Ermal Dredha dhe Edi Rama në 34- vjetorin e PS, 21 Qershor 2025

Politikë

Dorëhiqet kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha! Ja kërkoi Rama?

10 Shtator, 21:03| Përditesimi: 10 Shtator, 22:24

  • Share

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka dhënë dorëheqjen nga detyra.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të Report Tv, që kanë konfirmuar se kryebashkiaku është dorëhequr mbrëmjen e sotme. Dorëheqja e Dredhës pritet të zyrtarizohet ditën e nesërme.

Arsyet e dorëheqjes së Ermal Dredhës nuk dihen ende.

Ndërkohë, të njëjtat burime bëjnë me dije se është emëruar edhe një tjetër nënkryetar i bashkisë, Elis Halili, për sektorin e infrastrukturës. Halili vjen nga sektori privat, i punësuar në kompaninë Fusha, dhe që ndiqte projektet e kompanisë në qytetin e Vlorës. Ky me gjasë do të jetë kryetari i komanduar i Bashkisë Vlorë sepse u emërua në postin e nënkryetarit nga vetë Dredha, para se ky i fundit të jepte dorëheqjen.

Me këtë emërim, Bashkia e Vlorës ka tashmë 3 nënkryetarë. 

Ermal Dredha qëndron në krye të Bashkisë së Vlorës që prej muajit korrik të vitit 2023, kur zëvendësoi Dritan Lelin.

Kujtojmë se Ermal Dredha është kritikuar shumë herë nga Kryeministri Edi Rama për probleme të ndryshme në qytetin e Vlorës.

E fundit ishte javën e kaluar, në takimin e Ramës për Operatorin Kombëtar të Ujit.

Kryeministri tha se Ujësjellësi i Vlorës, që është në varësi të bashkisë, ka probleme të mëdha me menaxhimin.

“Raporti i bërë nga ekipi për situatën e administrimit të ujësjellësit të Vlorës është i frikshëm. Nivel papërgjegjshmërie i frikshëm. Solla rastin konkret duke qenë se flasim për një nga pikat më atraktive dhe më të ngarkuara nga turizmi. Borxhet e akumuluara nga këto ndërmarrje të administruara me papërgjegjshmëri ekstreme në vitin 2020 arritën në 13.6 miliardë euro. Harxho, shpërdor, dridh zinxhirin dhe ngarko kompaninë e shpërndarjes së energjisë me borxhe. Në 2021, ndërmorëm hapin e parë duke hyrë në procesin e bashkimit të kompanive dhe nga 58 shoqëri, 58 çeta, ne krijuam 15 shoqëri rajonale. Qëllimi ishte të përmirësohej performanca dhe të rritej përgjegjshmëria në administrim dhe sot kemi rezultate domethënëse, që na tregojnë një gjë që përgjigjja ndaj kësaj sfide është bashkimi dhe jo copëzimi. Njerëzit nuk pinë decentralizim  në rubitet, por ujë.  Sot kemi 9 shoqëri rajonale nga 15 që nuk krijojnë më detyrime ndaj OSHEE-së. Hap i jashtëzakonshëm padiskutim”, deklaroi Rama.

Por një tjetër rast flagrant i kritikave të Ramës ndaj Ermal Dredhës, ishte edhe gjatë festës së ditëlindjes së PS, që u mbajt më 19 qershor 2025.

Ndonëse nuk dëgjohej se çfarë po bisedonin, Rama shfaqej me tone të ashpra dhe i irrituar. Nga sa u mësua përmes burimeve, Kryeministri i ‘tërhoqi veshin’ për zjarrin në fushën e mbetjeve në Vlorë.

Një tjetër kritikë për mënyrën e menaxhimit të Bashkisë së Vlorës ishte edhe për hapësirat publike, një aksion që në fakt nisi në të gjithë vendin. Ashtu si gjithë bashkitë, edhe pushteti vendor i Vlorës u përfshi gjatë muajit korrik nga ndryshimet e drejtorëve të Bashkisë dhe të njësive administrative. Në fakt Vlora ishte e para bashki në vend ku nisën shkarkimet e drejtuesve të pushtetit vendor.

Kush është Ermal Dredha?

Ermal Dredha ka shërbyer më parë si Drejtor i Protokollit të shtetit, Konsull italian në Bari dhe vitet e fundit si Ambasador i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në prill të vitit 2023, ai u përzgjodh si kandidat i Partisë Socialiste të Shqipërisë për kryetar në Bashkinë e Vlorës, detyrë që e mori në muajin korrik. Ermal Dredha është i martuar dhe baba i dy vajzave.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria e dyta në grup, a besoni se do kualifikohemi në Botëror?