Në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë, Ballkani fitoi 2-0 kundër Dinamos së Zagrebit, ndeshje e vlefshme për grupin C të Conference League, me gola të Almir Kryeziut dhe Ualid Hamidi. Pas ndeshjes për mediet foli trajneri i Ballkanit, Ilir Daja. Trajneri më herët i ka eliminuar kampionët e Kroacisë kur drejtonte Skënderbeun dhe sot i mposht me Ballkanin, duke treguar se në futboll nuk ka diferenca.
"Kemi bërë shumë histori sepse kemi dy vjet që po marrim pjesë në grupe, dhe performancat e duhura, kanë një emërues të përbashkët. Janë djemtë që kanë shumë elemente pozitive. Ulin diferencën për shkak të karakterit që tregojnë në fushën e lojës. Ata janë fituesit. Të gjithë bashkë po luftojmë për suksesin që e kemi. Me ekipe si Dinamo natyrshëm se nuk mund të bësh një lojë kaq brilante sepse kanë goxha eksperiencë. Këtë lloj diference ne e zbusim dhe e ngushtojmë me faktin që jemi grup dhe të gjithë bashkë luftojmë. Luftojnë ata që janë në fushë, ata në pankinë dhe ne që jemi nga prapa", tha Daja fillimisht.
Më pas trajneri u ndal edhe te forma e lojtarëve, duke treguar si i neutralizuan pikat e forta të Dinamos.
"Ne kishim studiuar kundërshtarin dhe pavarësisht rezultatin 2-0, është skuadër që duhet respektuar në maksimum për shkak të vlerave që ka. Dinamo ka pikë të forta me disa lojtarë. Ne sollëm një mënyrë loje që pikat e forta të tyre t’i neutralizonim. Kjo është pozitive, por pa karakterin e lojtarëve që unë drejtoj, nuk do të mund t’i arrinim këto suksese", tregoi Ilir Daja.
Lajmi kryesor:
GOLAT/ Ballkani mposht gjigantët e Dinamos, Besiktasi përmbyset nga Lugano! Legia me Muçin s'ia del në Conference League
S.Dh/ReportTv.al