Politikë

Merret vendimi! Deputetët do të mblidhen fizikisht në Komisione, kusht vaksina ose tamponi! Ngritja e 3 komisioneve hetimore i kalon Kuvendit

4 Tetor 2021, 10:34| Përditesimi: 4 Tetor 2021, 14:39

  • Share

Kuvendi vendosi sot për të zhvilluar mbledhjet me prezencë fizike të deputetëve në Komisionet e Përhershme Parlamentare. Në Konferencën e Kryetarëve u caktua që deputetët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose test PCR të 48 orëve të fundit. Ky vendim u mor edhe për gazetarët që do të ndjekin mbledhjet e komisioneve apo të seancës plenare. 

“Për të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve deputeti dorëzon pranë sekretarisë së komisionit certifikatën e vaksinimit ose testin PCR negativ të kryer jo më vonë se 48 orë përpara fillimit të mbledhjes”, thuhet në vendim.

Po ashtu theksohet se “me dakordësinë e kryesisë së komisionit parlamentar mbledhjet mund te zhvillohet edhe ne distancë nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik, me terminal të pavarur deri në përfundimin e gjendjes se epidemisë së shkaktuar nga Covid-19”. Prej disa ditësh opozita që në nisje të kësaj legjislature ka kërkuar që mbledhjet të zhvilloheshin me prezencë fizike.

Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve u diskutua edhe ngritja e komisioneve hetimore për tre çështje të adresuara nga PD, vendim që i kaloi seancës plenare. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, thotë se do të diskutohen vetëm parimet dhe objekti i hetimit, pasi ngritja e këtyre komisioneve është e detyruar. 

Balla foli edhe për propozimin e mazhorancës për shtyrje të afateve të vettingut. Sipas tij PS do të kërkojë një shtyrje deri në qershor të vitit 2024, pra 2 vite më shumë afat. Kreu i Grupit Parlamentar të PS tha se nga mazhoranca shpresohet që ndryshimet kushtetuese të bëhen brenda këtij sesioni parlamentar.

Vendim:

I. Zhvillimin e mbledhjeve te komisioneve te perhershme te Kuvendit duke respektuar distancimin fizik te deputeteve dhe masat e tjera mbrojtese per parandalimin e perhapjes se infeksionit te shkaktuar nga COVID-19. Per te marre pjese ne mbledhjet e komisioneve deputeti dorezon prane sekretarise se komisionit certifikaten e vaksinimit ose testin PCR negativ te kryer jo me vone se 48 ore perpara fillimit te mbledhjes.

II. Me dakortesine e kryesise se komisionit parlamentar mbledhjet mund te zhvillohet edhe ne distance nepermjet mjeteve te komunikimit elektronik, me terminal te pavarur deri ne perfundimin e gjendjes se epidemise se shkaktuar nga COVID-19.

III. Ngarkohet Sekretari i Pergjithshem per mbeshtetjen me burime njerezore dhe logjistike te nevojshme per te siguruar zhvillimin e mbledhjeve te komisioneve parlamentare dhe marrjen e masave mbrojtese te nevojshme per parandalimin e perhapjes se infeksionit te shkaktuar nga COVID-19.

IV. Ky vendim hyn ne fuqi menjehere.

 

Ora 13:31
Komisioni për politikën e jashtme, Mazi: Shqipëria i ka plotësuar kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare me BE

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Politikën e Jashtme, kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE.

Mazi u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare. Lidhur me pyetjen e deputetes së Partisë Demokratike, Grida Duma për plotësimin e kushteve, Mazi theksoi se nga 15 rekomandime të vendosura në mbledhjen e mars 2020 në Zagreb, 11 prej tyre janë plotësuar, ndërsa 4 ishin kushte.

 “Tek ne është keqinterpretuar 4 dhe 11, janë quajtur të gjitha kushte. Unë e kuptoj, ka qenë valë, situatë para zgjedhjeve. Problemi është se janë marrë një e nga një dhe unë kam qenë personalisht në krye të kësaj pune dhe në koordinim me të gjitha ministritë, që të 15-ta të ndiqeshin hap pas hapi. Kemi raportuar në komisionet e Politikës së Jashtme dhe në të gjitha komisionet përkatëse si dhe Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian në Parlament. Unë kam ardhur vetë dhe kam marrë pjesë disa herë. Këto ecuri që ka pasur vendi ynë për plotësimin e këtyre 15 pikave i janë raportuar rregullisht nga ana ime komisionit dhe shteteve anëtarë të unionit që kanë ambasador këtu si dhe Brukselit. Çdo muaj kemi dërguar 11 raporte përditësimi si ka ecur puna për plotësimin e kërkesave”, tha Mazi.

