Kosovë- Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.
Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë “befasisht” kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.
Për presidenten Vjosa Osmani, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa për popullin.
“Kosova e lirë, përjetë krenare! Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre”, shkroi Osmani.
Ditën e Çlirimit e uroi edhe presidenti Bajram Begaj ku shprehet se ndërhyrja e trupave të NATO-s ndaloi “masakrat çnjerëzore dhe spastrimin etnik kundër popullsisë civile që po ndodhte në zemër të Evropës.
12 qershorin e vitit 1999, disa ditë pasi ishte firmosur marrëveshja u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.
lajm ne perditesim...
Foto: Taulant Balla
Në 26-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, Ministri i Shtetit, Taulant Balla, ka kujtuar këtë datë historike si një nga momentet më të rëndësishme për popullin shqiptar dhe mbarë rajonin. Më 12 qershor 1999, pas një fushate 78-ditore të bombardimeve të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe policore serbe, trupat e KFOR-it hynë në Kosovë, duke shënuar përfundimin e luftës dhe fillimin e një epoke të re për vendin.
“Festojmë sot 26-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës. Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë hynë rreth 50 mijë trupa të KFOR-it, nga 39 kombe të ndryshme të botës, të cilat ua rikthyen shqiptarëve të Kosovës lirinë. Në këtë ditë të rëndësishme përkujtojmë epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroizmin e Adem Jasharit, kontributin e Presidentit Thaçi, të komandantëve dhe të çdo dëshmori e kontributori të lirisë, e paraprirë për vite me radhë nga rezistenca paqësore e Presidentit Rugova.”
Kjo ndërhyrje, e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mundësoi largimin e forcave serbe dhe kthimin e më shumë se 800 mijë refugjatëve shqiptarë në shtëpitë e tyre.
Lufta në Kosovë (1998-1999) la pas mbi 13.000 të vrarë dhe më shumë se 1.600 të zhdukur. Krimet e kryera nga forcat serbe janë dokumentuar gjerësisht, dhe shumë nga drejtuesit politikë e ushtarakë serbë janë gjykuar nga Gjykata e Hagës.
Sot, 26 vite më vonë, Kosova ka ecur drejt stabilitetit dhe njohjes ndërkombëtare, ndërsa trupat e KFOR-it, që në fillim përbëheshin nga 50.000 paqeruajtës, janë reduktuar në rreth 4.000 trupa nga 28 vende të botës.
Foto: Bajram Begaj
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar popullin e Kosovës me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.
“Gëzuar Ditën e Çlirimit, Kosovë!”, shkruan Kreu i Shtetit, duke kujtuar ditën historike të hyrjes së trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO në Kosovë, më 12 qershor 1999.
Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj thekson se kjo ndërhyrje ndaloi “masakrat çnjerëzore dhe spastrimin etnik kundër popullsisë civile që po ndodhte në zemër të Evropës”, duke e cilësuar një nga momentet më të rëndësishme të ndërgjegjes ndërkombëtare për t’i dhënë fund një prej faqeve më të errëta të historisë moderne.
Begaj nderoi gjithashtu luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shprehu mirënjohje ndaj aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që kontribuuan në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Shqipëria do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës, besimplotë në të ardhmen e përbashkët evropiane”, përfundon mesazhin e tij Presidenti Begaj.
Foto: Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Përmes një postimi në rrjetet sociale Osmani shprehet se 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa.
Osmani thekson se pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps.
Postimi i plotë
Kosova e lirë, përjetë krenare! Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre.
Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet.
Pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps. Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë!
Komente
