Dosja e shkarkimit nga KPK: ‘Anëtari i Gjykatës së Lartë lidhje me Ben Qimen’ 

6 Shtator 2018, 07:30| Përditesimi: 6 Shtator 2018, 14:36

  • Share

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili mbikëqyr procesin e Vetingut, por që ka kompetencë edhe të kryejë hetime për veprimtarinë e zezë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka konstatuar se anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi ka ndikuar që shtetasi Arben Isufaj, i njohur ndryshe si ‘Ben Qimja’, i forti i Fierit, të mos ekstradohet drejt Italisë, me akuzën e trafikimit të lëndës narkotike, e llojit kokainë. Konstatimet e vëzhguesve të ONM, pas një hetimi të thelluar në bashkëpunim me autoritete të huaja, reflektohen në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i cili ka marrë pjesë edhe në gjykimin e dosjeve të 21 Janarit dhe Gërdecit.

“Në bazë të informacionit të siguruar nga burime të besueshme konfidenciale të qeverive të huaja, Vëzhguesit Ndërkombëtarë kanë ofruar këtë gjetje në bazë të nenit 49.5 dhe nenit 49.10. të ligjit nr. 84/2016: Ka prova që tregojnë qartë se subjekti i rivlerësimit, z. Shkëlzen Selimi, është përfshirë në kontakte të papërshtatshme (neni 38.4 i ligjit nr. 84/2016) të drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta, me një person, për llogari të shtetasit A. I., gjithashtu i njohur me..., i cili ishte i përfshirë në krimin e organizuar (siç përcaktohet në nenin 3.15. të ligjit nr. 84/2016). Në gjysmën e parë të vitit 2015, gjyqtari Selimi ka tentuar të ndërhyjë për llogari të shtetasit A. I., në mënyrë që të ndikonte rezultatin e çështjes në shqyrtim të tij përpara gjykatës shqiptare, mbi ekstradimin e tij në një shtet fqinj, për tu përballur me akuzat penale. Si rezultat i mundshëm i kësaj ndërhyrje nga ana e gjyqtarit Selimi, në korrik 2015 kërkesa për ekstradimin e shtetasit A. I., në shtetin fqinj u rrëzua dhe ai u la i lirë”, thuhet në raportin e ONM për KPK. 

KPK: Selimi lidhje me Arben Isufajn
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thotë se ka krijuar bindjen se gjyqtari Selimi ka arritur të ndikojë me sukses në gjykimin e dosjes së personit në fjalë. “U administruan të gjitha dosjet e procesit të ekstradimit të shtetasit A. I., për të cilën bën fjalë edhe gjetja e ndërkombëtarit. Nga verifikimi i dosjeve në tërësi për të gjithë këtë proces u krijua bindja se subjekti i rivlerësimit Shkëlzen Selimi, ka realizuar me sukses ndikimin e tij në këtë çështje. Bindja u krijua mbështetur në informacionin e administruar në dosje dhe informacionin shoqërues “konfidencial” të ardhur për këtë çështje nga qeveria e huaj. Subjekti i rivlerësimit gjithashtu ka qenë edhe pjesë e trupit gjykues që ka gjykuar kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vazhdimin e masës së sigurisë arrest me burg kundër shtetasit A. I., më datë 02.07.2014”, arsyeton KPK. 

Njohja me personin 
Sipas KPK, anëtari i Gjykatës së Lartë ka njohje jo rastësore me Arben Isufajn, ndërsa ka ndihmuar këtë shtetas duke u përfshirë në veprime të kundërligjshme, shfaqur në formën e korrupsionit. “Po ashtu nga një informacion që erdhi nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, (vendimi i një gjykate të huaj) konstatohej se ndaj shtetasit A. I,. ka një procedim penal në shtetin Italian “për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të llojit kokainë”. Ky fakt e bën këtë shtetas “Person të përfshirë në krimin e organizuar”. U krijua bindja se subjekti i rivlerësimit, z. Shkëlzen Selimi, ka njohje me shtetasin A. I., (kontakte jorastësore) i njohur publikisht si person i përfshirë në krimin e organizuar por edhe i provuar si i tillë. Duket se ai ka ndihmuar këtë shtetas duke u përfshirë në veprime të kundërligjshme, shfaqur në formën e korrupsionit pasiv të gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës si dhe ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, thuhet në vendimin e KPK. 

