Ish-presidenti Donald Trump ka lënë spitalin ku i janë kryer të gjitha ekzaminimet e mundshme dhe është rikthyer në shtëpi në New Jersey pas sulmit me armë gjatë një mitingu në Pensilvani. Shërbimi Sekret bëri të ditur se një person u vra në audiencë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë. Agjentët qëlluan për vdekje autorin në vendngjarje, thuhet po ashtu në komunikatë.
Trump tha se u qëllua me një plumb që i “shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë”. “E kuptova menjëherë se diçka nuk po shkonte kur dëgjova krisma, të shtëna, dhe menjëherë ndjeva se plumbi po çante nëpër lëkurë”, shkroi Trump në llogarinë e tij në Truth Social.
Trump falënderoi Shërbimin Sekret dhe forcat e zbatimit të ligjit për punën e tyre.
'Çka është më e rëndësishme,” tha ai, “dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjen e personit që u vra, si dhe për familjen e një personi tjetër që u plagos rëndë. Është e pabesueshme që një akt i tillë mund të ndodhë në vendin tonë.'
Incidenti ndodhi pak ditë përpara Konventës Kombëtare Republikane, në të cilën Trumpit pritet t’i konfirmohet nominimi i partisë si kandidat presidencial në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Lajmi kryesor:
SHBA/ Të shtëna me armë ndaj Donald Trump! Plagoset në njërin vesh, vritet atentatori 20 vjeçar! Dyshime si funksionoi siguria ndaj ish presidentit
M.Q./ReportTv.al