FIER- Prej 2 ditësh, familjarët kanë humbur kontaktet me 78-vjeçarin Nasi Xhoxhi. I moshuari u largua nga shtëpia për peshkim në plazhin e Fierit dhe nuk është kthyer më ndërsa familjarët mendojnë se është mbytur në det.
Djali i tij, Altin Xhoxhi kërkon ndihmën e shtetit për gjetjen e babait të tij ndërsa dyshon se është mbytur.
Ai është shprehur se kërkimet e familjareve janë te pasuksesshme pasi kjo vije bregdetare ka shume gropa thithëse.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se 78-vjeçari mund të jetë mbytur në det, në plazhin e Semanit.
Vijojnë kërkimet për gjetjen e 78-vjeçarit nga ana e policisë.
Altin Xhoxhi, djali i 78-vjeçarit i cili rezulton i zhdukur prej dy ditësh ka kërkuar ndihmën e palombarëve që të gjejnë të atin e tij. I biri i të moshuarit thotë se vendi ku ka peshkuar i ati është zonë me bunkerë dhe duhet ndërhyrja e palombarëve. Ndër të tjera ai tha se dyshon se ka ndërruar jetë pasi makinën e gjeti me derë të hapur dhe rreth e përqark plazhit nuk kishte asnjë shenjë nga i moshuari.
“Herën e fundit e kam parë rreth orës 16:00. Vij këtu rreth orës 17:00 dhe gjej makinën e hapur dhe nuk konstatoj babanë këtu. E kontaktova në telefon, pashë edhe përqark dhe nuk e gjej. Më pas mora policinë. Pranë makinës gjeta një xhup dhe rrjetat e peshkimit.
Policia erdhi bëri detyrën, dua ndihmën nga shteti të vijnë palombarët se këtu ka bunker dhe mund të ketë ngecur brenda. S’ka pasur probleme shëndetësore, por ndoshta mund të ketë pasur arrest kardiak, edhe pse s’ka pasur probleme. Mund të ketë gropë thithëse.”- tha Xhoxhi.