Dimal Basha, në fjalën e tij të parë si kryetar i Kuvendit të Kosovës, falenderoi deputetët që e votuan ndërsa iu bëri thirrje partive politike për bashkëpunim, teksa tha se kanë dallime por Kosova është e të gjithëve. Ai tha se duhet të ndjekin shembujt e Skërnderbeut, Ibrahim Rugovës dhe UÇK-së.
“E ndjej nderin për votën dhe mbështetjen tuaj, njëkohësisht e ndjej edhe përgjegjësin që më është dhënë. Ky institucion është zemra e demokracisë tonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve tanë. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica, liria dhe shteti ynë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm”, tha ai.
Serbisë i kërkoi që të sillet në mënyrë demokratike dhe të njohë Kosovën. Ai tha se janë pro urave të bashkëpunimit që lidhin dy komunitetet. Një koment e pati edhe për bllokadën disa mujore në Kuvend.
“Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e kemi parë më herët. Por, mos harroni që me gjithë betejat, unë besoj fuqishëm që ka qenë një shkollë që i ka shërbyer demokracisë, por edhe emancipimit tonë si shoqëri. Në emër të kryetarit të Kuvendit ju bëj thirrje për bashkëpunim dhe unifikim, është koha të dëshmojmë se pavarësisht dallimeve politike, ne kemi guximin dhe mençurinë të punojmë së bashku për të ardhmen e vendit tonë, që u sakrifikuan gjenerata të shumta”, deklaroi Basha.
Lajmi kryesor:
Merr fund ngërçi politik në Kosovë, Dimal Basha zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit! I hapet rrugë konstituimit
Xh.D/ReportTv.al