Me hapjen e kutive të para të numërimit në vend, nisi edhe hapja e votave të diaporës. Por, Partia Demokratike po përdor një strategji për të mos lejuar numërimin e votave të Greqisë, që janë rreth 52 mijë të tilla. PD kërkoi që çdo zarf me fleta votimi që ka ardhur nga Greqia të vendoset mënjanë dhe të mos numërohet, pasi PD pretendon se nuk janë plotësuar nga votuesit, por persona të PS.
PD kërkon që votat e Greqisë të ndahen më vete derisa të ketë një vendim KQZ ose komisioni i vlerësimit të votave, ndërsa PS është kundër.
Kjo situatë ka krijuar tensione brenda Parkut Olimpik. Taulant Balla i PS akuzoi drejtoreshën e Votimit nga jashtë në KQZ Jona Josifi se po shkel ligjin, ndërsa Flamur Noka i PD urdhëroi numëruesit që të lënë mënjanë të gjitha votat e Greqisë.
“Kush është prova që e konteston. Cila është arsyeja. Edhe ti nuk mund ta shkelësh ligjin edhe pse je përfaqësues e KQZ. Ti s’ke asnjë kompetencë. Ti po shkel ligjin dhe ne ruajmë të drejtën të bëjmë kallëzim penal”, tha Balla.
Në konferencë për mediat, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha se PD nuk ka dërguar asnjë provë për shkelje të ligjit me votat në Greqi. Por, gjithsesi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të pranojë kërkesën e Partisë Demokratike për të bllokuar procesin e numërimit të votave të diasporës nga Greqia.
Pas urdhrit që Flamur Noka ju dha numëruesve të PD-së që të mos hapin asnjë zarf të ardhur nga Greqia, KQZ ka dalë me një vendim në mesnatë ku bllokohet numërimi i votave të diasporës nga ky shtet, dhe do të vijohet me numërimin e shteteve të tjera.
Vendimi i KQZ
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka folur për kontestimin e PD për votat e Greqisë
“Mesazhet që përcollën në përfundim të procesit ët votimit, nuk kanë rezonuar mirë për të gjithë, po vlerësojmë situatën, kemi komunikuar me anëtarët e grupeve të numërimit për ta zgjidhur këtë situatë. Është në kompetencën e anëtarëve të grupit të numërimit për të vlerësuar çdo zarf, nëse ata nuk marrin vendim, këtë vendim e merr komisioni i administrimit të votave nga jashtë. Do marrim një vendim me këtë situatë. Jemi duke e vlerësuar, po bëjmë të gjitha përpjekjet që procesi të ecë.
Do marrim një vendim për ta zgjidhur këtë situatë. Me çfarëdolloj veshje askush nuk mund ta sfidojë ligjin, ne kemi gjithë qetësinë për ta zgjidhur. Është çështje kohe që çdo të kthehet në shinat e ligjit. Nëse dikush ka iluzione që me tematika të caktuara ka interes të sfidojë ligjin, është çështje kohe. Për ne është e rëndësishme që vendimmarrjet të jenë të qarta dhe të pakontestueshme nga kushdo. Nuk po i plotësojmë tekat një subjekti”, tha Celibashi.
PD po konteston numërimin e votës së Greqisë. Flamur Noka u ka dhënë urdhër numëruesve të PD në Parkun Olimpik që mos të numërohet asnjë votë e Greqisë.
Noka: Çdo votë e Greqisë, kalon mënjane.
Një debat pati edhe me një prej kandidatëve të Shqipëria Bëhet.
Kandidati: A është zvarritje? Pse se kemi ngritur zërin deri dje.
Noka: Këtu është masakër. Kush je ti ore, sa ushtarë ka këtu.
Komente
