Kupola e Hekurt 'pret' raketat mbi Tel Aviv

Bota

Ditë apo muaj? Sa mund të zgjasë 'kriza' e re midis Izraelit dhe Iranit! Sinjalet dhe rreziku i përshkallëzimit të konfliktit

14 Qershor, 21:38| Përditesimi: 14 Qershor, 22:00

  • Share

Rrënojat e një rakete iraniane në shkretëtirën jordaneze. Një dron-kamikaz i kapur pranë Detit të Vdekur. Mbrojtja ajrore amerikane në veprim për të ndalur breshërinë e “predhave” të lëshuara nga Republika Islamike. Dhe mbi të gjitha, paralajmërimet e forta të drejtuesve iranianë se do të godasin këdo që ndihmon Tel Avivin. Të gjitha këto janë shenja të një konflikti që mund të zgjasë gjatë.

Kohëzgjatja
Izraeli, që në orët e para të Operacionit “Luani që Ngrihet”, ka deklaruar se ofensiva do të zgjasë për disa ditë, një fushatë që do të zhvillohet në disa nivele. Këtë e ka përsëritur edhe Donald Trump, i bindur se do të ketë sulme të tjera. Për arsye të ndryshme. Së pari, sepse objektivat janë të shumta dhe të shpërndara në një territor të gjerë. Së dyti, disa prej objekteve janë të mbrojtura mirë dhe kërkojnë goditje të njëpasnjëshme. Së treti, inkursionet kanë dëmtuar vetëm pjesërisht impiantet bërthamore, si për zgjedhje strategjike ashtu edhe për shkak të vështirësisë — në mos pamundësisë — për të shkatërruar ato që ndodhen nëntokë. Së katërti, pasdaranët ende disponojnë një numër të madh hedhësish raketash tokë-tokë dhe një pjesë e tyre mbahet në rezervë. Gjeneralët duhet të llogarisin rezervat dhe taktikat për të ruajtur një ritëm të qëndrueshëm zjarri. Në prag të përplasjes, është vlerësuar në rreth 2 mijë numri i raketave në dispozicion të regjimit. Së pesti, vazhdohet me strategjinë e asgjësimit të komandës, me synimin për të eliminuar oficerë të tjerë.

Kryeministri Netanyahu synon të vazhdojw presionin, duke shpresuar të shkaktojë pasoja të brendshme brenda teokracisë, shpreson pwr revolta popullore. Një mesazh ku përzihen propaganda, dëshira dhe copëza të mbledhura nga inteligjenca. Ka gjithashtu gjasa që Mossad-i dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit të kenë ende surpriza rezervë, veprime që kthehen në goditje të njëpasnjëshme si lëkundjet e një “tërmeti”. Kjo bëhet për të mos i dhënë armikut asnjë çast qetësie dhe për të përforcuar idenë se Izraeli është i kudondodhur. Nevojitet kohë për të çuar përpara planin dhe, në të njëjtën kohë, për të parë se çfarë ndodh. Një “dritare” që, sipas deklaratave publike të presidentit amerikan, duhet t’i shtyjë ajatollahët të rikthehen në tryezën e negociatave për të shmangur pasoja edhe më të rënda. Izraeli, ashtu si Teherani, duhet të bëjë mirë llogaritë për “konsumin” e municioneve, veçanërisht të atyre që përdoren për të kapur raketat. Janë të shtrenjta, përdoren në sasi të mëdha, përdorimi i tyre duhet matur dhe nuk janë të pagabueshme.

Paralajmërimet

Ashtu si në të kaluarën, Pentagoni ka ndërhyrë për të ndihmuar Izraelin duke rritur sistemin e mbrojtjes nga raketat dhe dronët. SHBA po merr pjesë aktivisht në mbrojtje me avionë, bateri raketore dhe rrjet mbikëqyrjeje, të mbështetura në bazat amerikane në Lindjen e Mesme – nga Gjiri Persik deri në Mesdhe. Edhe Jordania ka luajtur rolin e saj, duke kapur mjetet shpërthyese të nisura nga Irani.

Ky përfshirje konsiderohet nga Teherani si akt armiqësor. Prandaj, Irani ka paralajmëruar edhe Francën e Britaninë e Madhe: “Nëse vazhdoni mbështetjen, do të godasim bazat tuaja.” Si? Ose duke përdorur armët e veta, ose përmes milicive aleate shiite – edhe pse këto aktualisht duken të tërhequra nga konflikti. Vetëm Houthit në Jemen, që nuk kanë asgjë për të humbur, kanë vazhduar të lëshojnë raketa drejt Izraelit, por nuk kanë ngritur "prita" për anijet në Detin e Kuq. .

Gjithmonë ekziston “plani B” – që i lihet në dorë “qelizave” të vogla përmes përdorimit të dronëve, automjeteve-bombë apo mjeteve shpërthyese. Shërbimet sekrete iraniane e kanë shqyrtuar shpesh këtë opsion dhe kanë grumbulluar të dhëna për objektiva të mundshëm, si brenda Izraelit, ashtu edhe jashtë tij.

Nga kampi iranian janë dëgjuar zëra që kërkojnë bllokimin e ngushticës së Hormuzit – një hakmarrje me pasoja të rënda për tregjet globale – një kërcënim i përdorur shpesh nga fraksionet më radikale, sidomos në periudha tensioni. Deri më tani, kjo mbetet një ide e shprehur nga disa deputetë dhe një ish-zyrtar i Gardës Revolucionare.

Rreziqet

Më e brishtë mbetet Jordania – një vend që kufizohet me Sirinë dhe Irakun, përmes të cilëve mund të depërtojnë rreziqe të ndryshme. Së fundmi, Aman ka denoncuar infiltrime të elementëve iranianë, ka ndërprerë trafik armësh dhe ka zbuluar lidhje të mundshme mes pasdaranëve dhe militantëve lokalë. Një rrjet i ndërtuar fillimisht për të ndihmuar çështjen palestineze, por që mund të ridrejtohet drejt objektivave të tjerë.

Një tjetër pikë e ndjeshme është Bahreini, ku ndodhet selia e Flotës së 5-të të Marinës Amerikane – por edhe një vend i tensionuar mes autoriteteve dhe komunitetit shiit. Dëshira për hakmarrje e regjimit iranian përplaset me nevojën për kalkulim strategjik. Shtrirja e konfliktit do të rrezikonte afrimin e ndjeshëm që ka ndodhur mes Teheranit dhe monarkive sunite të Gjirit.

Emiratët dhe vendet e tjera janë kundër çdo përshkallëzimi ushtarak. Ata shqetësohen për stabilitetin dhe ekonominë. Përfshirja e tyre në konflikt do t’i jepte përfitim armikut. Akoma më keq do të ishte nëse goditeshin objektivat amerikane, sepse kjo do të sillte një kundërpërgjigje edhe më të fortë nga Uashingtoni – një ndërhyrje më masive në krah të Izraelit./Corriere Della Sera

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?