Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar homazhe ditën e sotme pranë varrit të Ismail Qemalit në Vlorë me rastin e 108 vjetorit të Pavarësisë.
Duke folur për mediat, Kryemadhi ka bërë thirrje për bashkimin e të gjithë qytetarëve kundër asaj që e konsideron të keqen e këtij vendi si dhe për t'i bërë ballë shpopullimit të vendit.
"Do të dëshiroja që të falenderoja të gjithë popullin vlonjat për shkak të mikpritjes që i bëri Ismail Qemalit dhe firmëtarët e tjerë. ne sot në emër të LSI-së kemi vendosur një kurorë në nderim të kësaj ngjarje. Duam të kujtojmë dhe njëherë që bashkimi i gjithë shqiptarëve do të thotë bashkim vlerash, idesh, solidaritet më njëri - tjetrin sidomos në këtë vit të mbrapshtë. Sot më shumë se kurrë kjo ditë ka simbolikën e saj jo vetëm për sa i përket identitetit tonë kombëtar, por sot më shumë se kurrë kjo ditë duhet të na ndërgjegjësojë të gjithëve për të ndaluar njëherë e përgjithmonë këtë shpopullim të mbrapshtë që ka nisur në Shqipëri, ku me qindra e mijëra të rinj e të reja po largohen nga Shqipëria. Detyra e të gjithë politikanëve pa dallim të flamujve të tyre politikë, vetëm në një flamur “Kuq e zi”, t’u bëjmë thirrje të gjithë vajzave dhe djemve tanë, kudo që janë në të gjithë botën, të kthehen në Shqipëri. Sot Vlora është shtëpia e të gjithë shqiptarëve në këtë ditë flamuri, në këtë ditë të mrekullueshme, si 108 vite më parë, që të gjithë mendjet e ndritura të Shqipërisë u kthyen për të përballuar atë evazion të së keqes në Shqipëri, sot më shumë se kurrë edhe ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë, për të përballuar këtë evazion të shpopullimit dhe këtë mbytje të varfërisë dhe të mungesës së shpresës, me bashkimin të gjithë bashkë, për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë që ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve. Ju faleminderit, gëzuar festat, mbarësi të gjithëve. Zoti ju bekoftë ju dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë!" - tha Kryemadhi.
Lajmi kryesor:
108 vjetori i Pavarësisë/ Basha homazhe i vetëm te 'Varrezat e dëshmorëve': Bashkë do t'i japim fund krizës së pandemisë! Kryemadhi: Të ndalim shpopullimin
E.M./ReportTv.al