Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon dëshmia e ish-diplomatit britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-Presidentit Hashim Thaçi, të dëshmojë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai përsëriti se nuk ka pasur dëshmi për dhunë të organizuar nga shqiptarët menjëherë pas luftës në Kosovë.
Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, u intervista të martën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila e pyeti atë për disa persona. Dëshmitari tha se nuk i kujtohen emrat e të gjithë komandantëve të zonave.
Gjatë paraqitjes në ekran të disa fotografive, prokurori Matthew Halling e shfaqi edhe një të Kadri Veselit. Britaniku tha se nuk ia dinte emrin por e dinte se ishte person me funksion të lartë në zbulim.
Duncan: Është me sa më kujtohet një nga njerëzit me funksion të lartë, në funksionin policor dhe të zbulimit.
Prokurori: Si e dini një gjë të tillë?
Duncan: Nuk ua them dot.
Prokurori: Nëse do të them që ky është Kadri Veseli, a ke arsye për ta kundërshtuar?
Duncan: Nuk kam arsye për ta kundërshtuar.
Prokurori e pyeti atë edhe për Xhavit Halitin, për të cilin dëshmitari tha se ishte person me interes të veçantë por për këtë ai vazhdoi të përgjigjej në seancë private.
Fotografitë që nxori prokuroria në ekran ishin nga një video e takimit që ishte mbajtur në mes të qershorit 1999, ku kishte marrë pjesë edhe vetë ish-këshilltari i Wesley Clark.
Gjatë paradites, seanca kaloi disa herë në sesion privat.
Dëshmitari, ndër të tjera tha se nuk i kujtohen emrat e të gjithë komandantëve
“Ju po më pyesni nëse mund të identifikoj individë, nuk isha atje për të thënë a i kemi të gjithë komandantët e zonave këtu. Ceku na kishte thënë që duhej të ishin të pranishëm komandantët e zonave, kaq më tha, pra unë kam menduar që ai kishte sjell të gjithë komandantët, nëse nuk i kishte sjell do të më thoshte që nuk është këtu njëri prej komandantëve të zonave”, tha ai duke folur për takimin e qershorit që e kishte zhvilluar me UÇK-në në vitin 1999.
Dëshmitari u pyet edhe për situatën menjëherë pas luftës në Kosovë dhe ai sërish theksoi se nuk ka pasur dëshmi që shqiptarët kanë kryer dhunë të organizuar.
“Ne nuk kemi pasur dëshmi se ka qenë dhunë e organizuar”, tha ish-diplomati britanik.
Të hënën, ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, në fillim të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, foli për rolin e tij në Kosovë.
Ai tha se detyra e tij ishte ta informonte Clarkun - gjeneralin që udhëhoqi fushatën bombarduese kundër caqeve serbe në vitin 1999.
Në ditën e parë të dëshmisë së tij, ai tha se se nuk ka parë komunikata të UÇK-së ku të jenë përmendur ekzekutime. Gjithashtu, theksoi se nuk ka pasur dëshmi se ka ekzistuar një Shtab i Përgjithshëm sipas pikëpamjeve ushtarake.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit të hënën, ai tha se Thaçi shihej si politikan dhe jo komandant i UÇK-së.
“Asnjëherë nuk e kam parë të jepte direktiva apo urdhra, ishte qartë që kishim të bënim me dy lloj njerëzish, e para, kishim të bënim me ushtarakun apo oficerin e nivelit të lartë, dhe e dyta ishte politikani. Kjo ishte përshtypja që më është krijuar mua", tha ai.
Ai gjithashtu tha se UÇK-ja nuk kishte strukturë hierarkike.
Dëshmia e tij vjen pasi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u dëgjua ish-ndihmëssekretari amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në negociatat në Rambuje, Paul Williams.
Paraqitja e provave të mbrojtjes nisi një javë më parë, më 15 shtator. Mbrojtja e Thaçit ka planifikuar t’i sjell 11 dëshmitarë në tërësi, pas së cilëve pritet të dëshmojnë dy të tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.
Paraqitja e provave të mbrojtjes pritet të përfundojë deri në mesin e nëntorit, ndërkaq, turpi gjykues pret që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.
Komente
