Altin Xhoxhi, djali i 78-vjeçarit i cili rezulton i zhdukur prej dy ditësh ka kërkuar ndihmën e palombarëve që të gjejnë të atin e tij. I biri i të moshuarit thotë se vendi ku ka peshkuar i ati është zonë me bunkerë dhe duhet ndërhyrja e palombarëve. Ndër të tjera ai tha se dyshon se ka ndërruar jetë pasi makinën e gjeti me derë të hapur dhe rreth e përqark plazhit nuk kishte asnjë shenjë nga i moshuari.
“Herën e fundit e kam parë rreth orës 16:00. Vij këtu rreth orës 17:00 dhe gjej makinën e hapur dhe nuk konstatoj babanë këtu. E kontaktova në telefon, pashë edhe përqark dhe nuk e gjej. Më pas mora policinë. Pranë makinës gjeta një xhup dhe rrjetat e peshkimit.
Policia erdhi bëri detyrën, dua ndihmën nga shteti të vijnë palombarët se këtu ka bunker dhe mund të ketë ngecur brenda. S’ka pasur probleme shëndetësore, por ndoshta mund të ketë pasur arrest kardiak, edhe pse s’ka pasur probleme. Mund të ketë gropë thithëse.”- tha Xhoxhi.
Lajmi kryesor:
Fier/ Doli nga shtëpia për të peshkuar në det, 78-vjeçari nuk kthehet më! I biri kallëzim në polici: Mund të jetë mbytur në det
G.MO/ReportTv.al