Sociale

Zjarri në landfillin e Elbasanit, eksperti i mjedisit: Ndotja mbi normat e BE, rrezikohen qytetarët! Duhet matur dhe cilësia e ujit

5 Korrik, 13:02| Përditesimi: 5 Korrik, 16:07

  • Share

Prej disa ditësh qytetarët e Elbasanit dhe zonave përreth landifillit, po bashkëjetojnë me shtëllungat e tymit që vijojnë të ngrihen mbi masivin e mbeturinave. Sipas matjeve të bëra nga Co-Plan dhe Milieukontakt rezulton se mjedisi përreth landifillit si dhe zonat ku erërat kanë çuar tymin e mbetjeve të djegura, është alarmues.

“Dhe në këtë rast, sidomos në afërsi të zonës së landfillit, është e këshillueshme që lëvizjet të jenë sa më të pakta dhe të lëvizet me maska dhe mjete mbrojtëse për aparatin respirator. Kjo për sa i përket zonës kryesore aty ku ka ndodhur ndotja e ajrit apo vatrat aktive të zjarrit. Jo vetëm kaq, por edhe gjatë periudhës së ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, është një periudhë që nuk këshillohet që njerëzit të jenë të ekspozuar afër kësaj zone. Pas rënies së zjarreve dhe procesit të fikjes së zjarreve në landfill, kemi realizuar disa matje, rreth 500 metra nga landfilli, të cilat janë edhe distancat ku metodologjia e matjes lejon dhe matjen e parametrave të ndryshëm të cilësisë së ajrit”,- tha Sokoli.

Analizat e ajrit tregojnë se parametrat janë disa fish më të larta se normat e BE, duke nisur me praninë e shtuar të dioksidit të karbonit, atë të metanit, gati 4 herë mbi normën, dioksidin e karbonit, po ashtu mbi normat dhe me rrezikshmëri në rast të një ekspozimi mbi 1 orë e deri te elementë të tjerë shumë problematikë për shëndetin.

“Janë disa herë më lartë se normat, shkaktojnë kollë e marramendje, janë elementë toksikë që shkaktojnë edhe sëmundje të rënda në rast ekspozimi të gjatë”, tha ai. 

Eksperti i Green-Al, Imeldi Sokoli, tha në Report TV se ajri ishte i dëmshëm edhe për ata që gëzojnë shëndet të plotë, dhe se institucionet duhet të kishin informuar komunitetet për situatën

“Kemi edhe matjet që janë pamjet e stacionit ku ne marrim të dhëna në kohë reale në 24 orë në ditë për sa i përket cilësisë së ajrit. Në qytetin e Elbasanit kemi dy stacione matëse. Gjatë zjarrit, parametrat kanë kaluar nga ndotje e moderuar apo lëvizje e pashëndetshme për personat e ndjeshëm ndaj problemeve respiratore. Është e këshillueshme që të kemi sa më pak ekspozim në zonë’,- tha Sokoli.

“Sa i përket problemeve shëndetësore, unë nuk jam ekspert, por mund të ndikojë edhe personat që janë të shëndetshëm, duhet të kenë kujdes për ekspozime të tilla, sidomos për periudha kritike që tashmë ka kaluar”,- shtoi ai.

Sokoli flet dhe për pasojat e kësaj ndotje dhe në tokë e ujë. Lumi i shkumbinit, kalon shumë pranë landfillit, ndaj bëri thirrje për matje të shtuara.

“Këtu duhet përmendur edhe diçka tjetër, që landfilli në përgjithësi në shkallën e piramidës së menaxhimit të mbetjeve, është vendi i fundit, ku ne i çojmë mbetjet që asgjësohen. Nuk është e këshillueshme të jetë afër trupave ujore, sepse mbetjet e këtij depozitimi mund të depërtojnë në shtresat ujëmbajtëse dhe shtresa nëntokësore”,- tha eksperti.

Landifillet sipas ekspertëve nuk duhet të jenë afër zonave të banuara dhe aq më pak afër baseneve ujore, pasi lumenjtë i përhapin helmet duke ndotur bimësinë dhe gjallesat ujore deri në det.

Një ditë pas zjarrit, një grup ekspertësh mjedisor nga CO-Plan bënë matjet e ndotjes së ajrit në afërsi të landfllit të Elbasanit, ku endje vijon të jetë aktive vatra e zjarrit.

K.M/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?