Arben Ahmetaj në cilësinë fillimisht të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e më pas të ministrit të Ekonomisë dhe Financave shkeli legjislacionin në fuqi, një vendim të Gjykatës Kushtetuese, një vendim të Gjykatës së shkallës së Parë dhe një tjetër të Gjykatës së Apelit Tiranë, 2 vendime në shkallë të parë dhe në apel të Gjykatës Administrative në procesin e privatizimit të fabrikës ‘Buka’, dosje për të cilën SPAK kërkon dërgimin në gjyq të ish ministrit të Ekonomisë dhe Financave nën akuzën e shpërdorimit të detyrës
Në dosjen e siguruar ekskluzivisht nga Report Tv, SPAK rendit një sërë shkeljesh që janë bërë me dashje nga Ahmetaj, për privatizimin e Buka e cila sot njihet si qendra tregtare “Emerald”, që i solli një dëm prej 7 miliardë lekësh shtetit dhe pronarëve legjitimë, familjes Myderizi.
Edhe pse trashëgimtari legjitim i pronës prej 7680 m2 në tokën gjithsej prej 30 mijë metrave katrorë në rrugën 5 Maji në Tiranë, ku ndodhej edhe fabrika Buka me 6370 m2 e saj, ia kujtonte vazhdimisht me shkresa vendimet e gjykatave Ahmetaj asnjëherë nuk e ndali procesin e ankandit kur në fundore përfitoi biznesmeni Lirim Fezollari, me të cilin sipas SPAK kishte njohje të gjatë.
“Rezulton se i pandehuri Arben Ahmetaj ka favorizuar shtetasin Lirim Fezollari, duke i sjellë përfitime materiale për shitjen e aksioneve, provohet dhe me procesverbalin e e këqyrjes së telefonit të Lirim Fezollarit ku janë zbardhur mesazhe mes tyre, një e datës 12 nëntor 2019 dhe tjetra e 23 shkurtit 2020.
12. 11. 2019 Ahmetaj: Me tel pak. Arben Ahmetaj jam.
23.02.2020: Fezollari: Përshëndetje Arben, kur ke mundësi të takoj javën që vjen”, thuhet në kërkesën që SPAK ka dërguar për gjykim në GJKKO.
Nga kjo bisedë SPAK arrin në përfundimin se Arben Ahmetaj njihej me Lirim Fezollarin, e konfirmuar kjo edhe në një bisedë tjetër në vitin 2020 duke vërtetuar së marrëdhënia e tyre dhe njohja ishte me kohështrirje të gjatë.
Familja Myderizi, konkretisht Adrian Myderizi, ka kaluar një ‘Odise’ të tërë në gjykata dhe përballje me institucionet shtetërore sipas SPAK, procese që në gjykata i ka fituar të gjitha por në asnjë rast nuk i janë marrë parasysh.
Fillimisht ka nisur procesi i privatizimit të fabrikës ‘Buka’, proces për të cilën Ministria e Ekonomomisë dhe pronari nuk kanë rënë dakord për mënyrën e llogaritjes së aksioneve. Aksionet ishin llogaritur në bazë të një VKM-je të vitit 1994 që parashikonte se çmimi për truallin ndaj ish pronarëve për ndërmarrjet që do të privatizoheshin do të ishte 800 lekë për m2, por kjo VKM ishte shfuqizuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese në datë 24 prill 2001, e cila kishte thënë se llogaritja duhej bërë me çmimin e tregut. Por varësisht kësaj vlerësimi me aksione i truallit të familjes Myderizi është bërë i bazuar në një VKM-në e shfuqizuar më parë nga Gjykata Kushtetuese.
Çështja ka përfunduar në gjykatën e Tiranës. Me vendimin e datës 30 maj 2005, të konfirmuar në Apel më 27 qershor 2006 gjykatat vendosën pranimin e pretendimit të Myderizit dhe anulimin e procesit të privatizimit.
