VLORË - Operacioni, i koduar "The Passenger," ka rezultuar në kapjen e një 17-vjeçari, i cili është arrestuar pas një kontrolli në një automjet taksi, ku u gjet një armë zjarri automatike dhe dy krehra. Ky i ri dyshohet të ketë qenë duke tentuar të shiste armën në qytetin e Vlorës, teksa po udhëtonte me taksi në aksin Fier-Vlorë, drejt Tiranës. Policia kishte informacione më parë për taksinë në të cilën gjendej i riu me armë.
'Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Fier-Vlorë”, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga një 17-vjeçar, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit në bagazhin e një automjeti taksi, të cilin ky shtetas e kishte marrë për të udhëtuar drejt Vlorës, mes sendeve të tij personale, u gjet një armë zjarri automatike dhe dy krehra.', bën me dije policia.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim një tjetër individ, një 19-vjeçar Ergi Gjini, që dyshohet se ka bashkëpunuar me 17-vjeçarin për të siguruar armën e zjarrit. Pas kontrollit në shtëpinë e 19-vjeçarit, është gjetur një krehër tjetër arme, i cili është sekuestruar si provë materiale.
'Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. Gj., u gjet një krehër arme, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit (pushkë automatike) dhe dy krehrit që transportonte 17-vjeçari.
Vijon puna për kapjen e shtetasit E. Gj. dhe për dokumentimin e plotë të rastit.', vijon më tej policia.
Operacioni ka vazhduar për të kapur të dyshuarin e dytë dhe për të dokumentuar plotësisht rastin.
Materialet janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës për veprime të mëtejshme ligjore.
Sekuestrohen arma e zjarrit automatike dhe 3 krehra.
Komente