Gjatë fjalës së tij ai ka folur edhe lidhur me mbledhja në Bruksel e Këshillit të bashkëpunimit të zbatimit të MSA midis Shqipërisë dhe Komisionit Europian, ku theksoi se Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Joseph Borrell dhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi thanë se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare.

“Në mars të këtij viti, me 1 mars pas tre vitesh u bë mbledhja në Bruksel e Këshillit të bashkëpunimit të zbatimit të MSA midis Shqipërisë dhe Komisionit Europian. Në këtë mbledhje të këshillit ku mora pjesë, delegacionin e kryesonte Kryeministri, si në mbledhje me dyer të mbyllura ashtu edhe në konferencën për shtyp. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Joseph Borrell dhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi thanë se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare. Kuptohet se në mars të këtij viti ishte përsëri konflikti maqedon-bullgar, por u theksua merita e vendeve. Kjo është baza e zgjerimit të rajonit”, tha Mazi.

Ora 12:35
‘Kafen e ujin ua paguan kryetarja’, zbuten tonet mes opozitës e mazhorancës! Kodheli: Dikur gjuanim njëri-tjetrin me shishe

Përveç diskutimeve mes opozitës edhe mazhorancës, Komisioni i Jashtëm është shoqëruar edhe me nota humori e ironie.

Ishte kryetarja e komisionit, Mimi Kodheli e cila ka shkaktuar të qeshura në sallë, pasi tha se kafet e deputetëve dhe ujin do e paguante ajo me rast mirëseardhje.

Madje ajo nuk e kurseu ironinë, duke kujtuar se dikur i gjuanin me shishe njëri-tjetrit në mbledhjet e komisioneve.

“Nëse nuk e keni konsumuar kafen, jeni të lirë të shkoni. Ky ujë dhe kjo kafe se paguan parlamenti, por kryetarja për mirëseardhjen, ndaj mendohuni mirë. Pastaj kemi ca sekretarë që thonë; Kafet para mbledhjes se nuk na lejohen. Nuk lejohen për arsye sigurie që mos të kishim shishe, pasi dikur i gjuanim njëri-tjetrin. Që ta dini se është gjithmonë kështu, pasi nuk është.”, tha Kodheli.

Ora 11:47
Deputetët e PD-së kërkojnë diskutime për nismën ‘Open Balkan’: Është projekt i Beogradit! Kodheli: Kërkoni ministren për shpjegime

 

Ka nisur me diskutime Komisioni Parlamentar në Politikën e Jashtme, ku deputetët e Partisë Demokratike kanë kërkuar që të diskutohet nisma për ‘Open Balkan’. Sipas deputetëve të PD-së kjo nismë është një projekt i Berogradit. Sakaq kryetarja e Komisionit u ka kërkuar që të mbledhin firmat dhe thërrasin ministren për diskutime.

Tomor Alizoti: Duam të diskutojmë nismën 'Open Balkan'

Çollaku: 'Open Balkan' është projekt i Beogradit, Rama e përqafon dhe e shet si shpikje të tij. Si ka mundësi të ecet në këtë rrugë. Ne duhet të bashkohemi drejt një qëndrimi. Erdhi presidentja e Kosvës këtu e na tha na e qani hallin. Si mundet të favorizojmë Serbinë

Kodheli: Mblidhni firmat dhe kërkoni ministrin në Komision për të diskutuar 'Open Balkan'

 

Ora 11:13
Komisionet parlamentare fizikisht, PD: Rikthyem ligjshmërinë në Kuvend! Ngritja e 3 komisioneve kalon në seancën e 14 tetorit

Kryetari i grupit parlamentar në PD-së, Alfred Rushaj tha se me vendimin e Konferencës së Kryetarëve u rikthye ligjshmëria në Kuvend. Rushaj tha se u ra dakord që komisionet hetimore të kalojnë në seancën e datës 14 tetor për diskutim dhe miratim. Rushaj shtoi se nuk kishte diskutime në lidhje me kufizimin e objektit hetimor për ndonjë nga komisionet.

‘Vendimi që u mor sot në Konferencën e Kryetarëve kishte të bënte me kthimin e ligjshmërisë për sa i përket komisioneve të përhershme parlamentare. Pas kërkesave tona, pas përpjekjeve tona për të vendosur ligjshmërinë në lidhje me punën që opozita duhet të bëjë në komisionet parlamentare, sot u ra dakord përfundimisht, formalisht që komisionet e përhershme parlamentare të bëhen ashtu siç rregullorja e parashikon me prezencë fizike, natyrisht duke respektuar çdo lloj rregulli dhe protokolli të sigurisë për sa i përket masave anticovid.
 
