Kandidati i PS për bashkinë e Hasit, Halit Mulaj ka folur për Report TV, lidhur me bllokimin e furgonit me pako me ushqime që u denoncua nga rivali i tij politik, Miftar Dautaj si veprim në përpjekje për të manipuluar votat e qytetarëve.
Mulaj tha se pakot e rezervave të shtetit të cilat shfaqen edhe në pamjet e publikuara, shpërndahen me vendim të këshillit bashkiak çdo vit për familjet në nevojë në Natën e Kadrit.
Sa i takon prezencës së djalit të tij, në ngarkimin e furgonit me pako ushqimore, Mulaj u shpreh se ai ishte gjendur rastësisht dhe personi përgjegjës i kishte kërkuar ndihmë për t’i transportuar pakot
“Personi përgjegjës e ka marrë djalin tim e ka çuar tek magazina. Rivali im ka shkuar me telefon duke bërë video duke e ekzagjeruar në mënyrë ekstreme ngarkimin e 15-16 pakove që do transportoheshin nga bashkia tek magazina për t;u shpërndarë ditën e sotme për familjet në nevojë”- u shpreh Mulaj.
Ai shtoi se kjo është diçka e përvitshme që kundërshtarët politikë po mundohen ta ekzagjerojnë duke shfrytëzuar fushatën elektorale.
“Djali më tha se i kishte rënë të kalonte aty. Personi përgjegjës e ka thirrur i ka thënë nëse mund t’i marrë pakot dhe t’i transportojë. Reagimi kaq ekstrem, kundërshtarët po e bëjnë si skandal. Po çfarë skandali është të shpërndash pako tradicionale për natën e Kadrit, kjo është bërë gjithmonë. Po këtë vit meqë është fushata duan ta ekzagjerojnë”- shtoi ai në një lidhje telefonike për studion e Report TV.
Lajmi kryesor:
Rivali politik i kapi djalin duke shpërndarë ushqime me furgon, kandidati i PS për Hasin flet për Report TV: Im bir ishte rastësisht aty! Pakot shpërndahen për Natën e Kadrit
B.V//ReportTv.al