Logopedia Berjana Molla

Molla: Bëni më shumë për logopedin, që ne të bëjmë më shumë për shoqërinë

6 Mars 2020, 16:43| Përditesimi: 6 Mars 2020, 17:16

  • Share

Sot është Dita Europiane e Logopedisë, një prej degëve më të rëndësishme të mjekësisë dhe logopedia Berjana Molla i ka kushtuar një shkrim duke përmendur problemin më të madh në vendin tonë.

Ajo është shprehur se nëpër Europë në këtë ditë zhvillohen takime, organizohen konferenca, trajnime për të sensibilizuar dhe informuar të gjithë qytetarët, kurse në Shqipëri logopedët ndërrojnë vetëm foton në rrjetet sociale.

"Sot nuk do t’i përgjigjem një letre, pasi këtë ditë dua t’ia dedikoj logopedisë meqë është dita Europiane e saj.

Para se t’ju shkruaj për 'festën' e Logopedit në Shqipëri, do të shpjegoj çfarë është logopedia! Logopedia është një degë e shkencave teknike mjekësore e cila praktikohet nga specialistë të quajtur logopedë, të cilët punojnë me gamën e plotë të komunikimit njerëzor dhe çrregullimet e gëlltitjes në individë të të gjitha moshave.

Pra është shkenca që vlerëson, diagnostikon dhe trajton çrregullimet e të folurit, gjuhës, komunikimit dhe gëlltitjes te fëmijët dhe adultët.

E theksoj këtë pasi në Shqipëri ende nuk ka njohuri të plotë sa duhet mbi logopedinë dhe si çdo gjë në vendin tonë shpesh na identifikojnë si specialistë vetëm të 'fëmijëve me nevoja të veçanta' dhe pas kësaj fillojnë një sërë peripecish.

Ka prindër që nuk e çojnë fëmijën për rehabilitim gjuhësor se i trembet nofkëzimit, ka të rritur që nuk shkojnë te logopedi sepse mendon që është vetëm për fëmijët, etj.

Logopedi nuk 'dëmton' por ndihmon në zhvillimin e plotë të hallkave të zinxhirit gjuhësor, bashkë mund të kalojmë urën e komunikimit.

Tani do ju flas për festën në Shqipëri!!

Po i drejtohem kësaj dite me termin ‘festë në Shqipëri’, pasi në shtetet e tjera kjo ditë i dedikohet logopedit.

 Si?!! Duke organizuar konferenca, trajnime për të sensibilizuar dhe informuar mbi diagnozat e logopedisë, bashkangjitur panaire me materiale dhe pajisje për logopedinë.

Në Shqipëri?! Pjesa me e madhe e logopedëve ndërrojnë fotot në rrjetet sociale.

Shumë të tjerë urojnë ta gëzojmë festën dhe pas kësaj shpresojmë dhe urojmë që të njihemi, të përfshihemi edhe më shumë në strukturat spitalore, e arsimore.

Po ne vetëm kaq bëjmë edhe pse logopedia ka të paktën 10 vite që është degë e fakultetit të Shkencave Teknike Mjekësore, Universiteti i Mjekësisë Tiranë, ne sërish presim të njihemi.

Komunikimi është gjithçka, Logopedia është çelësi. Universiteti dhe institucionet e tjera shtetërore duhet të bëjnë më shumë për logopedin, që ne të bëjmë më shumë për shoqërinë."/Dritare.net

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?