Një përplasje, edhe fizike paraditen e sotme, mes militantëve të LSI-së dhe policëve bashkiakë në Fier, ka nxjerrë një dritë një fakt shumë të rëndësishëm. Kontratën e qiramarrjes së ambienteve ku Lëvizja Socialiste për Integrim kishte vendosur banderolat e ka të firmosur me një person të dënuar për organizatë kriminale dhe trafik droge në Itali, Fatmir Kajollin.
Kontrata e qirasë është firmosur nga vetë Fatmir Kajolli dhe nga kandidatja për deputete e LSI-së, Kejdi Mehmetaj. Kajolli ka qenë ish anëtar i këshillit bashkiak Fier nën siglën e PR dhe kohët e fundit ishte subjekti i OFL.
Ai rezulton të jetë i dënuar nga Gjykata e Milanos, në Itali, në vitin 2001, me 24 vite burg për veprat penale të “Shoqatë kriminale, trafikim, prodhim dhe posedim të lëndëve narkotike”.
Po ashtu, ndaj tij, Gjykata e Romës, po në Itali, në vitin 2000, ka vendosur dënimin me 16 vite burg për veprat penale të “Pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe shkeljet të ligjit për narkotikët”. Kajolli është një emër i njohur edhe në Fier, ndërsa është i njohur për angazhimin e tij pranë PR dhe njihet si mik i Fatmir Mediut.
Gjykata italiane e dënoi Kajollin pas disa përgjimeve dhe verifikimeve duke konstatuar se ishte i angazhuar në trafikun ë lëndëve narkotike. Në njërin prej tyre Kajolli është përgjuar duke folur me Sokol Genicën, të cilit gjithashtu sot i është dërguar i vetëdeklarimit nga OFL. Historia zë fill në gusht të vitit 1998, kur grupi i Genicës kishte mbetur pa furnitorë, ndaj edhe futi në lojë një tjetër personazh të fortë, Fatmir Kajollin. Vetë Genica rezulton i arrestuar për “trafik të lëndëve narkotike”.
Kjo ngjarje e sotme ka krijuar një reagim shumë të ashpër të Presidentit Ilir Meta, i cili i bëri thirrje fierakëve dhe të gjithë shqiptarëve që 'të mprehin sëpatat dhe sfurqet' se do mbrojnë votën.