Ndeshje e çmendur nën rebeshin e "Elbasan Arenës". Teuta fitoi 2-3 me përmbysje kundër vendasve të Dinamos, me përballjen e javës së nëntë në Superligë që ishte e denjë për një "romancë futbolli". Fund i hidhur për "Nëndetësen" blu të Dinamos, që e sheh veten në fundin e klasifikimit. Sfida u hap në minutën e 32 nga Kaçorri, që kaloi në epërsi skuadrën e Di Biagos. Do ishte sërish Dinamo që në të 55 minutë shënoi për 2-0 me Denisson, duke e menduar lojën të mbyllur. Për t'i dhënë zemër durrsakëve mendoi Peposhi, që shkurtoi shifrat në 2-1 në të 73 minutë, para se Realdo Fili të kthente në gol një 11 metërsh në minutën e 84. Kur dukej se skuadrat do ndanin nga një pikë, Artan Jazxhi në shtesën e shtatë të ndeshjes përmbysi gjithçka me golin e tij dhe i dha tri pikë me përmbysje Teutës. Me këtë sukses Teuta shkon në kuotën e 11 pikëve me një ndeshje më pak dhe mban vendin e tetë, ndërsa Dinamo me shtatë pikë renditet në pozitën e fundit (10).
Pas humbjes, trajneri i Dinamos Luigi Di Biagio ka dhënë dorëheqjen paçka kontratës 2-vjeçare. Dritan Mehmeti pritet të rikthehet në stolin e Dinamos, me objektivin që është kalimi i krizës.
"Dorëheqja? Gjithë jetën kam qenë njeri i ndershëm, korrekt dhe i sinqertë dhe sot jap dorëheqjen në respekt të një klubi me histori si Dinamo. Ndoshta nuk kam arritur t’u transmetoj këtyre djemve atë që kisha, por në ndeshje duhet të bësh më shumë. Jam këtu për të falenderuar drejtuesit dhe klubin pasi është me histori të rëndësishme", tha italiani për MCN.
Lajmi kryesor:
GOLAT/ Teuta tregon pse futbolli s'parashikohet, përmbys 2-3 Dinamon dhe detyron Di Biagion të dorëhiqet! Kukësi mposht me një gol Laçin
S.Dh/ReportTv.al