zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, u shpreh se Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe atë në Evropë dhe tashmë është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendi është bërë një faktor stabiliteti global.
‘Do të thoja gjithçka që ka të bëjë me marrëdhëniet dypalëshe. Ky është takimi më i rëndësishëm mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesve të Shqipërisë në historinë moderne. Ne do të kemi përfaqësues nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtes, ai i Tregëtisë, Korporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar, si dhe agjenci të tjera qeveritare për të gjetur rrugë për të thelluar bashkëpunimin strategjik. Në vitet e fundit Shqipëria është bërë një partner shumë i besueshëm për Shtetet e Bashkuara. Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe atë në Evropë. Tani që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendi është bërë një faktor stabiliteti global. Pra është e rëndësishme që të vazhdojmë të bashkërendojmë qëndrimet tona.’- u shpreh Escobar.
Lajmi kryesor:
Dialogu i partneritetit strategjik SHBA-Shqipëri, ministrja Xhaçka: Thellon marrëdhëniet tona dy palëshe! Escobar: Shqipëria faktor i stabilitetit global
M.Q./ReportTv.al