Gjyqtari fshehu njohjen 
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar se gjyqtari Shkëlzen Selimi nuk e ka deklaruar njohjen me Arben Isufajn, ndërsa ka përdorur makinën e shoferit të Isufajt. “Subjekti i rivlerësimit nuk e ka deklaruar shtetasin A. I., si kontakt të papërshtatshëm dhe as njohjen me të. Nga verifikimi i policave të sigurimit rezultoi gjithashtu se subjekti i rivlerësimit ka përdorur në vitin 2010 - 2011 dhe 2011 - 2012 makinën me targa *** e cila sipas burimeve të policisë së shtetit figuronte në emër të shtetasit A. Sh (i dënuar për kundërshtim të forcave të rendit publik) dhe i njohur botërisht si shoferi i shtetasit A. I. Subjekti i rivlerësimit ka pranuar përgjatë komunikimeve elektronike se ka përdorur këtë makinë dhe se e njeh këtë person, por në pyetësorin e dërguar në fillim të procesit të rivlerësimit (datë 23.12.2017) ai nuk e ka deklaruar këtë fakt. Ai e ka pranuar vetëm pasi ne e kemi pyetur lidhur me konstatimin e bërë”, thuhet në vendimin e shkarkimit të gjyqtarit. 

Pretendimi i gjyqtarit 
Shkëlzen Selimi ka deklaruar se nuk ka ndikuar për të lehtësuar pozitën e Arben Isufajt. Gjyqtari sjell si argument faktin që ‘nga vendimi datë 22.04.2014, të Gjykatës së Shkallës së Parë Torino Itali me vendim gjyqësor të formës së prerë, shtetasi A. I., është shfajësuar nga akuza më e rëndë, ajo e pjesëmarrjes në organizatë kriminale. Ky fakt është cilësuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier dhe Gjykata e Apelit Vlorë të cilat në mënyrë të pavarur kanë analizuar këtë rrethanë dhe së bashku me vlerësimin e rrethanave të tjera si: mosinteresimi i autoritetit kërkues, në përfundim kanë vendosur rrëzimin e kërkesës për ekstradim’. Selimi vijon me sqarimin e tij duke thënë se ‘pasi studiova materialet gjyqësore të procesit të ekstradimit, konstatohet se të gjitha vendimet gjyqësore kanë të njëjtin qëndrim ligjor, çka vërteton se kontrolli gjyqësor është bërë në disa nivele dhe rezultati ka qenë gjithmonë i njëjtë”. 

Argumenti i KPK që rrëzon gjyqtarin 
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rrëzuar këtë argument të gjyqtarit me një tjetër argument. KPK thotë se “vendimi i përmendur nr. datë 22.04.2014, i Gjykatës së Torino-s, Itali, që i përket shtetasit A. I., i paraqitur edhe nga subjekti i rivlerësimit, e ka shfajësuar atë vetëm nga akuza më e rëndë, ajo e pjesëmarrjes në organizatë kriminale, por ka mbetur akuza e trafikimit të lëndës narkotike e llojit kokainë, çka e bën këtë person të përfshirë në krimin e organizuar, në kuptim të nenit 3, pika 15, të ligjit nr. 84.2016”. 

Gjyqtari siguroi një makinë të vjedhur
Njerëzit e Vetingut dhe të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, gjatë një hetimi të thelluar, kanë zbuluar një makinë të vjedhur, e cila ishte siguruar nga anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, por që përdorej nga një person i përfshirë në krim të organizuar. “Nga të dhënat e mbledhura nga informacione publike, rezultoi se shtetasi F. D., është ndaluar nga policia e Vlorës në vitin 2011 pasi është gjetur në makinë me armë. 33.1 U kërkua nga prokuroria dhe gjykata e Vlorës dosja e këtij procesi penal. Nga materiali i administruar në atë dosje u konstatua se ky shtetas ishte ndaluar me një makinë me traga të huaja, (e cila rezultonte e vjedhur në një shtet tjetër) dhe më tej u konstatua se ishte në pronësi të shtetasit I. Ç. Makina kishte siguracion në emër të subjektit të rivlerësimit Shkëlzen Selimi dhe bashkëshortes”, thuhet në vendimin e shkarkimit. 

Gjyqtari lidhje me disa njerëz të krimit 
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimi kanë zbuluar se anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, kishte kontaktet të papërshtatshme me disa persona të përfshirë në krim të organizuar. Sipas KPK dhe ONM, Selimi ka pasur kontakte dhe kanë udhëtuar së bashku drejt Gjermanisë dhe Italisë me shtetasin F. D, i dënuar për armëmbajtje pa leje. Selimi ka pasur kontakte me shtetasin I. Ç, i skeduar nga policia. Sipas vendimit, Shkëlzen Selimi ka pasur gjithashtu kontakte me shtetasin A. D, që dyshohet se ka pasur kontakte me persona të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?