Po kështu u diskutua dhe ra dakord që të tre komisionet hetimore që opozita ka paraqitur në Kuvend të kalojnë në seancën e datës 14 tetor për diskutim  dhe miratim. Ne paraqitëm kërkesën tonë në përputhje me ligjin, në përputhje me Kushtetutën dhe pa dyshim i bëmë të qartë deputetëve të Partisë Socialiste që e drejta e opozitës për të ngritur Komisionet Hetimore, e drejta e opozitës për të caktuar objektin e hetimit është e patjetërsueshme dhe ne do ta respektojmë. 

Nuk kishte diskutime në lidhje me kufizimin e objektit hetimor të ndonjë prej komisioneve. Ajo çfarë u ra dakord është në seancën e mbledhjes së datës 14 tetor këto komisione të kalojnë në seancë plenare. Pa dyshim ne nuk tërhiqemi nga ajo çfarë Kushtetuta apo jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur në lidhje me objektin e komisioneve hetimore.

Ora 11:05
‘Do të filmojnë vetëm 5 minuta’, si do të ndiqen komisionet parlamentare nga mediat

Pas rregullave të reja si pasojë e masave anti-Covid, është zbardhur edhe rregullorja, ku përcaktohet edhe mënyrën e sjelljes me median.

‘-Kryetari njofton të pranishmit që në sallën e Komisionit përveç mikrofonave folës të çdo deputeti, ekzistojnë edhe mikrofonët ambientale, të cilat regjistrojnë çdo bisedë tjetër dhe gjithçka është e dëgjueshme në sallën e gazetarëve të katit të parë.

-Kryetari i Komisionit me verifikim të kuorumit të mbledhjes i komunikon specialistit të medias, i cili është prezent në sallë, që të thërrasë median dhe të njoftojë të pranishmit se gazetari kameraman ka të drejtë të fillojë pamjet vetëm 5 minuta.

-Përfaqësuesit e tjerë të medias, (gazetarët) mund të qëndrojnë fizikisht gjatë zhvillimit të mbledhjes së komisionit në vendin e caktuar për ta, në të gjithë kohën e zhvillimit të mbledhjes dhe nuk kanë të drejtë që të lëvizin në sallën e Komisionit.’, thuhet në rregulloren e komisioneve parlamentare.

Ora 10:56
Diskutimi për komisionet hetimore të kërkuar nga PD, PS: Kuvendi është i detyruar t'i ngrejë kur firmosen 35 deputetë, diskutojmë vetëm parimet

 

Në mbledhjen e zhvilluar sot nga Konferenca e Kryetarëve, Kuvendi ka shtyrë ngritjen e komisioneve hetimore për tre çështje të adresuara nga PD.

Duket se Kuvendi do të shkojë drejt ngritjes së Komisioneve Hetimore të kërkuara nga Partia Demokratike për 3 çështje.  Vetë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, thotë se do të diskutohen vetëm parimet.

"Kuvendi, në rastet kur kërkohet ngritja e komisionit hetimor nga një e katërta e deputetëve, ka detyrimin që të mos e diskutojë ngritjen e komisionit, por ia nënshtron diskutimit parlamentar shkallën e respektimit të parimeve kushtetuese në objektin e veprimtarisë së tij. Ky debat realizohet me qëllim gjetjen e një konsensusi ndërmjet palëve lidhur me objektin e hetimit, deri në arritjen e një vendimmarrje", tha Balla.

"Komisionet hetimore parlamentare janë një instrument në duart e Kuvendit, pra edhe të opozitës, për të hetuar çështje me interes publik. Por puna e tyre rregullohet nga një ligj i posaçëm, por i vendosur në një kornizë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që thotë se objekti i hetimit duhet diskutuar. Ne do të fillojmë një proces diskutimi me opozitën për objektin e punës së këtyre komisioneve për të synuar të arrijmë në konsensus për atë që është propozuar. Edhe numri i anëtarëve të komisioneve nuk ka pse të jetë kaq i madh", vijoi ai. 

Balla tha gjithashtu se deputeti i LSI Petrit Vasili ka kërkuar që të jetë të komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit

'Unë mendoj që edhe deputetët që nuk janë në grupet parlamentare të jenë aty", tha Balla, i cili në fund foli edhe për propozimin e mazhorancës për shtyrje të afateve të vettingut.

Sipas tij PS do të kërkojë një shtyrje deri në qershor të vitit 2024, pra 2 vite më shumë afat. Kreu i Grupit Parlamentar të PS tha se nga mazhoranca shpresohet që ndryshimet kushtetuese të bëhen brenda këtij sesioni parlamentar.

Opozita javën e shkuar ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e tre komisioneve hetimore lidhur me zgjedhjet e 25 Prillit, inceneratorët dhe për çështjen “Beccheti”.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?