Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka reaguar në lidhje me Ditën e Europës.
Sipas Xhixhos, pesë prioritetet e Partisë së Lirisë kanë për qëllim integrimin europian.
"Sot është 9 Maji dita e Europës, dita e lindjes së projektit më të madh të paqes, unitetit dhe bashkëpunimit politik në kontinentin e vjetër. Në shtatë dekada të rrugëtimit të tij, jo pa pengesa, ai mbetet padyshim projekti më i qëndrueshëm politik, ekonomik dhe social. Dita e Europës është momenti që na kujton sfidat me të cilat duhet të përballemi për t’u bërë pjesë e saj, por edhe bindjen se nuk ka rrugë tjetër përveç integrimit në BE për Shqipërinë. Kjo ditë na kujton edhe njëherë se Europën duhet më së pari ta ndërtojmë këtu, duke e bërë Shqipërinë një vend që u ofron mundësi të gjithëve e jo vetëm e disave.
Largimi i të rinjve, mungesa e shpresës, varfëria, korrupsioni, pabarazia dhe abuzimi me pasuritë kombëtare mbeten problemet madhore që duhet të adresojmë gjatë udhëtimit tonë drejt BE-së. Pesë prioritetet e Partisë së Lirisë kanë për qëllim integrimin europian. Ndaj përmes integrimit ekonomik, investimit te kapitali njerëzor përmes edukimit, zhvillimit të bujqësisë dhe shndërrimit i Shqipërisë në fuqi eksportuese, ne synojmë ta afrojmë Shqipërinë më shpejt te familja të cilës i përket. Partia e Lirisë është e vetëdijshme se ky proces është mbi të gjitha proces meritokracie dhe përmbushjeje detyrimesh ndaj Bashkimit Europian dhe jo propagande boshe. Gëzuar ditën e Europës", shkruan Xhixho.
Lajmi kryesor:
Sot shënohet 'Dita e Evropës', Rama: Shqipëria, më afër se kurrë ëndrrës së vjetër
SI.E./ReportTv.al