Kryeministri Edi Rama, gjatë rubrikës “Sy m’sy”, tha se dorëheqjet e drejtorëve në bashkitë e vendit ishin të domosdoshme. Ai përmendi rastin e Vlorës, teksa tha se në pak ditë aksioni në territor, ka shumë ndryshime. Dhe këto ndryshime, thotë Rama, nuk vijnë nga buxheti shtesë, por thjesht nga vëmendja e shtuar ndaj problematikave.
“Të mos i fusim të gjithë në një thes dhe të mos ngatërrojmë të njohim me të thatin. Dorëheqjet e drejtorëve nga strukturat e bashkive kryesore janë domosdoshmëri për t’i dhënë impuls tjetër bashkive, për të shkundur mekanizmat e topitur të disa bashkive, dhe për të adresuar problematika që nuk lidhen me buxhete të mëdha por me vëmendje të madhe dhe përkushtim të madh. Vlora është rasti tipik, çfarë ndryshimi po ndodh në një kohë të shkurtër, dhe nuk është ndryshim me buxhet shtesë por me vëmendje shtesë, dhe ku është hapur një proces për të ftuar djem dhe vajza të reja, që duan t’i shërbejnë Vlorës dhe të aplikojnë për të qenë drejtuesit e rinj të bashkisë Vlorë asnjëri nga ata që drejtuan për vite s’ka pse të qëndrojnë aty dhe ka të tjerë që mendojnë se duhet ta kenë këtë mundësi, kudo në të gjitha bashkitë e mëdha të vendit, ku ka burime njerëzore që janë të pashfrytëzuara.”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë adresoi edhe kritikat, pasi tha se u desh që të ndërhynte pasi vuri re që shumë gjëra që nuk shkonin dhe ishte enevojshme për një ‘shtytje nga lart’.
“Të gjitha qeveritë në historinë e njerëzimit janë krijuar për të bërë punën dhe jo një vezë të kuqe, dhe qeveritë dallojnë te mënyra se si e bëjnë punën, edhe drejtuesit, edhe liderët. Jo sesa vezë të kuqe bëjnë. Kjo nuk është çështje mburrjeve. Por diskutimi, sqarimi e reflektimi. E dyta, e përsëris. Unë u detyrova të ndërhyj duke parë disa gjëra që kishin nevojë për shtytje të fortë nga lart. A duhet të ishin bërë pa nevojën e kësaj ndërhyrjeje, një shoqëri demokratike e konsoliduar ku secili e di se ku e ka kufirin. Nuk fillon gjëra nga inspektori apo kontrollori por nga secili që di se ku ka kufirin. Më Pas inspektori dhe kontrollori janë aty për të kontrolluar dhe siguruar që ai kufi të ruhet në funksion të asaj shumice që atë kufi e respekton.”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Aksioni për hapësirat publike, Rama: Kontroll territorit me dron! Bankers? Prokuroria t’i nxjerrë ujin e zi, na detyrohen 240 mln euro
Xh.D/ReportTv.al