“Trashëgimtarët Myderizi i kanë kërkuar vazhdimisht Ministrisë së Ekonomisë, zbatimin e vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit nr. 803, datë 27.06.2006 konkretisht edhe dy kërkesa drejtuar ministrit Arben Ahmetaj në vitet 2014 dhe 2015”, thuhet në dosjen e siguruar na Report Tv.
Të gjendur edhe në situatë të tillë, me disa vendime gjykatash, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka shfuqizuar procedurat e ankandit dhe për rrjedhojë edhe zgjidhjen e kontratës së shitjes me blerësin Lirim Fezollarin që ishte bërë tashmë në 21 gusht 2015. Sipas SPAK, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese Arben Ahmetaj kishte nxjerrë urdhrin për privatizimin e aksioneve shtetërore, por nuk kishte nxjerrë më parë urdhër për rivlerësimin dhe privatizimin e aksioneve të ish pronarëve të truallit të shoqërisë “Buka”.
Më vonë ka pasur edhe një vendim të Gjykatës Administrative të Tiranës të 22 tetorit 2015, i konfirmuar në vendimin me formë të prerë të Gjykatës Administrative të Apelit më 30 nëntor 2017, që u shfuqizonte procedurat e ankandit. Pronarët kanë kërkuar vazhdimisht anulimin e procedurave, edhe përmes përmbaruesit gjyqësor.
“Në rolin e ish ministrit të Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj nuk ka vepruar në zbatim të vendimeve të Gjykatës Administrative të shkallës së Parë dhe Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ku nuk ka marrë masa për rregullimin e pasojave...
Të gjitha këto veprime dhe mosveprime kanë ndodhur në një kohë kur ish pronarët e truallit i janë drejtuar me kërkesa të vazhdueshme për t’i bërë ne dije veprimet mbi veprimet arbitrare të kryera. Gjithashtu edhe pas kërkesave të vazhdueshme të përmbaruesve gjyqësor privat të ndrshëm pasojat e veprimeve dhe mosveprimeve nuk janë rregulluar”, thuhet në dosje.
Një fakt tjetër i evidentuar nga SPAK është se ditën që shteti ka shitur aksionet përfaqësuesja e Ministrisë së drejtuar nga Ahmetaj s’ka qenë farë në ankand pasi ajo s’ka pasur autorizim.
Sipas aktit të ekspertimit vlera totale e asetit tokë gjithsej në rrugën 5 Maji ishte rreth 7 miliardë lekë të vjetra, nga të cilat 1 miliardë e 750 milionë i takon familjes Myderizi, e cila edhe sot e kësaj dite nuk i ka marrë.
“Në përfundim duke konsideruar të gjithë analizën e mësipërme rezulton se akoma sot nuk janë rregulluar pasojat dhe nuk janë marrë masat në përputhje me kërkesat e përmbaruesve për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës duke sjellë për pasojë dëmtimin e interesave të shtetasve dhe të shtetit”
Paralelisht me dërgimin në gjyq për Ahmetajn SPAK vijon hetimet në lidhje me privatizimin e ‘Buka’ për 7 persona të tjerë, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe ndaj biznesmenit Lirim Fezollari, i cili sipas SPAK, edhe përfitoi nga privatizimi në kohën kur Ahmetaj ishte ministër i Financave. Në dosjen e siguruar nga Report Tv thuhet se për këtë hetim ka përgjime të personave të përfshirë por që nuk lidhen me akuzën ndaj Ahmetajt. Ndaj personave ka nisur edhe hetimi pasuror, për të zbuluar nëse nga aktiviteti i paligjshëm i shpërdorimit të detyrë ka edhe pasuri të përfituara padrejtësisht. Hetimet e SPAK, nisën në bazë të kallëzimit të trashëgimtarëve të ish-pronarit, familjes Myderizi.
Ish-zv.kryeministri, ndodhet në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dy procedimeve të mëparshme të bashkuar në një të vetëm, për “Fshehje të pasurisë", “Korrupsion pasiv" dhe “Pastrim parash”. Atij i janë sekuestruar disa pasuri dhe prona dhe një pjesë e tyre dyshohet të jenë vënë falë marrëdhënies me pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri që ndodhen po ashtu në kërkim.