Kryesocialisti Edi Rama zhviloi këtë të hënë një takim me qytetarë të Petrelës në Tiranë, ku foli edhe për përgënjeshtrimin e Partisë Demokratike nga ana e djalit të presidentit Donald Trump, Donald Trump Jr..
Sipas mediave pranë PD, Donald Trump Jr. ka anuluar një drekë në Tiranë me Ramën, të lobuar nga Richard Grenell.
"Jo vetëm kaq, por para se të vija këtu pashë... kjo është për të qeshur dhe për të qarë, nuk e di çfarë duhet të bëjë njeriu në këto kushte ku sheh dikë që ka qenë presidenti, kryeministri i këtij vendi, sot është në atë procesin biologjik të rrëshqitjes së ledhit, edhe nga ana tjetër përpiqet t’u tregojë njerëzve: që ka një forcë magjike, magjistarë nga Amerika, do fitojë, etj. etj., dhe sot kishte futur në lojë nëpërmjet një çyryku që mban afër edhe familjen e presidentit Trump. Sipas tij, kisha bërë një përpjekje për të shkuar në Beograd, prandaj nuk shkova te Papa për t’i dhënë lamtumirën, se po prisja të shkoja në Beograd, se aty do shkonte djali i Trump dhe aty unë me vëllain tim Vuçiç do futesha si fanti spathi dhe do ta përshëndesja, por kjo nuk qe e mundur, se kjo dështoi, se SHBA...
Deri këtu ok se ne i dimë këto, por kur sheh që detyrohen njerëzit e familjes së presidentit Trump të mohojnë këtë çmenduri të vjen turp. Se në fund të ditës, atje nuk e njeh njeri përveç atyre që marrin ato 6 milionë dollarë, po të çohet dhe Limi i Tylit i të paguajnë 6 milionë dollarë, vjen Latifi na e prezanton të gjithëve. 6 milionë dollarë për të ardhur një herë për të folur në dasmën e Limit të Tytit, vjen Latifi pa problem fare. Problemi është se pa ato 6 milionë dollarë nuk e di njeri kush është Limi. Është e njëjta gjë ekzaktësisht. Çfarë i mbetet në mend, i mbetet Albania. Ky është një udhëheqës shqiptar, kjo është një forcë konservatore shqiptare. Një çmenduri totale, prandaj them, nuk e di njeriu të qeshë apo të qajë."
Lajmi kryesor:
Djali i Trump përgënjeshtron PD, Rama: E turpshme! Lobimi 6 mln dollarë në shkelje të çdo ligji të Shqipërisë, ‘patriotët’ më kujtojnë baxhanakët e gjyqtarëve të korruptuar (VIDEO)
K.M/SI.E./ReportTv.al