Në mbledhjen e zhvilluar sot nga Konferenca e Kryetarëve, Kuvendi ka shtyrë ngritjen e komisioneve hetimore për tre çështje të adresuara nga PD.
Duket se Kuvendi do të shkojë drejt ngritjes së Komisioneve Hetimore të kërkuara nga Partia Demokratike për 3 çështje. Vetë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, thotë se do të diskutohen vetëm parimet.
"Kuvendi, në rastet kur kërkohet ngritja e komisionit hetimor nga një e katërta e deputetëve, ka detyrimin që të mos e diskutojë ngritjen e komisionit, por ia nënshtron diskutimit parlamentar shkallën e respektimit të parimeve kushtetuese në objektin e veprimtarisë së tij. Ky debat realizohet me qëllim gjetjen e një konsensusi ndërmjet palëve lidhur me objektin e hetimit, deri në arritjen e një vendimmarrje", tha Balla.
"Komisionet hetimore parlamentare janë një instrument në duart e Kuvendit, pra edhe të opozitës, për të hetuar çështje me interes publik. Por puna e tyre rregullohet nga një ligj i posaçëm, por i vendosur në një kornizë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që thotë se objekti i hetimit duhet diskutuar. Ne do të fillojmë një proces diskutimi me opozitën për objektin e punës së këtyre komisioneve për të synuar të arrijmë në konsensus për atë që është propozuar. Edhe numri i anëtarëve të komisioneve nuk ka pse të jetë kaq i madh", vijoi ai.
Balla tha gjithashtu se deputeti i LSI Petrit Vasili ka kërkuar që të jetë të komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit
'Unë mendoj që edhe deputetët që nuk janë në grupet parlamentare të jenë aty", tha Balla, i cili në fund foli edhe për propozimin e mazhorancës për shtyrje të afateve të vettingut.
Sipas tij PS do të kërkojë një shtyrje deri në qershor të vitit 2024, pra 2 vite më shumë afat. Kreu i Grupit Parlamentar të PS tha se nga mazhoranca shpresohet që ndryshimet kushtetuese të bëhen brenda këtij sesioni parlamentar.
Opozita javën e shkuar ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e tre komisioneve hetimore lidhur me zgjedhjet e 25 Prillit, inceneratorët dhe për çështjen “Beccheti”.
Lajmi kryesor:
Merret vendimi! Deputetët do të mblidhen fizikisht në Komisione, kusht vaksina ose tamponi! Ngritja e 3 komisioneve hetimore i kalon Kuvendit
K.T.//ReportTv.al