Kosova & Rajoni

Merr fund ngërçi politik në Kosovë, Dimal Basha zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit! I hapet rrugë konstituimit

26 Gusht, 08:17| Përditesimi: 26 Gusht, 15:57

  • Share

Pas gati 5 muajsh seancash konstituive, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha, është zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës. Ai mori 73 vota pro, 30 kundër, ndërsa 3 deputetë abstenuan. Zgjedhja e tij i hap rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re pas një krize të gjatë politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Pro tij votuan edhe disa deputetë të PDK-së, AAK-së dhe një pjesë e pakicave, ndërsa LDK dhe Lista Serbe u shprehën kundër. 

Në fjalimin e tij të parë si kreu i parlamentit, Basha tha se shpreson për një Serbi demokratike që njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa partive në kuvend u bëri thirrje për bashkëpunim në të mirë të vendit. 

"Shpresoj për një Serbi të demokratizuar dhe që njeh pavarësinë e Kosovës. Jemi pro urave të bashkëpunimit dhe urave fizike që lidhin komunitetet tona. Të mos lojeojmë që gjeneratat e ardhshme të rriten në injorancë. Të bashkëpunojmë në parlament, kemi dallime partiake por Kosovën e kemi bashkë.", u shpreh ai.

Dimal Basha ka kryer detyrën e deputetit në parlamentin e Kosovës në 3 legjislatura. Kreu i ri i Kuvendit mban shtetësinë amerikane. Atje ai ka kryer shkollimin e tij universitar ndërsa angazhimet e tij kanë vijuar më tej me bashkëpunime politike me kongresmenin Eliot Engel. 

LVV kalon një pengesë të madhe në parlament ndërsa sfida e radhës pritet të jetë ajo e votëbesimit të qeverisë së re, për të cilën partisë së Kurtit do t'i duhen sërish numrat e nevojshme. 

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti fitoi 48 mandate në zgjedhjet e 9 shkurtit. PDK doli e dyta me 24 mandate, LDK e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate 8.

Lajm në përditësim…

Ora 14:22
Konstituimi i Kuvendit në Kosovë, votohen me 101 vota 3 nënkryetarët e propozuar nga LVV, PDK e LDK

1756211051_kuvendiikosoves.webp

Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala janë zgjedhur nënkryetarë me vota 101 pro, asnjë kundër dhe 9 abstenime. Dy nënkryetarët e tjerë duhet të propozohen nga pakicat.

1. LVV - Albulena Haxhiu
2. PDK - Vlora Çitaku 
3. LDK - Kujtim Shala

Ora 12:07
Dimal Basha flet si kryeparlamentar, thirrje partive për bashkëpunim: Serbia të njohë Kosovën

1756202892_c8c0e76652844c169c994b7d84cca9fc.webp

Dimal Basha, në fjalën e tij të parë si kryetar i Kuvendit të Kosovës, falenderoi deputetët që e votuan ndërsa iu bëri thirrje partive politike për bashkëpunim, teksa tha se kanë dallime por Kosova është e të gjithëve. Ai tha se duhet të ndjekin shembujt e Skërnderbeut, Ibrahim Rugovës dhe UÇK-së.

“E ndjej nderin për votën dhe mbështetjen tuaj, njëkohësisht e ndjej edhe përgjegjësin që më është dhënë. Ky institucion është zemra e demokracisë tonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve tanë. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica, liria dhe shteti ynë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm”, tha ai.

Serbisë i kërkoi që të sillet në mënyrë demokratike dhe të njohë Kosovën. Ai tha se janë pro urave të bashkëpunimit që lidhin dy komunitetet. Një koment e pati edhe për bllokadën disa mujore në Kuvend.

“Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e kemi parë më herët. Por, mos harroni që me gjithë betejat, unë besoj fuqishëm që ka qenë një shkollë që i ka shërbyer demokracisë, por edhe emancipimit tonë si shoqëri. Në emër të kryetarit të Kuvendit ju bëj thirrje për bashkëpunim dhe unifikim, është koha të dëshmojmë se pavarësisht dallimeve politike, ne kemi guximin dhe mençurinë të punojmë së bashku për të ardhmen e vendit tonë, që u sakrifikuan gjenerata të shumta”, deklaroi Basha.

Ora 11:45
U zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, kush është Dimal Basha?

Dimal Basha

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Por, kush është Dimal Basha?

Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt. Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.” Dimali gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The Neë School University,” po ashtu në New York.

Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë. Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mandi: 26/08/2025 13:55

    Bravo Kosova. Kosova tregoi se ka aftesi shtetformuese shume te larte. Rreth 6 muaj pas zgjedhjeve megjithese konstituimi i Kuvendit u vonua, por shteti ka funksionuar rregullisht ne te gjithe komponentet e tij.

    Përgjigju
  • franc: 26/08/2025 13:43

    Se ku e shikon erën e shtetit ky "Ganiu"në Kosovë një Zot e di,o Gani kosovarët futën në burgjet e Hagës luftëtarët që sollën lirinë,a nuk e shikon që qelbësira Kurti me plerat që ka mbledhur po përçajnë shqiptarinë në gjith rajonin,a e shikoni që me politikën e ndyrë që po bën Kurti nuk ka mbështetje ndërkombëtare etj.etj...

    Përgjigju
  • Ganiu: 26/08/2025 13:13

    ore qe Kosova Dardania ka demokraci dhe vjen era shtet nuk do mend me e kuptu por po na jep leksion ne te Shqiperise qe kemi 113 vjet shtet por qe nuk kemi ndertu shtet dhe me zi do shkoj ke ne. Merrni ore leksione nga Kosova me nje super demokraci ne cdo aspekt politike, ekonomike sociale etj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?