Kronikë

Dita e Ashures, Baba Mondi uron besimtarët bektashinj: Në këto kohë të vështira, të hapim zemrat tona e të jetojmë në paqe

19 Gusht 2021, 11:45| Përditesimi: 19 Gusht 2021, 13:29

  • Share

TIRANË- Besimtarë bektashinj kanë festuar Ditën e Ashures sot, e cila konsiderohet si dita më e rëndësishme për ta. Dita e Ashures cilësohet si dita e martirizimit të Imam Husejnit, i cili u rrethua në shkretëtirën e Qerbelasë 1400 vite më parë dhe u vra së bashku me një numër të madh besimtarësh të tjerë për të shpëtuar fjalën e vërtetë të Zotit dhe Islamit. Në kuadër të kësaj dite Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi bëri thirrje për më shumë mirësi, paqe dhe dashuri mes njerëzve.

“Apeli jonë mbetet më shumë: mirësi, paqe, dashuri mes njerëzve, pa dallim race, ngjyre, ideje apo feje. Në këto kohë të vështira, duhet të hapim zemrat tona e të jetojmë në paqe e në vëllazëri me njëri-tjetrin e me Zotin. Të duam e të respektojmë njëri-tjetrin në vendin ku jetojmë. Dëshmorët e Cerbelasë na qofshin në ndihmë të gjithëve e Zoti Lart na bekoftë”, tha Baba Mondi

"Dita e Ashures" përkon me ditën e dhjetë të muajit Muharrem, një ditë ku bëhet ëmbëlsira e ashures, simbol i bereqetit, shpërndarjes, unitetit dhe e cila sipas besimit islam, në këtë ditë janë përjetuar shumë ngjarje të rëndësishme që lidhen me jetën e profetëve.

Dita e Ashures, e cila rrjedh nga fjala "ashr", që do të thotë dhjetë në arabisht, është një ditë e rëndësishme për sa i përket historisë së profetëve. Ajo përkon me ditën e dhjetë të muajit të parë Muharrem të vitit hixhri.

Sipas burimeve të hadithit, në këtë ditë ka shpëtuar nga përmbytja anija e Hazreti Nuhut dhe ngjarja kur profeti Musa kalonte nëpër Detin e Kuq dhe shpëtoi popullin e tij nga Faraoni.

 

Ora 13:11
Balla uron besimtarët bektashinj: Gëzuar Festën e Ashures, në këtë ditë janë përjetuar shumë ngjarje të rëndësishme që lidhen me jetën e profetëve

Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka uruar besimtarët bektashinj me rastin e ditës së Ashures.

Përmes rrjetit të tij social Facebook, Balla shkruan se kjo festë përkon me ditën e dhjetë të muajit Muharrem, një ditë kur amvisat gatuajnë ëmbëlsirën e ashures, simbol i bereqetit, përkrahjes për më të varfërit, unitetit dhe e cila sipas besimit bektashian.

Ai shtoi se në këtë ditë janë përjetuar shumë ngjarje të rëndësishme që lidhen me jetën e profetëve.

“Gëzuar!”, shkruan Balla në fund.

Ora 11:53
Dita e Ashures, Meta uron besimtarët bektashinj: Simbol i sakrificave dhe dinjitetit njerëzor

Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët bektashinj, me rastin e Ditës së Ashures. Presidenti Meta shkruan se Dita e Ashures është simboli i sakrificave në emër të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Urime të përzemërta për të gjithë besimtarët bektashianë dhe popullin shqiptar: Gëzuar Festën e Ashures, simbolin e sakrificave në emër të lirisë, dinjitetit njerëzor dhe besimit! Shëndet të mirë dhe mbarësi në familjet tuaja!”, shkruan Meta.

Ora 10:17
Ruçi uron besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Ashures: Një kumt miqësie, solidariteti e paqeje

Me rastin e Ditës së Ashures, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar sot besimtarët bektashinj.

Në rreshtat e urimit të tij, kryeparlamentari shprehet se dita e sotme është ajo e shfaqjes së virtyteve më të mira të bektashinjve, një sintezë e vlerave njerëzore; një simbol i bashkimit dhe përpjekjeve për të kontribuar për mirëqenien e të gjithë njerëzve.

Ai shkruan se nëpërmjet kremtimit të kësaj feste, besimtarët bektashinj u dërgojnë të gjithë kombeve e popujve një kumt miqësie dhe solidariteti për të respektuar dallimet dhe diversitetin.

“Vlerat bektashiane marrin vlera të veçanta në botën e sotme të trazuar edhe nga konfliktet etnike  e fetare. Drita dhe mësimet e paqta të besimit u kundërqëndrojnë ekstremistëve, terroristëve dhe forcave të errësirës. T’i lexojmë të gjithë këto mësime të Bektashizmit!”, shkruan ai në fund.

Urimi i plotë i Ruçit: 

Dita e Ashures është një ndër ditët që shënojnë shfaqjen e virtyteve më të mira të bektashinjve; është një sintezë e vlerave njerëzore; një simbol i bashkimit dhe përpjekjeve për të kontribuar për mirëqenien e të gjithë njerëzve. Nëpërmjet kremtimit të kësaj feste, besimtarët bektashinj u dërgojnë të gjithë kombeve e popujve një kumt miqësie dhe solidariteti; për të respektuar dallimet dhe diversitetin; për të ndarë bashkërisht gëzimet dhe dëshpërimin, të mirën dhe të keqen, përfitimet dhe  përgjegjësitë, arritjet dhe mundimet, pasurinë dhe skamien,  bekimet dhe vështirësitë e jetës së përditshme. Vlerat bektashiane marrin vlera të veçanta në botën e sotme të trazuar edhe nga konfliktet etnike  e fetare. Drita dhe mësimet e paqta të besimit u kundërqëndrojnë ekstremistëve, terroristëve dhe forcave të errësirës. T’i lexojmë të gjithë këto mësime të Bektashizmit! 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Taleban Rexhep Kasap Bule Leka [kepi ]: 19/08/2021 10:28

    O Ilir Meta e vërteta festo dhe ca koh se Reçin do vizitosh e atje shum koh do kalosh e shum qef do bosh o Iliri kadosh.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?